Yildirim: Turqia mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të hënën se vendi i tij është një komb që mund të kontribuojë në përpjekjet drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.

“Nëse ka një vend që mban gjallë shpresat e popullit sirian, ai është Turqia”, tha Yildirim përpara një grupi përfaqësuesish të shoqërisë civile, studiuesish dhe gazetarësh gjatë një fjalimi në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike (IISS) në Londër.

Duke folur në një panel të titulluar “Perspektivat e Turqisë në Lindjen e Mesme: A ka dritë në fund të tunelit?”, shefi i qeverisë turke vuri në pah se bisedimet e paqes në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit, të cilat nisën në janar të këtij viti, nuk synojnë t’u bëjnë konkurrencë përpjekjeve të ngjashme në Gjenevë, po të mbështesin një tranzicion paqësor në Siri.

“Procesi i Astanës nuk është një alternativë ndaj procesit të Gjenevës, por një përgatitje për një qeverisje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, e cila do të bazohej në integritetin territorial të Sirisë dhe në të cilin do të përfaqësoheshin të gjitha grupet etnike, që nuk kanë pasur kontakt me terrorizmin”, vlerësoi ai.

Yildirim theksoi se palët e përfshira në procesin e Astanës, një iniciativë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit për të gjetur një marrëveshje paqeje të qëndrueshme në Siri, kishin përshkuar një rrugë të gjatë në reduktimin e tensioneve dhe arritjen e një armëpushimi.

Pasi u kërkoi vendeve përbërëse të forcave të koalicionit dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin më shumë përgjegjësi këtej e tutje, kryeministri turk u shpreh i sigurt se “çështja e Sirisë do të njihet me një zgjidhje dhe lufta, dhimbjet e përjetuara në rajon do të përfundojnë brenda një kohe jo shumë të gjatë”.

Yildirim nënvizoi se mbi 3,5 milionë qytetarë sirianë janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës civile dhe strehuar në Turqi, rreth 250.000 fëmijë sirianë kanë lindur në vendin e tij dhe afro 600.000 të tjerë janë duke u arsimuar në shkollat ​​turke.

“Sigurisht, do të ishte e paimagjinueshme për Turqinë, e cila ndan një kufi 911 km të gjatë me Sirinë, të qëndronte pa reaguar ndaj Sirisë teksa po rrënohej”, tha ai duke shtuar se vendi i tij ka mirëpritur miliona njerëz të arratisur nga shtypja dhe sulmet.

Duke iu kthyer çështjes së terrorizmit, kreu i Ankarasë zyrtare tërhoqi vëmendjen se Turqia ka penguar hyrjen e mbi 50.000 luftëtarëve të huaj nga 54 vende të ndryshme.

Ai bëri me dije se rreth 3.000 anëtarë të DAESH-it janë arrestuar ose burgosur.

“Ne kemi realizuar një punë të madhe në luftën kundër organizatës terroriste DAESH në kuadër të (operacionit) Mburoja e Eufratit. Ne kemi neutralizuar 3.600 anëtarë të DAESH-it në territoret siriane”, theksoi Yildirim.

Kryeministri nënvizoi më tej se Turqia dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të mira fqinjësore për shekuj me radhë.

Por – shtoi ai – ne gjithmonë themi se feja dhe sektet nuk mund të bëhen kurrë politika të vendeve; ato nuk mund të formohen prej tyre.

“Ne mund të mendojmë ose të besojmë ndryshe. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të respektojmë besimet, mendimet dhe madje interpretimet e njëri-tjetrit. Pa marrë parasysh se çfarë jemi – të krishterë, myslimanë, shiitë apo sunitë – ne të gjithë jemi subjekte të krijuara nga Perëndia e Plotfuqishme”, vlerësoi shefi i ekzekutivit turk.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Turqia është një vend i aftë të sigurojë një baraspeshë ndërmjet SHBA-së, BE-së, vendeve të NATO-s, Rusisë dhe Iranit, Binali Yildirim tha se vendi i tij mund të kontribuojë në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon.

I pyetur në lidhje me shqetësimet e ndryshme rreth blerjes së sistemit raketor S-400 nga Rusia, ai tha se “përgjigja është e thjeshtë”.

“Ne i themi SHBA-së se ‘PYD/YPG-ja është një organizatë terroriste. Mos bashkëpunoni me ta’, kurse ata na e kthejnë duke na thënë se ‘kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri.’ Unë gjithashtu them se raketat S-400 nuk janë një zgjedhje, por një domosdoshmëri”, saktësoi kryeministri turk.

Tani – vijoi ai – meqenëse DAESH-i nuk është më në rend të ditës, duhet të hiqet dorë nga kjo domosdoshmëri dhe të bashkëpunojmë për të ardhmen e Sirisë, për vendosjen e paqes, qetësisë dhe për rindërtimin e këtij vendi të rrënuar nga lufta.

“Me lejen e Allahut, ne mund ta arrijmë këtë dhe pritma jonë këtë drejtim po rritet dita-ditës”, përfundoi Yildirim./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne