Zagani dhe zagari

Nga Agim Xhafka

Po qeshja kur lexova këtë pasazh në fb. “Jam nga Shkodra. Dua të di ku është vendi nga nisen autobuzët në Tiranë drejt qytetit tim. Por anonim ju lutem, se këta çfarë nuk të bëjnë.”

Hahaha, asgjë nuk të bëjnë për një pyetje aq naive e aq të sinqertë. E di mbase dhe ai zotëria e Facebook, por tani nga që shumë janë djegur prej qullit,i fryjnë dhe kosit.

E pata harruar këtë pasazh gazmor, por më erdhi e plotë sërish këto ditë kur vendi është plot tallaze nga përgjimet e dy trafikantëve që dalin kushërinj të Tahirit, por mbase dhe bashkëpunëtorë me të në mjaft vepra kriminale.

Kuptohet që interesi publik e ka rritur temperaturën, por u befasova kur mësova se këto që po provon sot policia italiane, i ka denoncuar para ca vitesh një punonjës policie i antidrogës në Vlorë. Fiks siç shkruhet sot në fashikujt e prokurorisë italiane i ka shkruajtur dhe Dritan Zagani, kështu quhet polici.

Kreu detyrën, siguroi provat, vuri emrin dhe mbiemrin e tij në shkresa zyrtare dhe … u trajtua si zagar. Jo vetëm banditët, por edhe ky ish-ministër faqezi e përgojuan, e kriminalizuan, e futën në burg,ia quajtën shpifje faktet dhe po mos kishte marrë arratinë drejt Zvicrës me tre fëmijët e vet,sot do kishte kohë në burgje,i hedhur si leckë,i fyer dhe i poshtëruar.

Ndërkohë nga qeveria buçasin altoparlantët se ne do bëjmë shtet, lëreni drejtësinë të punojë, e tërci e vërci. O zotëri, në se do bësh shtet, hipi avionit, shko në Zvicër, merr televizionet me vete dhe trokit te shtëpia e Dritan Zaganit. Bjeri në gjunjë e kërkoi të falur, puthi e përqafoji ata fëmijë se njësoj si do ti Zahon, i do Zagani ata.

Pastaj merre me vete, zbrite në Tiranë e çoje tek Policia e Shtetit. Le të mos bëjë asnjë punë. Veç te rrijë tek holli e të trimërojë policinë shqiptare që e drejtonte Habili, që nga Saranda deri në Velipojë, bashkë me radarët e Mimit. Kështu do ngjallësh shpresën e guximin e qytetarëve. Të denoncojnë e të trembin bandat e votave e kriminelët e lidhur me shtetin.

Ndryshe do ecim si ankesa e djeshme e një qytetari, që poshtë ka një disko e i buçet muzike deri në 4 të mëngjesit.

-Alo, policia. Dua të  bëj një denoncim. Ora 4 a tek lagja po tundemi nga zhurmat, si tërmet e qamet po na duket.

-Mos u shqetësoni. Po nisim një patrullë.

E pas pesë minutash dëgjohet trokitje tek dera e qytetarit:

-Ti shkërdhatë u ankove për muzikën!- ulurinte pronari i lokalit. -Dil,e shihe si e ke makinën. Pa goma e plot gërvishtje. Merre prapë policinë e nesër mbase do gjesh pak benzinë poshtë derës.

Kjo situatë e përligj frazën: “Anonim të lutem, se këta çfarë nuk të bëjnë!”

E dhimbshme, por e vërtetë. Ja, pyesni Zaganin që u arratis sikur po e ndiqte kolera. Që mbrojti shtetin e bandave nga…bandat.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne