Bota

Zarif: Irani do të ndërmarrë hapin e tretë më të fortë bërthamor

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif ka thënë se hapi i tretë i vendit për zvogëlimin e detyrimeve në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do të jetë “më i fortë” se ai i mëparshmi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Hapi i tretë do të jetë padyshim më i fortë se ai i mëparshmi. Ne e kemi njoftuar Evropën për mundësitë tona”, tha Zarif të mërkurën duke folur në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI).

Ai tha se hapi i tretë do të ndërmerret nëse përfitimet e Iranit nga marrëveshja nuk mbrohen.

Zarif tha se heqja e marrëveshjes bërthamore do të hapë kutinë e Pandorës.

“Ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump është vetë i paparashikueshëm, ai nuk mund të presë që të tjerët të ndjekin politika të parashikueshme”, shtoi ai.

Irani ka filluar të zvogëlojë detyrimet e tij nga marrëveshja bërthamore si veprim hakmarrës pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-së nga marrëveshja midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

SHBA-të që nga ajo kohë filluan një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Marrëveshja bërthamore i lejon Iranit të zvogëlojë angazhimet e tij në rast të shkeljeve nga palët e tjera. Teherani dëshiron që BE-ja të veprojë në mënyrë më aktive në lidhje me zbatimin e pjesës së saj të detyrimeve, duke thënë se do t’i kthehet në përputhje të plotë marrëveshjes pasi BE-ja të anulojë sanksionet e SHBA-së./ AA

OPINIONE