Shqiperia

Zbulohet kostoja rekord, 407 mln USD për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, Xhika: S’jam i rrezikshëm

Qëndron prej më shumë se një muaji në qeli me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, ish-kreu i ARRSH, Dashmir Xhika, kërkon lirinë. Ai u bë drejtor tre vite pasi nisi ndërtimi i rrugës që sipas parashikimeve do të kushtonte 407 mln USD.

Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashmir Xhika, kërkon lirinë nga Gjykata e Lartë, në të cilën ka depozituar rekurs ndaj dy vendimeve të Krimeve të Rënda që e kanë lënë atë në burg.

Rekurs pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kanë depozituar dhe dy ish-vartësit e Xhikës Albnes Alite dhe Aksel Qorduku. Report Tv ka siguruar rekursin e ish-kreut të rrugëve, Dashamir Xhika, ku sipas mbrojtësit të tij ai duhet të lihet i lirë, pasi nuk është një person i rrezikshëm dhe nuk mund të prishë asnjë provë.

Në argumentet e paraqitura për rekurs nga Xhika janë renditur disa elementë si “caktimi i tij drejtor disa vite pasi është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e këtij aksi, ka arsim të lartë jashtë vendit dhe është një person me integritet, është i padënuar familjarisht jeton dhe punon në Shqipëri si dhe faktin që ai nuk mund të ndikojë as tek dëshmitarët dhe as tek prishja e provave”.

Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u prangos mbrëmjen e 2 shkurtit me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, ndërsa më 4 shkurt dhe 27 shkurt Krimet e Rënda dhe Apeli i Krimeve vendosën për të arrest me burg.

Por sa ishte planifikuar kostoja e kësaj rruge për të cilën auditi i Ministrisë së Infrastrukturës në materialin kallëzues shprehet se ka një dëm prej 54 milionë dollarë?

Sipas këtij materiali dhe kontratave të depozituara në gjykatë, rezulton se ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan ishte parashikuar të kushtonte 407 milionë dollarë sipas kontratës së qeverisë shqiptare me bankën islamike në vitin 2011.

OPINIONE