Zbulohet nga dronë toka e mbjellë me kanabis në Maliq, arrestohet i riu dhe kryeplaku i fshatit

Arrestohet një flagrancë një 29-vjeçar në Maliq si autor i dyshuar për kultivim të kanabisit si dhe kryeplaku i fshatit për “Shpërdorim detyre”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi 2-mujor finalizuan me sukses operacionin antikanabis të koduar “Dobërçani” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K., 29 vjeç banues në fshatin Gopesh.

Nga tërësia e hetimeve të kryera, përdorimit të dronit, si edhe gjatë kontrollit që forcat e policisë ushtruan në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dobërçanit”, njësia administrative Moglicë, u konstatuan në një sipërfaqje të hapur enkas fidanë kanabis të kultivuar.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin F. K., i cili dyshohet të jetë kultivuesi i tyre.

Gjithashtu gjatë operacionit u vu në pranga dhe shtetasi H. K., 49 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Gopesh i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ky shtetas kishte detyrim që të ushtronte kontrolle territori dhe të njoftonte organet e policisë, në rast se do të konstatonte ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne