Xhamu dhe Kashmir, qytetarët në namazin e Bajramit nën shoqërimin e ushtarëve indianë

India edhe për Kurban Bajram ka vazhduar kufizimet që zbaton pas vendimeve të tij për heqjen e statusit të veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir dhe të ndarjes së këtij rajoni në dy pjesë.

Qeveria e New Delhit sot në Xhamu dhe Kashmir, ku festohet festa e Kurban Bajramit, ka vazhduar kufizimet e saj si ndalimi i daljes në rrugë dhe pengesën për qasje në internet dhe të gjithë komunikimin.

Disa muslimanë në kryeqytetin Srinagar të rajonit Xhamu Kashmir janë lejuar të shkojnë nëpër xhami nën shoqërimin e ushtarëve indianë, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë mundur të dalin nga shtëpitë e tyre.

Habibullah Bhat, banor i rajonit Xhamu dhe Kashmir që ka vajtur në xhami, ka bërë të ditur se pavarësisht situatës së keqe shëndetësore dhe moshës ai ka shkuar në xhami për të falur namazin e Bajramit.

“India ne na ka hedhur në epokën e errësirës, por Allahu është me ne, dhe rezistenca do të jetë fitimtare”, u shpreh Bhat.

Pas namazit të Bajramit, dhjetra persona u tubuan për të shprehur revoltën e tyre kundër veprime aktuale të ndërmarra nga India. Ata thërrisnin slloganet “Duam liri” dhe “Indi ik në vendin nga ke ardhur”, ndërkohë që protesta përfundoi për një kohë të shkurtër pa incidente.

Policia e rajonit Xhamu dhe Kashmir në rrjetet sociale njoftoi se namazi i Bajramit ka kaluar pa incidente.

Kufizimet me arsyetim të sigurisë në rajonin e vetëm me shumicë muslimane të Indisë, pritet që të vazhdojnë deri më 15 gusht, ditën kur India do të festojë pavarësinë e saj.

Kryediplomati pakistanez me mesazh solidarizimi me rajonin Xhamu dhe Kashmir

Ministri pakistanez i Punëve të Jashtme, Shah Mehmood Qureshi, në një mesazh të postuar në rrjetet social u ka bërë thirrje pakistanezëve jashtë vendit që më 15 gusht të zhvillojnë protesta përpara ambasadave të vendeve ku ato ndodhen.

Duke kërkuar nga pakistanezët që të qëndrojnë përballë “pushtimit të jashtëligjshëm dhe të pamëshirshëm” të Kashmirit nga India, Qureshi ka theksuar se, “Jemi në solidarizim me vëllezërit tanë në Kashmir, të cilët përballen me presion dhe u imponohet heshtja”.

Qureshi dhe lideri i opozitës, Bilawal Bhutto Zardari, në ditën e parë të Kurban Bajramit që festohet sot në rajon, kanë vizituar pjesën “Azad Kashmir” të Kashmirit të lidhur me Pakistanin, ku dhe kanë përcjellë mbështetjen e tyre popullit të rajonit Xhamu dhe Kashmir.

Qureshi ka falur namazin e Bajramit në kryeqytetin Muzaffarabad të “Azad Kashmir” dhe nga komuniteti ndërkombëtar ai ka kërkuar që të marrin në konsideratë persekutimin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Kashmir nga ana e Indisë.

Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Indisë të tensionuara

Xhamu dhe Kashmir, një rajon i Himalajeve, mbahet në pjesë të ndara nga India dhe Pakistani dhe pretendohet e plotë nga të dyja palët. Ndërkohë, në këtë rajon vazhdojnë tensionet në marrëdhëniet mes dy vendeve për shkak të ndryshimit në statusin e rajonit.

Të enjten, të dyja vendet pezulluan disa shërbime të trenit nga qyteti Lahore në veri të Pakistanit për në kryqytetin New Delhi të Indisë, pasi India tërhoqi statusin e veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir.

India hoqi strukturën me stastus të veçantë të rajonit duke anuluar nenin 370 të kushtetutës. Që nga viti 1947, Xhamu dhe Kashmir gëzoi dispozita të veçanta për të miratuar ligjet e veta. Dispozita e veçantë mbronte po ashtu ligjin e saj të shtetësisë që nuk lejonte të huajtë të vendoseshin dhe të zotëronin tokat në territor.

Që nga ndarja e tyre në vitin 1947, dy shtetet kanë zhvilluar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971. Dy prej këtyre luftërave janë zhvilluar shkaku i Kashmirit.

Disa grupe në Xhamu dhe Kashmir kanë luftuar për pavarësi kundër sundimin indian apo për bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave për të drejtat e njeriut, mijëra njerëz kanë humbur jetën në konfliktin në rajon që nga viti 1989./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne