Yildirim: Bashkëpunimi i Amerikës me organizatat terroriste kundër DAESH-it nuk do të sjellë paqe

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ka thënë se organizatat terroriste PKK, YPG dhe PYD përbëjnë problem për Turqinë dhe se bashkëpunimi i SHBA-ve me këto organizata për mposhtjen e organizatës terroriste DEASH nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.

Kryeministri Yıldırım ka zhvilluar një intervistë në programin GPS në televizionin amerikan CNN.

I pyetur rreth politikave amerikane kundrejt Iranit, Yıldırım tha se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Iranit nuk janë të mira që pas okupimit të parë dhe të dytë të Irakut.

“Siç e dini, SHBA-të po përpiqen të krijojnë një koalicion të ri këto ditë në rajon. Po ashtu, nuk është e fshehtë se marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Iranit prej një kohe të gjatë nuk shkojnë mirë. Ky është një faktor. Faktori tjetër është se shtetet e vogla po bashkohen dhe po krijojnë një aleancë kundër Katarit”, tha Yıldırım.

Yıldırım i cilësoi si të dëmshme këto qëndrime, duke theksuar se në rajon ka probleme të shumta, siç është kriza në Irak dhe Siri dhe lufta kundër organizatës terroriste DEASH.

Yıldırım përmendi edhe zhvendosjen e miliona sirianëve si pasojë e luftës civile, duke nënvizuar se mbi 3,5 milionë sirianë janë strehuar në Turqi.

“Prej më shumë se gjashtë vitesh, ne po i strehojmë ata dhe po u ofrojmë mundësi arsimi dhe strehimi. Kjo paraqet një çështje të madhe për ne. Ne nuk mund të mos i pranojmë ata që janë të kërcënuar. Dyert dhe krahët tona i hapim gjithnjë me kënaqësi për ta”, theksoi Yıldırım, duke shtuar se Turqia është e shqetësuar nga ndonjë kërcënim apo luftë e mundshme e re në rajon.

“Kush do ta paguajë çmimin nëse në rajon shpërthen kërcënim apo luftë e re? Ky është shqetësimi ynë. Turqia është shtet i fortë dhe stabil dhe shtet që ka marrë përsipër të jetë urë mes civilizimeve të Azisë dhe Evropës dhe shoqërive krishtere dhe myslimane. Turqia luan rol të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së çdo terrorizmi në Evropë”, u shpreh Yıldırım.

Kryeministri turk ka riafirmuar vendosmërinë e Turqisë për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian (BE).

“Po, natyrisht që Turqia dëshiron të jetë anëtare e BE-së, por BE-ja duhet të vendosë për drejtimin e saj. Ata duhet t’i përkufizojnë rajonet, nëse do ta zgjerojnë këtë rajon, ose do të ngelin klub i krishterë”, tha Yıldırım, duke shtuar se Turqia gjeografikisht dhe, në një aspekt, kulturalisht, është evropiane.

Ai vuri në dukje se Turqia, si shtet mes Evropës dhe Azisë, është prej shekujsh gërshetim i dy kulturave dhe civilizimeve.

“Që nga koha e Shtetit Osman, ne jemi në Evropë, në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, si dhe në veri të Detit të Zi. Për këtë arsye, ne i kemi gërshetuar kulturat dhe fetë. Të gjitha fetë kanë bashkëjetuar për më shumë se 600 vite. Ne asnjëherë nuk kemi tentuar t’ua ndryshojmë fenë dhe gjuhën këtyre shoqërive, por për shekuj u lejuam të jetojnë ashtu si duan. Besimi ynë nuk e lejon kolonializmin”, tha kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne