Zelanda e Re planifikon tërheqjen e trupave nga Iraku deri në vitin 2020

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, bëri të ditur sot se vendi i saj do të tërheqë trupat nga Iraku i shkatërruar nga lufta deri në vitin 2020, njoftuan mediat vendore, transmeton Anadolu agency (AA).

Sipas faqes së lajmeve Stuff, gjithsej 95 ushtarë të Zelandës së Re, të vendosur në Kampin Taji të Irakut, ishin planifikuar të ktheheshin në shtëpi në nëntor të vitit 2018, por afati i tyre u shty.

Ushtarët e Zelandës së Re u japin trajnim homologëve të tyre irakianë që nga viti 2015, si pjesë e Operacionit Inherent Resolve të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Sipas faqes së lajmeve, kryeministrja e Zelandës së Re tha se 42,000 trupa irakiane janë trajnuar sipas skemës.

“Zelanda e Re dhe trupat australiane në Taji kanë punuar shumë, jo vetëm për të ofruar trajnime, por edhe për të siguruar që ISF (forcat irakiane të sigurisë) të jenë të vendosur mirë për ta marrë përsipër këtë angazhim në Taji në të ardhmen e afërt. Misioni i trajnimit është të sigurojë që ai të bëhet një program i qëndrueshëm “, tha Ardern në një konferencë shtypi të përjavshme.

“Procesi i tërheqjes së ushtarëve të Zelandës së Re do të fillojë vitin e ardhshëm, me vetëm 45 ushtarë të mbetur në janar të vitit 2020, dhe të gjitha trupat do të tërhiqen nga Iraku deri në qershor 2020”, citohet të ketë thënë Ardern.

Rreth situatës në Afganistan, ajo tha se trupat e vendit të saj në Afganistan do të qëndrojnë për të paktën 18 muaj të tjerë.

“Qeveria do të shqyrtojë përsëri kontributet e Zelandës së Re në Afganistan deri në fund të vitit 2020,” shtoi Ardern./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne