Yildirim: Palestina është çështje edhe e Turqisë

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, deklaroi se “Palestina është çështje e Turqisë, çështje e popullit tonë”.

Yıldırım, në fjalimin e tij në mitingun për mbështetje për Palestinën nën mesazhin “Mallkuar zullumi, mbështetje Jerusalemit”, tha se Turqia me 81 milionë është pranë Palestinës dhe popullit palestinez.

Ai tregoi se është hapur zjarr drejt fëmijëve, grave dhe të rinjve të pambrojtur, të cilët ishin duke bërë demonstrata legjitime dhe paqësore.

“Ata që e bënë këtë janë përgjegjës para historisë dhe se patjetër do të japin llogari. Administrata dhe Presidenti i SHBA-ve që kanë zhvendosur ambasadën në Jerusalem duke bërë një gabim të rëndë, janë bërë partneri i këtij persekutimi”, tha Yıldırım.

Ndër të tjerat shefi i qeverisë turke tha se: “Për fat të keq, qeveria e Izraelit nuk është mjaftuar me masakrimin e njerëzve të pafajshëm, por edhe nuk lejon që të ndihmohen të plagosurit. Nuk do të shmangemi si shtet dhe popull në lidhje me ndihmat humanitare. Nëse ka nevojë do të mobilizojmë Kombet e Bashkuara ose organe tjera për t’i shëruar plagët e vëllezërve tanë”.

Kujtojmë se ushtarët izraelitë vranë 62 palestinezë dhe plagosën të paktën 3.000 të tjerë të cilët morën pjesë në protestat e organizuara në kufirin e Gazës nën rrethim, me qëllim për të protestuar kundër hapjes së ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem dhe për të përkujtuar 70 vjetorin e “Nakba”-s (Fatkeqësisë së Madhe). (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne