Zbulohet plani famëkeq i Veliajt, 33 pallate do të betonizojnë fushën tek “Ali Demi”

Fare pak larg qendrës së Tiranës, një kompani ka vendosur flamurët e një projekti, mbi një fushë të gjelbërt. Projekti njofton ndërtimin e një kompleksi aspak estetik, që do t’i zërë edhe më tej frymën kryeqytetit.

Në fund të mandatit të tij 4-vjeçar, padyshim që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të mbahet mend për shkatërrimin, betonizimin dhe zhdukjen e hapësirave të gjelbërta në kryeqytet. Edhe pse përbetohej që do të vendoste moratorium për ndërtimet, Veliaj përgjatë këtyre 3 viteve bëri tërësisht të kundërtën.

Mbi 170 leje për pallate janë dhënë gjatë drejtimit të tij në Bashkinë e Tiranës. Dhjetra kantiere ndërtimi shihen pothuajse në çdo cep të kryeqytetit, pa përmendur këtu edhe nisjen e ndërtimin të 17 kullave në qendër të Tiranës.

Në pothuajse të gjitha lejet e dhëna, pallatet apo kullat do të ndërtohen mbi lulishte, ose mbi hapësira publike apo ndërtime shtetërore.

Tpz.al mëson se këtyre 170 lejeve do t’i shtohet edhe një tjetër ndërtim. Bëhet fjalë për një superleje që përfshin ngritjen e 33 pallateve, në një kompleks të quajtur “MANGALEM”. Ndërtimi monstruoz do të zhdukë një fushë të gjelbër në zonë e Ali Demit, në afërsi të Burgut të Grave.

Kompleksi është projektuar nga një studio arkitekturore në Hollandë, ndërsa çdo pallat përfshin tarraca të gjelbërta, një dëshirë kjo e Veliajt për të sajuar një gjelbërim artificial në kryeqytet. Por në këtë kompleks nuk mungojnë as shijet e Edi Ramës, pasi çdo pallat do të jetë me ngjyra të ndryshme si ylber….duke të krijuar një përfytyrim si Red Lights në Amsterdam.

Mbi 33 pallatet që priten të ndërtohen, do të zhdukin plot 53.908 m2, totalisht hapësirë e gjelbërt. E njohur si kodrat e Ali Demit, ky vend atraktiv për mijëra banorë të zonës dhe që vizitohej nga shumë familjarë, nuk do të jetë më falë Erion Veliajt. Ky i fundit shfaqet çdo ditë duke mbjellë pemë, me pretendimin se po përmirëson cilësinë e ajërit në Tiranë. Por me një të rënë të lapsit, “njeriu i gjelbërt” Veliaj, shkatërroi një hapësirë të rëndësishme që shërbente për frymarjen e kryeqytetit.

Gjithashtu qarkullojnë zërat, se edhe IEVP 325, e njohur si Burgu i Grave në Tiranë, do të transferohet, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një tjetër kompleksi. Asgjë nuk duket e çuditshme, pasi Veliaj vetëm po kopjon parardhësin e tij, Ramën, për betonizimin e kryeqytetit.

Duke u kthyer tek denoncimi, kompleksi “MANGALEM” do të ndërtohet brenda pak viteve.

Kompleksi ka nisur punën duke gërryer fillimisht barin e fushës dhe vendosur mjetet e rënda aty pranë. Duket se çdo gjë ka marrë fund në fshehtësi të plotë dhe pa asnjë transparencë, pasi kompania ka nisur edhe shitjet e apartamenteve në këtë zonë.

Firma ndërtuese, njihet gjithashtu për zhdukjen e fushës së sportit Partizani, duke e shndërruar në një kompleks të madh pallatesh që përfundon deri në afërsi të kryqëzimit “21 Dhjetori”./TPZ.AL/

Më poshtë projekti dhe hapësira e gjelbërt që do të zhduket:

Në foto, kompania KONTAKT ka nisur shitjet:

Më poshtë fotot e fushës, ku për pak javë do të zhduket nga harta e Tiranës:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne