Zbulohen dy emrat e propozuar nga Bushati për ambasadorë në OSBE dhe Këshillin Europian

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka dërguar në Parlament emrat e dy kandidatëve për ambasadorë për postet e rëndësishme në OSBE dhe në Këshillin e Europës. Bushati ka propozuar Igli Hasanin si kandidat për ambasador në misionin e përhershëm pranë Organizatës për Siguri, Bashkëpunim në Europë, OSBE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Vjenë. Hasani do të zëvendësojë në këtë detyrë të ngarkuarën me punë, Ravesa Lleshi.

Ndërkohë që kandidatura tjetër është Albana Dautllari, e propozuar si ambasadore në krye të misionit të përhershëm të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, në Strasburg. Dautllari do të zëvendësojë në këtë detyrë Adriana Hobdarin, e cila është emëruar si ambasadore në Greqi.

Të dy kandidatët do t’i nënshtrohen sipas ligjit seancës dëgjimore në Komisionin e Politikës së Jashtme. Por Këshilli i Ministrave nuk ka respektuar detyrimin ligjor të seancës dëgjimore për ish-kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, të cilin ka vendosur ta dërgojë si propozim direkt në Presidencë, duke anashkaluar Komisionin e Jashtëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne