Zbulohet skema: Kompania fantazëm pas të cilës u shfrytëzuan plazhet në Ishëm

Ish kryetari i Komunës së Ishmit në Durrës është vënë në pranga për një seri vendimesh abuzive qiraje të tokave shtetërore në bregdet dhe krijimin e një skemë vjedhje të vetë institucionit. Sulejman Ibrahimi, në bashkëpunim me tre ish zyrtarë në të paktën katër raste ka dhënë me qira plazhe dhe toka shtetërore në kundërshtim me vendimet e qeverisë. Po ashtu ai dyshohet se kishte krijuar një kompani fiktive që rezukton fituese e disa tenderave të ish komunës në kohën kur ajo drejtohej nga ky i fundit. Përfitues të vendimeve rezultojnë familjarë të ish kryekomunarit të majtë.

Ish-kryetari i komunës Ishëm, Sulejman Ibrahimi është arrestuar me masë sigurie arrest me burg nga Gjykata e Durrësit pasi akuzohet për abuzime me trojet dhe kontratat e qirasë për plazhet publike.

Ish kryekomunari i zgjedhur si përfaqësues të Partisë Socialiste në 2011-2015, akuzohet ka dhënë në të paktën 4 raste në përdorim pjesë të fondit pyjor buzë detit në kundërshtim të vendimit të Këshillit të Ministrave. Përfitues sipas hetimit kanë qenë familjarë të tij.

Po ashtu prokuroria ka provuar se Sulejman Ibrahimi në bashkëpunim me vartësit e tij ka krijuar në mënyrë fiktive  shoqërinë  “Eco Alba Group” sh.p.k, në emër të shtetasit Italian V.B,  dhe e administruar nga shtetësia Shpresa Merdita, motra e tij, e cila në periudhën Prill 2013 – Tetor 2015 ka qenë e punësuar si Sekretare Ligjore pranë Urbanistikës në këtë Komunë.

Kjo shoqëri ka konkuruar dhe fituar procedura prokurimi që kontrolloheshin nga zyra e Urbanistikës pranë kësaj Komune dhe ka përfituar 17 pagesa me vlerë nga 465.000 -5.760.00 lekë.

Hetimet disa mujore të prokurorisë dhe policisë Durrës, kanë provuar se të gjitha këto shkelje janë kryer në bashkëpunim me tre ish vartës të cilët po ashtu përfunduan në pranga.

TË ARRESTUAR

Sulejman Ibrahimi,  ish- Kryetar i Komunës Ishëm

Ornela Shëmlikaj, sekretare protokolli

Enver Shima, ish- përgjegjës i zyrës së Bujqësisë

Shpresa Merdita, ish- punonjëse e Urbanistikës

Por kjo është vetëm një nga dosjet e nxjehta të abuzimit me pronat në Durrës, pasi prokurori Afrim Shehu dhe kreu i policisë Alfred Çepe thanë se kanë të tjera raste në hetim.

Afrim Shehu: Janë bashkuar disa procedime penale, të cilat janë finalizuar me arrestimin e katër personave.

Por ndërsa agjensitë ligjzbatuese në Durrës paralajmëruan se dosja mbetet nën hetim, disa banorë të Ishmit dolën në protestë para prokurorisë së Durrësit për të mbrojtur ish kryekomunarin.

Afrim Shehu: Nuk mund të themi se priten arrestime të tjera, por ka persona të tjerë për të gjykuar.

Alfred Çepe: Do vazhdojë ky bashkëpunim për hetimin e rasteve të tjera.

Arrestimet për dosjen e nxehtë të abuzimeve me pronat në bregdet erdhën vetëm një pasi kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku kërkoi ritëm të ri hetimesh në institucionin lokal të akuzës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne