Zero standard/ Kundër Berishës, pro Ballukut, gjyqtarët kushtetues që ndryshuan votën sipas emrit mbi dosje

Gjykata Kushtetuese tregoi me rastin e “Belinda Ballukut” se nuk e ka aspak problem që ta bëjë “të zezën të bardhë” dhe “të bardhën të zezë”, në varësi të emrit që i vendoset në tavolinë.

Vendimi për kalimin në shqyrtim të ankimit të kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zëvendëses së tij nga Gjykata e Posaçme, e shoqëruar me verdiktin që Balluku të rikthehet në zyrë, vjen tërësisht në të kundërt të asaj që, e njëjta trupë gjyqësore, vendosi më herët për rastin “Sali Berisha”.

Në një votim të ndarë 5-3, Kushtetuesja votoi në favor të dyshes “Rama-Balluku”. Ndër pesë gjyqtarët që votuan për këtë variant, plot 4 prej tyre kanë ndryshuar tërësisht qëndrimin, krahasuar me çështjen e Berishës.

Pro rikthimit në detyrë të Ballukut votuan gjyqtarët: Fiona Papajorgji, Marjana Semini, Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci.

Nga kjo pesëshe gjyqtarësh, vetëm Sonila Bejtja rezulton që ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në rastin “Berisha”, duke mbështetur qëndrimin se të dy rastet duhet të shqyrtoheshin në themel. Ndërsa katër të tjerët kanë votuar kundër “Berishës” në dhjetor të vitit 2023 dhe pro “Ballukut” në dhjetor 2025, përballë një situate që ishte tërësisht e njëjta.

Paralelet mes rasteve “Berisha” e “Balluku”

Ndërmjet rastit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe zv.kryeministres e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka shumë vija paralele.

Të dy kanë mandatin e deputetit. Të dy, në kohë të ndryshme, janë përballur me vendimet e Gjykatës së Posaçme për “pezullim nga detyra” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Kundër masës ndaj të dyve, si Berishës, ashtu edhe Ballukut, është dorëzuar ankim në Gjykatën Kushtetuese nga subjekte që janë të legjitimuar të vënë në lëvizje atë gjykatë.

Për Berishën, u investua një e pesta e deputetëve, ndërsa për Ballukun, kryeministri.

Në Tetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) vendosi masat e sigurimit për deputetin Sali Berisha.

Një e pesta e deputetëve e ankimoi këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e saj, pasi nuk ishte marrë më parë autorizimi nga Parlamenti.

Gjykata Kushtetuese, me vendimin 273, dt. 20.12.2023, vendosi “moskalimin e çështjes në seancë plenare”, pas një votim 8-1. Ky vendim u miratua me votat e gjyqtarëve Holta Zaçaj (kryetare), Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Sandër Beci, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marjana Semini dhe Fiona Papajorgji.

Ata vendosën që një e pesta e deputetëve, megjithëse është përcaktuar si subjekt kushtetues, nuk legjitimohej të vinte në lëvizje Gjykatën Kushtetueses.

Në grupin e shumicës është edhe gjyqtarja Sonila Bejtja. Kjo e fundit i ka qëndruar të njëjtit standard që ka mbajtur edhe në çështjen e kryedemokratit, Sali Berisha. Në vlerësimin e saj, të dyja dosjet do të duhej që të merreshin në shqyrtim në themel. Katër gjyqtarët e tjerë, të cilët më herët, në dhjetor të vitit 2023, kanë votuar për moskalimin e çështjes “Berisha” në themel, tashmë kanë ndryshuar tërësisht qëndrimin e tyre, duke vendosur që ankimi i Edi Ramës për zëvendësen e tij, të kaloj në shqyrtim.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese u përball me një situatë tërësisht të ngjashme. Kryeministri Rama ka bazuar ankimin e tij për Ballukun, duke u mbështetur në të njëjtin parashikim kushtetues që përdori një e pesta e deputetëve për t’u ankuar për Berishën.

Logjikisht, Gjykata Kushtetuese duhet të mbante të njëjtin qëndrim, pasi roli, pozita dhe funksionaliteti i saj është pikërisht vendosj dhe mbrojtja me rigorozitet maksimal të standardeve të saj dhe të themeleve të Shtetit.

“Çështja Balluku” u shqyrtua thuajse nga të njëjtët gjyqtarë që trajtuan edhe kërkesën e një të pestës së deputetëve për “rastin Berisha”.

Por, përballë emrit të zv.kryeministres dhe “investimit” tërësisht personal të kryeministrit, trupa gjykuese kushtetuese mori një kthesë thuajse 180 gradë. Shumica prej tyre i pozicionuan velat nga frynte era e Edi Ramës, duke ndryshuar tërësisht qasje, në mungesë totale të skrupujve.

Për kronikë, dy gjyqtarë të tjerë, Marsida Xhaferllari dhe Ilir Toska nuk ndryshuan qasje-ata ishin kundër në “rastin Berisha” dhe kundër edhe në rastin “Balluku”, duke votuar që këto çështje nuk e meritojnë të shqyrtohen në themel. Kësaj dysheje iu bashkua në qëndrim edhe gjyqtari më i ri kushtetues, Asim Vokshi, i cili nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes për rastin “Berisha”./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne