Zelli i qeverisë për PPP/ “FUSHA” dhe “A.N.K.”, kompanitë modeste që premtojnë projekte të mëdha

Së fundmi janë shtuar kompanitë me një aktivitet modest, të cilat marrin përsipër që të realizojnë projekte të mëdha, duke “shfrytëzuar” zellin e qeverisë për Partneritete Publike-Private (PPP).

Dy prej tyre, më tipiket, janë FUSHA sh.p.k, që kërkon të ndërtojë Teatrin e Ri Kombëtar dhe disa kulla aty pranë me kosto rreth 100 milionë euro dhe ANK, që sapo ka marrë bekimin nga Kuvendi për të ndërtuar 17 km të rrugës Milot- Balldren, me vlerë totale 256 mln euro. Por, të dhënat paraprake të tatimeve, tregojnë se në vitin 2018, këto kompani nuk kishin më shumë se 20 milionë euro të ardhura secila, ndërsa fitimet e tyre janë më pak se 1 milion euro.

Aktivet e tyre afatshkurtra mbeten në nivele minimale, çka vë në dyshim kapacitetet e tyre që të gjenerojë likuiditete për projekte kaq të mëdha.

Fusha, fitimet janë vetëm 820 mijë euro

Fusha sh.p.k, një kompani e krijuar që në vitin 1993, në fushën e ndërtimeve civile dhe inxhinierike, ka raportuar të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh në 2018-n, ose rreth 20 milionë euro, me një dyfishim në raport me vitin e mëparshëm.

Fitimet e kompanisë para taksave ishin 101 milionë lekë, ose rreth 820 mijë euro, sipas të dhënave paraprake nga tatimet, me një rritje fare të lehtë në raport me vitin e mëparshëm. Të dhënat e bilancit tregojnë për një kompani modeste. Sipas bilancit të vitit 2017, kompania ka një total asetesh afatshkurta prej rreth 24 milionë eurosh, ato afatgjata janë minimale. Kapitali i kompanisë është rreth 4 milionë euro.

Por ky bilanc modest nuk e ka penguar Fushën, që të dorëzojë një projekt të pakërkuar për ndërtimin e Teatrit dhe kullave aty pranë, me një investim total 93 milionë euro.

A.N.K

A.N.K, e krijuar që në vitin 1998, me objekt kryesisht ndërtimin e rrugëve, raportoi fitime para taksave prej 121 milionë lekësh në 2018-n, ose më pak se 1 milionë euro, me një tkurrje të lehtë në raport me vitin e mëparshëm. Të dhënat për qarkullimin vjetor nuk janë bërë ende publike.

Edhe kjo kompani ka një aktivitet modest. Të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro.

Kuvendi miratoi në 18 korrik të këtij viti kontratën e koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”.

Sipas kontratës, kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, është 213.6 milionë euro, plus TVSH-në, ose 256 milionë euro përfshirë TVSH-në.

Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua bankare prej 70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët prej 19.5 milionë eurosh dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet. 12 milionë euro janë shpenzime mirëmbajtje.

Nga do të gjenden paratë, vështirë që bankat t’i financojnë

Të dy kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta, çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka. Kompanitë kanë një nivel të lartë të detyrimeve (borxheve), në raport me mjetet e veta, kryesisht të marra nga palë të treta jo banka, p.sh., ortakët.

Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë maksimumi 1, pra detyrimet të jenë të barabarta me kapitalin. Ai përdoret për të matur qëndrueshmërinë, shëndetin e kompanisë dhe aftësinë e saj për të paguar detyrimet. Në rastin e Fusha, detyrimet janë 6 herë mbi kapitalin, ndërsa A.N.K kishte detyrime që janë katër herë më të mëdha se kapitali i saj. /monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne