Zarif: Irani ka ofruar një “pakt jo-agresioni” me shtetet e Gjirit

Irani është ofruar të nënshkruajë një pakt jo-agresioni me fqinjët e tij të Gjirit, deklaroi të dielën ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të mbrohemi nga çdo tentativë lufte kundër Iranit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një luftë ekonomike apo ushtarake”, tha Zarif, në konferencën e përbashkët për mediat në Bagdad, me homologun e tij irakian, Mohamed Alhakim.

Ai tha se vendi i tij do të përballojë me forcë këto përpjekje. “Teherani ka ofruar nënshkrimin e një pakti jo-agresioni me fqinjët e tij nga Gjiri Persik”, tha ministri iranian, duke shtuar se vendi i tij dëshiron marrëdhënie të balancuara me të gjitha shtetet e Gjirit.

Të premten, CNN bëri të ditur se presidenti amerikan, Donald Trump, ka miratuar dërgimin e rreth 1.500 trupave amerikane në Lindjen e Mesme për të penguar “kërcënimet iraniane”.

Vendimi në fjalë i presidentit amerikan vjen në kohën e tensioneve në rritje midis SHBA-ve dhe Iranit, që kur Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin e tij nga marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe grupit P5 + 1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara plus Gjermania).

Pas kësaj administrata Trump rivendosi sanksione mbi sektorin bankar dhe energjetik të Iranit, ndërsa Irani nga ana e tij kërcënoi se do të mbyllë ngushticën strategjike të Hormuzit, për dërgesat amerikane të naftës.

Mbrëmë, ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif dhe presidenti i Irakut, Barham Salih në një takim të realizuar në Bagdad kanë biseduar për mënyrat mbi parandalimin e luftës dhe uljen e tensioneve në rajon.

Në një kumtesë të publikuar nga Presidenca e Irakut pas takimit thuhet se gjatë vizitës së tij zyrtare në Bagdad, Zarif ka diskutuar gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare, përfshirë mënyrat e gjetjes së zgjidhjes politike për krizat aktuale./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne