Zënka e mirëbërësve të Ballkanit

Edhe pse një kohë të gjatë sistematikisht ishin të shtypura, lidhjet e afërta kulturore, historike dhe shpirtërore të Turqisë me Ballkanin e bëjnë Turqinë aleat dhe partner të natyrshëm të tërë Ballkanit. Inkurajon fakti që afërsia dhe marrëdhëniet e mira të Turqisë me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, si dhe me Maqedoninë, ku ka një popullsi dominuese, përkatësisht të konsiderueshme, myslimane, ka të bëjë edhe me Serbinë, ku deri vonë kishte një disponim të hapur antiturk, kjo si rezultat i sforcimit sistematik si program shtetëror.

Shkruan: Ferid MUHIQ

Në dy dekadat e kaluara Turqia e ka proklamuar stabilizimin e Ballkanit si qëllimin e saj strategjik. Ky qëllim, logjikisht, mund të realizohet vetëm me praninë e shtuar dhe me marrjen e rolit kyç të Turqisë në rajon. Duke marrë parasysh që në aspektin gjeografik, kulturor dhe historik Ballkani paraqet protonukleusin-bërthamën autentike të kulturës evropiane dhe burimin e identitetit shpirtëror të Evropës moderne – fakt ky i cili vazhdimisht heshtet, injorohet ose më shpesh shtrembërohet me qëllim tek narrativët e falsifikuar të Ballkanit si vend i kinse antagonizmit kulturor shekullor midis paradigmës civilizuese orientale dhe oksidentale – roli i këtillë i Turqisë interpretohet si inkursion i një konkurrenti të padëshiruar në territorin ku BE-ja dëshiron të vë dhe ta ruajë kontrollin e plotë dhe si “…Kërcënim për vlerat dhe përfitimet tradicionale të kulturës evropiane”.

Dhe, kështu fillon njëri prej rrëfimeve më të pazakonta në historinë e Ballkanit: zënka e mirëbërësve të Ballkanit! Turqia, BE-ja, SHBA-ja, Rusia, Kina e Emiratet bëjnë gara për të drejtën për të qenë mirëbërës, të cilët pa egoizëm do t’i ndihmojnë Ballkanit, por vetëm me kusht që kjo e drejtë të jetë ekskluzive dhe t’i përjashtojë të gjithë konkurrentët tjerë! Duke marrë parasysh që Turqia dhe BE-ja, e deri diku edhe Rusia, u veçuan larg nga konkurrenca, me interes është që të analizohen motivet e tyre për rolin e këtillë dhe për shanset për fitore përfundimtare.

Nëse pranohet që prapa kësaj zënke të pazakonshme fshihen interesat e tyre, hapen dy pyetje: 1. A shikon BE-ja në praninë e përforcuar të Turqisë në këtë pjesë kyçe të Evropës thjesht një furacak, një konkurrent, aty ku ajo planifikon të vë kontrollin e plotë për ta realizuar agjendën e vet gjeostrategjike, duke e injoruar rolin pozitiv, potencial, të Turqisë në stabilizimin e Ballkanit?; 2. A e ka për qëllim BE–ja, përgjithësisht, që Ballkanin ta stabilizojë në këtë periudhë apo planifikon një destabilizim të ri, për rindryshim gjeostrategjik të rajonit, të cilin e konsideron si oborrin e vet, ende të parregulluar, pas shtëpisë, me qëllim që ta shtrëngojë kularin rreth Rusisë, pasi ta riorganizojë sipas gjedhes së vet?

Për një njeri me mendje të shëndoshë është e pakuptueshme se si cilado prej të dyja palëve sinqerisht të përkushtuara në stabilizimin e Ballkanit mund të shohë rrezik nga prania e palës tjetër!? Nëse vërtet duan ta stabilizojnë Ballkanin, atëherë një qëllim i tillë më lehtë do të realizohet me përpjekje të përbashkëta! Secila ndihmë është e mirëseardhur – përveç nëse pas rrëfimit për stabilizim nuk fshihet ndonjë plan, realizimin e të cilit pala tjetër dëshiron ta pengojë! E di se për tepër kërkoj kur i referohem njeriut me mendje të shëndoshë! Sot s’ka njeri që s’është i indoktrinuar mbi bazë ideologjike nga propaganda mediale – por mu për këtë më i domosdoshëm është pozicioni i mendjes së shëndoshë, që është e çliruar nga proklamatat politike si opsion i vetëm i drejtë dhe i ndershëm.

Gjatë dy dekadave të fundit Turqia realisht u bë lojtar i rëndësishëm i Ballkanit. Duke qenë se Ballkani ka qenë pjesë integrale e Perandorisë Osmane (shtetit prej të cilit doli Turqia e sotme), është e kuptueshme se përse Turqia e fortë në planin ekonomik, kulturor dhe ushtarak, si dhe politikisht e konsoliduar, ka aspirata për ta përtëritur praninë e vet në tërë këtë rajon, përfshirë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Në intervistën e dhënë në 28 janar 2018, zëdhënësi i Presidentit të Republikës së Turqisë Rexhep Taip Erdoan (RecepTayyipErdoğan), ambasadori Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalın), i paraqiti qëllimet themelore të Turqisë në lidhje me Bosnjë dhe Hercegovinë, duke theksuar: “Prioriteti më kryesor i Turqisë në Bosnjë është të ruhet paqja dhe stabiliteti. Turqia nuk do tensione etnike në Bosnjë. Ne jemi të vetëdijshëm se Marrëveshja e Dejtonit, me të cilën ka përfunduar lufta e viteve 1992-95 në Bosnjë, ka mangësi, por ajo siguroi baraspeshën dhe paqen.” Duke dëftuar mospajtim rreth kërkesës për autonomi më të madhe të kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, si faktor që e destabilizon situatën politike, Kallëni drejtpërdrejt bëri me gisht kah themelimi i formacioneve paraushtarake të serbëve të Bosnjës, me çka rrezikohet drejtpërdrejt paqja në tërë Ballkanin: “Jemi të vetëdijshëm për organizimin e milicisë së serbëve të Bosnjës në RS, të stërvitur dhe të armatosur në Rusi. Ne nuk duam kurrfarë përplasjesh e as tensione etnike në Bosnjë. Ne jemi kundër përsëritjes së gabimeve të viteve 1990… Në lidhje me Bosnjën, ia bëjmë me dije Rusisë, si dhe të gjithë aleatëve tanë, që nuk duam tensione etnike në Bosnjë. Kërkojmë nga të gjithë aktorët që ta ndihmojnë Bosnjën dhe të mos e komplikojnë situatën.”

Një pjesë të intervistës kushtuar Bosnjë dhe Hercegovinës ambasadori Ibrahim Kallën e mbylli me fjalët: “Askush nuk duhet të marrë kurrfarë vendimesh kundër paqes dhe stabilitetit të Bosnjës, kjo për shkak të interesave të veta afatshkurtra. Ata mund të fitojnë përkohësisht, por në planin afatgjatë konfliktet e reja do t’u sjellin humbje të gjithëve.“

Motivet për interesimin e përtërirë të Turqisë për të marrë pjesë aktive në Ballkan, si dhe konceptimi i strategjisë së përgjithshme për realizimin e këtij programi, në mënyrë sistemore është elaboruar dhe formuluar nga Ahmet Davutollu (Ahmet Davutoğlu), profesor i shkencave politike, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë (2009-2014) dhe Kryeministër i Turqisë (2014-2016). Derisa ende ka qenë profesor, Davutollu e kishte botuar librin Thellësia strategjike: Pozita ndërkombëtare e Turqisë. E dhëna që ky libër gjer më sot nuk është përkthyer në gjuhën angleze, vetvetiu është me interes. Pjesë e shpjegimit, gjithsesi, është përmbajtja e këtij libri, i cili, nga njëra anë, ashiqare nuk përputhet në strategjinë e BE-së dhe të SHBA-së, ndërsa nga ana tjetër, me argumentimin e vet konsistent, nuk krijon hapësirë për kritikë dhe kontestim substancial. Ideja themelore e këtij studimi është se Turqia sërishmi do të duhet të bëhet fuqi e madhe në hapësirat euroaziatike. Ky qëllim duhet të realizohet me politikë aktive në rajonin e shtetit të mëparshëm osman, përfshi edhe atë të Ballkanit, ku prania shumëshekullore ka lënë një trashëgimi të madhe shpirtërore, kulturore, politike dhe demografike.

Deri vonë politika ballkanase e Turqisë asnjëherë nuk gjeti një interesim ndërkombëtar adekuat, sidomos në krahasim me politikën e saj në Lindjen e Afërt. Injorimi i kësaj pjese të librit, si dhe i realizimit konkret të strategjisë politike të Turqisë, në mënyrë indirekte konfirmon që as rrethet akademike, as planifikuesit politikë, nuk kanë gjetur kundërargumente të besueshme me të cilat do të ishin kundërvënë. Sipas Davutollut, Turqia mund ta përtërijë ndikimin dhe statusin e fuqisë evropiane vetëm përmes përtëritjes së ndikimit të vet në Ballkan. Siç thotë ai: “…Pa zonën e ndikimit dhe instalimit të parametrit defansiv në Ballkan, Turqia nuk do të jetë në gjendje që në mënyrë efikase të ndikojë as në Lindjen e Afërt, as në Euroazi. Këto qëllime kyçe, në tërë kompleksitetin e tyre, mund të realizohen vetëm përmes formimit të rrjetit të aleatëve dhe mbështetjes së popullsisë në rajonin e tërë Ballkanit, ku ato lidhje ende janë të fuqishme dhe prej ku në mënyrë më efikase do të mund të ndikohet ndaj BE-së.”

Idetë themelore të Davutollut janë përfshirë në politikën e jashtme të Turqisë, ku Ballkani në kohën më të re zë vend themelor. Kontinuiteti i kësaj politike shihet në faktin se Ballkani prioritetin e ka jo vetëm nga perspektiva politike, ekonomike dhe gjeografike, por edhe përmes përtëritjes së lidhjeve historike dhe kulturore, si dhe përmes kultivimit të kontakteve njerëzore. Ballkani është lidhja e drejtpërdrejtë e Turqisë me pjesën tjetër të Evropës, para së gjithash me BE-në, dhe, në këtë kontekst, pikërisht Ballkani, përmes integrimeve të ardhshme të rajonit në BE, hap perspektiva më të mira edhe për Turqinë.

Për këtë qëllim, është e dukshme tendenca që me të gjitha shtetet e Ballkanit të ruhet dialogu i nivelit të lartë (edhe pse shtet tipik ballkanik, Greqia është temë e veçantë e politikës së jashtme turke), si dhe integrimi ekonomik intensiv dhe mbështetja e strukturës multietnike, multikulturore dhe multireligjioze e shteteve ballkanike. Vërehet edhe insistimi që bashkëpunimi ekzistues të përshpejtohet përmes formimit të sferave të interesit të përbashkët me vendet e rajonit mbi bazë të parimeve të respektimit të sovranitetit dhe inkluzivitetit të tyre.

Si shtet interkontinental-aziatik, por dhe evropian, konkretisht ballkanik, Turqia insiston në mënyrë të evidentuar në lidhje dypalëshe me secilin prej shteteve ballkanike, me ç’rast tregon sukses të theksuar në paqtimin e parimit të mospërzierjes në punët e brendshme të këtyre shteteve, me strategjinë e përtëritjes dhe të forcimit të lidhjeve historike dhe kulturore me popullsinë myslimane të Ballkanit. Duke pasur parasysh ekzistimin e bashkësive etnike myslimane dhe specifike turke të Ballkanit jashtë Turqisë, si dhe miliona pasardhës të myslimanëve (turqve, shqiptarëve, boshnjakëve), të cilët nga vendet ballkanike kanë emigruar në Turqi, është e qartë që paqja dhe stabiliteti i Ballkanit me të vërtetë paraqet interesin vital edhe të Turqisë, për shkak se, praktikisht, i prek drejtpërdrejt të gjithë qytetarët e saj.

Miratim dhe respekt të veçantë meriton edhe qëndrimi i Turqisë ndaj pranisë së faktorit ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, përkatësisht në Kosovë, shtete këto me shumicë të popullsisë myslimane. Që nga vetë fillimi, Turqia tregon një qëndrim të theksuar pozitiv dhe i ndihmon aktivisht përpjekjet që të forcohen institucionet në këto shtete dhe të vihet paqe stabile midis bashkësive etnike mbi bazë të respektimit të barazisë së tyre të plotë. Në sferën ekonomike, në Ballkan veçmas është e rëndësishme agjencia TIKA, ndërsa në sferën e kulturës vend udhëheqës zë Fondacioni, përkatësisht Instituti “Junus Emre”.

Si themeluese dhe anëtare e organizatës ndërkombëtare Procesi Bashkëpunues i Evropës Juglindore (SEECP), e cila pas aderimit të Sllovenisë sot numëron 12 shtete anëtare, Turqia në mënyrë aktive e promovon bashkëpunimin dhe integrimin rajonal të shteteve ballkanike në BE dhe në strukturat euroatlantike. Duhet të theksohet se për këtë organizatë Turqia jep kontribut financiar kyç dhe realizon një varg projektesh rajonale. Insistimi në mekanizmat konsultativ trepalësh, midis Turqisë-Bosnjë dhe Hercegovinës-Serbisë, Turqisë-Bosnjë dhe Hercegovinës-Kroacisë, të formuara me iniciativën e Turqisë, paraqet instrumentin jashtëzakonisht të rëndësishëm për zbutjen e tensioneve, kthimin e besimit dhe përparimin e dialogut midis shteteve të cilat në periudhën 1992-95 kanë qenë në luftë. Deklarata e SEECP-së, e miratuar në Samitin e Ankarasë (“Ankara Summit Declaration”), veç tjerash, i theksoi si më të rëndësishme rezultatet dhe parimet në vazhdim:

  • Forcim i Ballkanit stabil, të qetë dhe prosperues;
  • Përparimi në të gjitha sferat, sidomos në bashkëjetesë paqësore dhe integrim në strukturat evropiane;
  • Vendosmëria për t’i inkurajuar dhe mbështetur përpjekjet e ndërsjella për integrim në BE dhe për t’u këmbyer përvojat në procesin e anëtarësimit;
  • Rëndësia e proceseve konsultuese trepalëshe, me theks të veçantë në sferën ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore, energjetike, infrastrukturore, si dhe bashkëpunimi në transport, sport dhe turizëm.

 

Ballkani sot është në situatë paradoksale: edhe pse nga shumë anë duan që t’i ndihmojnë, ndihmësit potencialë përpiqen që në të gjitha mënyrat t’i largojnë të gjithë konkurrentët tjerë. Ky posesizëm flet qartë për ekzistimin e planeve të fshehta për Ballkanin, realizimi i të cilave e pengon konkurrencën e padëshiruar të mirëbërësve të Ballkanit.

Derisa BE-ja synon të zotërojë me Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali të Zi, Maqedoni, Kosovë, Serbi), me certifikatë të mbrojtësit ekskluziv të interesave të tij, rajonit me gjithë zemër si mirëbërës i rekomandohet edhe Rusia, edhe pse Turqia, si dhe BE-ja, tashmë janë inauguruar fort mirë në atë rol në këtë rajon.

Interesi i përtëritur dhe i përforcuar i BE-së për Ballkanin është përpjekje panikuese, që – krahas Turqisë – të pengohet edhe depërtimi i Rusisë, e cila ka një histori relativisht të gjatë pranie aktive dhe ndikimi, e cila assesi nuk është për t’u nënçmuar. Në frymën e asaj politike të njëjtë posesive, të maskuar në filantropi politike, liderët e vendeve udhëheqëse të BE-së e largojnë Ballkanin nga të gjithë mirëbërësit tjerë potencialë.

Duke folur muajin e kaluar në Parlamentin francez, Presidenti i Francës, Emanuel Makron (Emmanuel Macron) e vuri Rusinë dhe Turqinë në të njëjtin kosh si furacakë, të cilëve Ballkani duhet t’ua kthejë shpinën dhe t’u dorëzohet tërësisht mirëbërësve nga BE-ja, duke theksuar (se): “Me asnjë çmim BE-ja dhe, veçmas, Franca, nuk duan të shohin se si Ballkani kthehet as kah Turqia, as kah Rusia”. Pas kësaj Ankaraja ka protestuar ashpër, ndërkohë që ka pasuar edhe reagimi i vetë Presidentit Rexhep Taip Erdoan. Ishte edhe e pritur: protesta e Turqisë për çdo rast ishte e mbështetur mbi argumente më serioze sesa alarmi i Makronit. Në të vërtetë, më shumë se pesë shekuj Ballkani ka qenë pjesë integrale e Perandorisë Osmane, me ç’rast plot tre shekuj pikërisht Ballkani ka paraqitur rajonin më prosperues dhe më paqësor në tërë Evropën, periudhë kjo e njohur si Pax Ottomanica. Mbi këtë bazë, lidhjet e Ballkanit me Turqinë e sotme dhe anasjelltas, janë reale, e jo virtuale; kulturore, e jo vetëm politike; mbështetur mbi emocione, e jo vetëm mbi motive pragmatike. Në këtë kontekst, për Turqinë Ballkani është, nëse mund të thuhet ashtu, sfera natyrore e interesit, edhe pse, patjetër, kjo nuk nënkupton edhe të drejtën që të paraqitet në mënyrë paternaliste.

Edhe pse në 15 vitet e kaluara Turqia bëri përpjekje të mëdha dhe investonte shuma të konsiderueshme në mbështetje të qëllimeve ekonomike, kulturore dhe arsimore, duke e forcuar rolin e vet të aktorit të rëndësishëm në Ballkan, vështirë është të thuhet se ato përpjekje më shumë e forcojnë pozitën e Turqisë në Ballkan apo më shumë i leverdis BE-së që më lehtë ta realizojë agjendën e vet për instalimin e kontrollit të plotë dhe ekskluziv në Ballkan.

Përkundrejt revoltit të hapur të BE-së ndaj angazhimit të Turqisë në rajonin e Ballkanit, Ankaraja zyrtare jo vetëm që nuk hidhërohet, porse thekson se qëllimet e saj koincidojnë me ato të BE-së. “Turqia nuk është Rusi. Turqia nuk ka kurrfarë synimi që t’i largojë vendet e Ballkanit Perëndimor prej integrimeve në BE – pikërisht e kundërta është e vërteta!”, thekson Sinan Ylgen (Sinan Ülgen), diplomat i mëparshëm dhe profesor në Karnexhi Evropa (Carnegie Europe). Në më shumë deklarime, diplomatët turq kanë theksuar se nuk e kanë të qartë se përse politikanët e BE-së hidhërohen kundër pranisë së Turqisë në Ballkan. “Ne ngulmojmë të vendosim raporte më të mira me të gjitha shtetet e Ballkanit, me ç’rast pa kusht i mbështesim në aspiratat e tyre që të bëhen anëtare të BE-së!”, – ka theksuar një diplomat i lartë turk, që deshi të mbetet anonim.

Ndërkohë, Turqia vazhdon me strategjinë e vet të afrimit me shtetet e Ballkanit dhe rritjen e ndikimit të vet. Për ilustrim, përderisa shkëmbimi i përgjithshëm tregtar me vendet e Ballkanit në vitin 2002 ishte 435 milionë $, në vitin 2016 ai ka arritur në 3 miliardë $! Sado që të jetë impresive, kjo rritje megjithatë është një thërrime në krahasim me mbi 145 miliardë euro, sa llogaritet shkëmbimi me vendet e BE-së.

Nëse përjashtohet përplasja e Turqisë zyrtare me imamin Fetulla Gylen (Fethullah Gülen), i akuzuar për grusht shtetin e vitit 2016, për çka qeveria e Erdoanit bëri presion ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i mbyllin institucionet arsimore legalisht të hapura, të financuara nga organizata e Gylenit, të gjitha argumentet i shkojnë kontributit të suksesit të Turqisë në Ballkan dhe dëshirës së tyre të sinqertë për të ndihmuar në stabilizimin, demokratizimin dhe prosperimin e këtij gadishulli evropian, ndoshta më të rëndësishëm.

Në këtë kontekst, është krejtësisht i kuptueshëm dhe i arsyeshëm insistimi permanent i Turqisë që të mbështeten të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në aspiratat e tyre për anëtarësim në BE. Moment të rëndësishëm paraqet edhe fakti që, për dallim nga Moska, Turqia këtyre shteteve nuk u ofron kurrfarë alternative tjetër për ndonjë farë “modeli politik konkurrent”, as që i konfronton me BE-në. Këtë e vërteton edhe fakti që vendet që janë të afërta me Turqinë në asnjë moment nuk i relativizuan aspiratat për anëtarësim në BE. Në lidhje me anëtarësimin në NATO, mjafton të kihet parasysh se tashmë një kohë të gjatë edhe Turqia është anëtare e NATO-s dhe se jo vetëm që e shpreh kënaqësinë e vet të madhe pas pranimit të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, por edhe u dha mbështetje të fortë në procesin e inkuadrimit.

Dëshmi konkrete paraqet edhe deklarata e ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhënë para një muaji në Bruksel, ku ai e theksoi vendosmërinë e Shqipërisë që të inkuadrohet drejt BE-së dhe se në atë proces vendi i tij ka mbështetje të fortë nga Turqia: “Për ne, nuk ka alternativë për anëtarësimin në BE. Kuptohet, kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë. Edhe krahas asaj që në disa çështje midis nesh ka dallime, ato aspak nuk reflektohen ndaj mbështetjes dhe ndihmës vetëmohuese që na e ofron Turqia.”.

Sidoqoftë, duken krejtësisht të arsyeshme vlerësimet e analistëve që këmbëngulja e BE-së për ta kufizuar praninë e Turqisë dhe për ta ulur ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit, nuk ka shanse të ketë sukses, duke marrë parasysh trashëgiminë historike nga prania ndër shekuj e Turqisë në këtë pjesë të Evropës. Duke e komentuar statusin e Turqisë në Ballkan, Sinan Ylgeni e krahason me atë të Mbretërisë së Bashkuar në vendet e Komonuelltit (Commonwealth), ndaj të cilit, kuptohet, askush nuk ka kurrfarë vërejtjesh.

“BE patjetër ta pranojë këtë status dhe t’i përshtatet realitetit, i cili dëshmon se ndikimi i Turqisë në Ballkan thjesht nuk mund të pengohet. Qasja e tyre realistike patjetër do të duhet të jetë: “E pranojmë ndikimin e Turqisë dhe, në pajtim me këtë, na mbetet që të bashkëpunojmë në realizimin e qëllimit të përbashkët!

Edhe pse një kohë të gjatë sistematikisht ishin të shtypura, lidhjet e afërta kulturore, historike dhe shpirtërore të Turqisë me Ballkanin e bëjnë Turqinë aleat dhe partner të natyrshëm të tërë Ballkanit. Inkurajon fakti që afërsia dhe marrëdhëniet e mira të Turqisë me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, si dhe me Maqedoninë, ku ka një popullsi dominuese, përkatësisht të konsiderueshme, myslimane, ka të bëjë edhe me Serbinë, ku deri vonë kishte një disponim të hapur antiturk, kjo si rezultat i sforcimit sistematik si program shtetëror.

Pikërisht kjo hapje e përgjithshme për bashkëpunim me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe mbështetja për anëtarësimin e tyre në BE, sot e promovon Turqinë në faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm të stabilitetit, të paqes dhe, në tërësi, të prosperitetit në Ballkan./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne