Yildirim: Tani ka ardhur koha që në Afganistan të shtrëngohen duart dhe e kaluara të lihet pas

Kryeministri Binali Yildirim bëri të ditur se tani ka ardhur koha që në Afganistan të shtrëngohen duart në çështjen e terrorit dhe e kaluara të lihet pas.

I ndodhur në Afganistan për një vizitë zyrtare, Kryeministri Yildirim zhvilloi një takim kokë më kokë me Kryeshefin e Ekzekutivit të Afganistanit, Dr. Abdullah Abdullah.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të organizuar pas takimit, Kryeministri Yildirim lavdëroi qeverinë e Kabulit për ofertën për bisedimet e paqes me talebanët duke e cilësuar këtë proces si një “hap shumë të guximshëm dhe kuptimplotë”.

Kryeministri turk Binali Yildirim shprehu dëshirën që talebanët ta vlerësojnë këtë rast historik në mënyrë më të mirë dhe të hyjnë në bisedimet e paqes me qeverinë e Kabulit, ndërsa shtoi se “Jemi të mendimit se tanimë është koha për ti shtrënguar duart, të lihet pas e kaluara dhe të ndërtohet e ardhmja”.

Shefi i qeverisë turke gjithashtu rikujtoi se Turqia prej fillimit ishte pro zgjidhjes së problemeve mes Afganistanit dhe fqinjit të tij Pakistanit me dialog dhe se ajo dy herë mirëpriti konferencën e mekanizmit tresh.

Yildirim tërhoqi vëmendjen se Turqia ka zhvilluar një luftë të ashpër kundër kërcënimeve të organizatave terroriste të dala posaçërisht me vakumin autoritar në Siri të krijuar me luftën civile, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Shpresojmë që në një të ardhme të afërt fqinjët tanë Iraku dhe Siria të vendosin stabilitet në kuptim të plotë të fjalës dhe një sistem të ri të udhëheqjes ku do të jetojnë në paqe të gjitha grupet etnike duke e ruajtur tërësinë e tyre territoriale”.

Duke prekur edhe në tentimin e dështuar për grusht shtet të ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste FETO, Kryeministri Yildirim tha se Afganistani në atë kohë edhe njëherë tregoi se është mik i vërtetë.

Kryeministri Yildirim u prit në takim edhe nga Presidenti i Afganistanit, Eshreg Gani dhe vizitoi edhe njësitë e Forcave të Armatosura Turke që ndodhen në këtë vend.

Pritet që gjatë kësaj vizite Kryeministri Yildirim të bëjë edhe përurimin e xhamisë së Dëshmorit Bulent Aydin të ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne