Zelandë e Re – Mijëra persona përkujtojnë viktimat e sulmit terrorist në dy xhami

Dhjetëra-mijëra njerëz me përkatësi të ndryshme etnike dhe fetare morën pjesë në programin përkujtimor të organizuar në Christchurch për 50 personat që humbën jetën në sulmet terroriste në xhamitë “Al-Noor” dhe “Linwood”.

Zyrtarët vendas kanë theksuar se rreth 40 mijë persona kanë marrë pjesë në këtë program përkujtimor, i cili filloi në orët e drekës në “Hagley Park” pranë xhamisë Al Noor dhe që ka vazhduar deri në mbrëmje me kryerjen e lutjeve, mbajtjen e fjalimeve dhe me leximin e emrave të 50 viktimave të sulmit.

Shtetasi turk Mustafa Boztas, i cili shpëtoi i plagosur nga sulmi terrorist, ka ndjekur programin i ulur mbi një karrocë me rrota, nga ku ka thënë: “Është mirë të shohim shoqërinë e mbledhur për të na kushtuar vëmendje dhe për të treguar se jemi të gjithë një.”

I plagosur me dy plumba në sulmin terrorist ndaj xhamisë “Al-Noor”, Boztas tha se shpreson që së shpejti të mund të ecë plotësisht.

Ndërsa Okirano Tilaia, përfaqësuesi i shkollës së mesme “Cashmere”, nga ku në sulmin terrorist kanë humbur jetën një ish-nxënës dhe një nxënës aktual, në një fjalim të mbajtur në aktivitetin përkujtimor ka përmendur fjalët e aktivistit dhe avokatit amerikan të të drejtave të njeriut, Martin Luther King Jr.

“Errësira nuk mund ta mposhtë errësirën, këtë mund ta bëjë vetëm drita. Urrejtja nuk mund ta mposhtë urrejtjen, por këtë mund ta bëjë vetëm dashuria”, ka thënë ai duke cituar Luther Kingun.

Personat që humbën jetën në sulmet ndaj xhamive “Al-Noor” dhe “Linwood” përkujtohen në të gjithë Zelandën e Re me aktivitete të ndryshme dhe me pjesëmarrje nga popullata dhe zyrtarë të ndryshëm të Zelandës së Re, përfshi këtu edhe Kryeministren Jacinda Ardern.

Xhamitë “Al-Noor” dhe “Linwood”, të cilat ishin në shënjestër të sulmeve terroriste në qytetin Christchurch, u hapën një ditë më parë për vizitorët pas përfundimit të inspektimeve të realizuara nga forcat e sigurisë, megjithatë ende nuk dihet se kur ato do të hapen për adhurim./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne