Zaev: NATO ofron sigurinë e nevojshme për investitorët e huaj

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, kanë marrë pjesë në konferencën e konsujve të nderit të Maqedonisë së Veriut të akredituar nëpër vendet e huaja, e cila u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kryeministri Zaev falënderoi konsujt për punën e tyre të rëndësishme, duke u shprehur se në periudhën në vijim interesimi për Maqedoninë e Veriut do të jetë më i lartë, sidomos në aspektin ekonomik dhe në atë të investimeve.

Zaev foli për ambientin e krijuar në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se vendi nuk ka çështje të hapura me vendet fqinje, ndërsa përmendi anëtarësimin e vendit në NATO, për çka tha se kanë mbetur vetëm procedurat teknike të miratimit të protokollit në disa vende anëtare.

“Për ne, siç e përmenda, NATO nënkupton siguri dhe stabilitet, që është shumë e rëndësishme për çdo investitor. Ky është minimumi që ata presin, nëse vendosin të marrin kredi për të hapur procese investuese këtu dhe të japin rroga, të paguajnë taksa në shtet dhe të realizojnë profit”, tha Zaev.

Zaev gjithashtu foli edhe për eurointegrimet, ku Maqedonia e Veriut pret që të marrë datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Ai tha se eurointegrimet do të garantojnë transformim në një shtet më demokratik dhe me sundim të ligjit.

Zv/kryeministri Angjushev foli për masat ekonomike dhe mbështetjen financiare që parashihet me ligjet e vendit për investimet e huaja, për të cilat tha se janë dëshmuar si të suksesshme.

“Çfarë kemi bërë ne në praktikë? Ne kemi përpiluar atë që është Ligj për mbështetje shtetërore, i cili është në përputhje me rregullativat e BE-së dhe i cili funksionon gjithandej nëpër BE, ne atë e kemi ngritur në një shkallë më të lartë të cilin e emëruam Ligji për mbështetje financiare të investimeve”, tha Angjushev, duke shtuar se ky ligj kryesisht është u dedikohet kapaciteteve prodhuese dhe se i njëjti ka kritere të qarta se sa mund të mbështeten financiarisht investitorët e huaj.

Pas fjalimeve të kryeministrit dhe zv/kryeministrit, konsujt kishin mundësi të parashtrojnë pyetje konkrete për problematika të ndryshme. Konsujt nga Lindja e Mesme dhe pjesët tjera të Azisë parashtruan çështjen e vizave, për të cilën ata thanë se banorët e këtyre vendeve hasin në vështirësi.

Përfaqësuesit e lartë qeveritarë u zotuan për koordinim më të madh mes institucioneve sa i përket çështjes së vizave, duke shtuar se Maqedonia e Veriut duhet të respektojë edhe rregullativat evropiane./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne