Zëdhënësi i Presidencës Turke dënon të shtënat në Gjermani

Zëdhënësi i Presidencës Turke, Ibrahim Kalın tha se Turqia pret që autoritetet gjermane të angazhohen fuqishëm për të zgjidhur rastin e të shtënave të mbrëmshme në qytetin Hanau ku me sa duket në shënjestër ishin migrantët.

“Turqia pret që autoritetet gjermane të bëjnë përpjekjet maksimale për të zbardhur çështjen”, shkroi Kalın në Twitter, duke e quajtur racizmin një “kancer kolektiv”.

Kalın gjithashtu shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit nga të shtënat, ku u vranë të paktën 9 persona në dy kafene në qytetin Hanau në afërsi të Frankfurtit.

Dyshohet se në mesin e viktimave janë edhe disa qytetarë turq, ndonëse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Autori i krimit, një gjerman i ekstremit të djathtë i identifikuar nga forcat e sigurisë si 43-vjeçari Tobias R., si dhe një person tjetër u gjetën të vdekur në një apartament në Hanau, pas një sulmi të ekipit gjerman të forcave speciale, njoftoi e përditshmja gjermane “Bild”.

Hanau ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Frankfurtit dhe ka një popullatë prej rreth 100 mijë banorëve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne