Opinion Shqiperia

Xhihadistët shqiptarë kalojnë nga ISIS te Al-Khaeda

GJERGJI THANASI

Per lexuesit po ofrojmë një video 33 minutëshe të përgatitur nga organet e propagandës së organizatës terroriste Tahir Al Sham. Kjo organizatë e njohur ndryshe edhe si AL Khaeda në Siri është ish Fronti Al Nusra, i cili që nga janari 2017 është bashkuar me Organizatën Ansar Al Din dhe grupacione të tjera. Video përshkruan stërvitjen fizike e ushtarake si edhe një aksion në terren të grupit të snajperistëve shqiptarë të kësaj organizate terroriste.

Kliko linkun per videon: https://jihadology.net/2018/08/04/new-video-message-from-hayyat-ta%E1%B8%A5rir-al-sham-albanian-snipers-in-al-sham/

Duke komentuar videon shpresojmë që edhe lexuesi i zakonshëm jo profesionist të mësojë më shumë për peshën dhe rëndësinë e komponentit shqiptar në rradhët e kësaj organizate. Theksojmë se nga pikëpamja teknike video është e cilësisë së lartë, mjaft profesionale. Në video përcohet mesazhi se Tahir Al Sham, ndryshe nga ISIS-i nuk është një organizatë, që thjesht terrorin dhe aktet makabre i ka ngritur në sistem, por është një grupacion serioz luftarak, profesional, mjaft i trajnuar dhe madje mjaft efikas në fushëbetejë.

Videoja në fillim duke cituar Kuranin i përcon mesazhin shikuesit, që luftëtarët e Tahir Al Sham-it janë luftëtarë të kauzës së Islamit para së gjithash e para cdo gjëje tjetër. Na tërheq vëmendjen, që lexuesi i teksit përdor një shqipe letrare mjaft të kultivuar, ndonëse ndihet një ndikim i lehtë i dialektit tosk d.mth. lexuesi i teksit ose është tosk në origjinë, ose ka jetuar për shumë kohë në një ambient, ku flitet masivisht dialekti tosk.

Më pas në video tregohet, sesi prodhohen në mënyrë artizanale pushkë snajper shumë cilësore duke përdorur, dru nga pyjet e Sirisë,  komponentë mbi 70 vjecarë pushkësh ruse-sovjetike, tip bolt action rifle, por edhe materiale moderne si dylbi prodhim cek apo municion të ri kalibër 7,62X54 mm. Tërë këto hollësi shërbejnë si mjet propagande për të theksuar mesazhin, që Tahir Al Sham zotëron një nivel të lartë sofistikimi dhe profesionalizmi. Të bën përshtypje edhe shqipja mjaft e kultivuar letrare e folësit, që gjithsesi kuptohet, që është shqipe tipike e shqiptarëveve të mirë shkolluar në Republikën e Kosovës apo në FYROM.

Më pas videoja në mënyrë të detajuar na jep përgatitjen e snajperistëve shëqiptarë për aksion. Është një video, që i ofron shikuesit një ekip snajperistësh, që do t’ia kishte zilinë cdo shtet i NATO-s. Në video jepet gjitcka nga stërvitja e tyre. Fillohet me përgatitjen teorike me një gjuhë të pasur shumë teknike me një përzjerje termash ushtarakë të përdorur si nga ushtarakët shqiptarë të ish JNA-së titiste ashtu edhe terminologji e përdorur nga ushtarakët tanë në kohën e diktaturës. Më pas ofrohen aspekte nga përgatitja fizike e snajpëeristëve në palestra të përshtatura, por ku nuk mungojnë të tëra veglat për stërvitje. Vijohet në përgatitjen taktike, ku me mjaft profesionalizëm theksohet rëndësia e maskimit për të realizuar objektivat e snajperistit dhe për të siguruar mbijetesën e tij në fushëbetejë. Stërvitja konkudon me qitje me fishekë luftarakë. Gjatë stërvitjes nga gjuha e përdorur nga të paktën 3 prej 4 snajperistëve shqiptarë kuptohet, që kemi të bëjmë me snajperistë shqiptarë nga ish Jugosllavija. Përdorimi prej tyre i fjalës “zit” për fjalën shqipe “mur”, një huazim ky i fillim shekullit XX nga serbishtja, është shenjë e qartë, që gegnishtja e përdorur prej tyre nuk është gegnishte e Shqipërisë londineze. Pa u shndërruar në personazhin e Pigmalionit të Xhorxh Bernard Shout, mund të konfirmojmë pa frikë, që shqipja e përdorur nga personazhet e videos është  realisht një minierë informacioni.

Goditja e objektivave armike me snajper është një shenjë tjetër profesionalizmi e këtyre snajperistave shqiptarë. Sjellja e tyre në pozicionet e zjarrit, përdorimi i aparatit fotografik Minolta për të zëvendësuar pajisjen speciale largësimatëse tregon zgjuarësi dhe përshtje mjeshtërore ndaj rrethanave. Komunikimi me bazën i shefit të snajperistëve, Hamza Albanit (Hamzë shqiptarit), po ashtu tregon vec profesionalizëm për t’u pasur zili. Goditja e kryer nga dy snajperistë, njeri pas tjetrit është perfekte pikë për pikë sipas manualit.

Videoja mbyllet me thirrje për shqiptarët, që t’i bashkohen kësaj lufte. Nënteksti është i qartë, bashkojuni me të tillë profesionistë të nivelit të lartë, se me ta fitorja është e sigurtë.

Rreziqet për Shqipërinë dhe fqinjët tanë aleatë në NATO

 

Nëse të tillë snajperistë, të nivelit të snajperistëve edhe të shteteve të fuqishme të NATO-s, do të vriteshin në fushëbetejat e Sirisë, për Shqipërinë dhe aleatët e saj do ishin thjesht një numër më shumë në statistikë dhe aq. Nëse të tillë luftëtarë profesionistë të nivelit të lartë kthehen në Atdhe (gjithkund në tokat e Ballkanit të banuara denbabaden nga shqiptarët), telashet nuk do kenë të sosur.

Shqipëria e “Rilindjes” Edviniste përsa i përket sigurisë kombëtare është në nivelin: Bir Selman i nënës kë të qaj më parë! Imagjinoni pak ato qindra femrat police, që me gjithë flokët me “extension”,me thonjtë me “tips”, me pistoletë Tokarev e me krehërin rezervë nuk peshojnë as 50 Kg. dhe nuk janë më të gjata se 155 cm, sa mund t’u bëjnë ballë personazheve ekstremistë, ushtarë të Al Qaedas të videos sonë. Imagjinoni qindra e qindra policë të rekrutuar nga kjo farë Rilindje, që janë thuajse kalamaj, as 160 cm të gjatë, pa pikë trajnimi me peshë të përafërt me të internuarit e Aushvicit në vitin 1945, përballë makinave vrastare tej mase efikase të videos sonë! Madje edhe snajperistat barkmëdhenj të RENEA-s janë larg përgatitjes fizike të këtyre snajperistëve shqiptarë anëtarë të Al Qaeda-s. Përsa i përket aftësive teknike si snajperistë besoj se terroristët e Al Qaeda-s janë më mirë se këta të RENEA-s sonë edhe për shkak të eksperiencës së akumuluar në fushëbetejë. Normalisht Dragunovët sovjetikë, kopjet jo cilësore rumune PSL-54 c apo prodhimet artizanale, që disponojnë shqiptarët e Al Qaedas janë inferiore përsa i përket rrezes së goditjes krahasuar me Sako TRG M10, kalibër 12 mm apo edhe kalibër 8,58X70 të RENEA-s, por ato gjithsesi konkurojnë rrotë më rrotë me snajperat H&K apo Sig Sauer të RENEA-s. Ndoshta cunat e BOS-it në Farkë kanë shans të përballen thuajse sit të barabartë me terroristët tanë snajperistë në shërbim të Al Qaeda-s siriane.

Politikat idiote të tahirve, mrikave, geronxhafave, xhackave & Co kanë nxjerrë në rrugë disa qindra profesionistë ushtarakë e policë. Dhjetra prej tyre për të mbajtur familjet me bukë aftësitë e fituara në shkollime, trajnime e në fushëbetejat në Irak e në Afganistan i kanë vënë në shërbim të krimit të organizuar shqiptar e transnacional. Le të shpresojmë që nuk do të vihen edhe në shërbim të “shokëve” të tyre të armëve si këta snajperistët shqiptarë të Al Qaeda-s.

Nesë këta snajperistë kthehen gjallë në Ballkan, sherrin kanë për t’ia parë edhe aleatët tanë në NATO duke filluar nga Italia, fqinje, aleate dhe mike e Shqipërisë. Modestisht u kujtoj diplomatëve pak të leshtë italianë (përfshirë nëpunësit e katit të tretë) si edhe gjithfarë finacierëve, policëve e karabinierëve italianë me detyra në Shqipëri, që Kepi i Gjuhëzës me mot të mirë është vetëm 2 orë larg me motorskaf nga San Cattaldo apo San Foca në Provincën e Lecce-s. Të tillë snajperistë shqiptarë janë më profesionalë, më trima e shumë fish më të gatëshëm për tu vetësakrifikuar krahasuar me inkursorët tuaj me moton e tyre démodé “E Fluctibus Irruit In Hostem” Nëse djemtë tanë alkaedianë kthehen në Ballkan, shpresojmë që dikush me mend në kokë në Itali të lëshojë kushtrimin: Al Qaheda ante portas! Në të kundërtën Allahu Qerim për miqtë tanë italianë!/ Gazeta Impakt

OPINIONE