Zarif: Irani nuk do të aspirojë kurrë armën bërthamore

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, deklaroi të martën se vendi i tij nuk do të aspirojë kurrë armën bërthamore.

Siç bën të ditur agjencia zyrtare iraniane e lajmeve “IRNA”, Javad Zarif ritheksoi gjatë fjalës së rastit në një konferencë kundër armëve kimike, organizuar në kryeqytetin Teheran të vendit, se Irani nuk aspiron armën bërthamore, sikurse pretendon administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke rikujtuar se Irani është anëtar i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) dhe palë nënshkruese e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), Zarif tha se “megjithatë SHBA-ja dhe regjimi sionist i shmangen asgjësimit të armëve kimike të tyre”.

Kurse në një reagim të drejtpërdrejtë në adresë të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili pati njoftuar javën e kaluar se kishte pezulluar një ofensivë ushtarake kundër Iranit pasi kjo mund të shkaktonte vdekjen e 150 personave, shefi i diplomacisë iraniane e pyeti kreun e Shtëpisë së Bardhë me këto fjalë: “Vallë për 150 persona u shqetësuat? Sa njerëz keni vrarë e sa gjenerata keni zhdukur me armë bërthamore dhe kimike?”

Ai rikujtoi gjithashtu se lideri fetar iranian, Ali Khamenei, i ka ndaluar rreptësishtë armët nukleare.

“Si domosdoshmëri e pikëpamjes sonë fetare dhe strategjike, ne s’do të aspirojmë kurrë armën bërthamore. Ankthi i armëve të shkatërrimit në masë duhet të zhduket nga rajoni dhe bota”, shtoi ministri Zarif.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të hënën sanksionet e reja të vendit të tij kundër Iranit.

“Ne s’do të lejojmë kurrë që Irani të zotërojë armë bërthamore”, premtoi ai duke njoftuar masat e reja detyruese ndaj Teheranit, objektiv i të cilave është veçanërisht udhëheqësi suprem Khamenei./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne