Rajoni

Zëvendësohen deputetët që u bënë ministra në Qeverinë e Kosovës

Njëmbëdhjetë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë marrë përgjegjësi të reja duke u ngarkuar me poste ministrore e qeveritare në Qeverinë e Kosovës, janë zëvendësuar nga deputetë të rinj.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila ishte me përbërje të re pas betimit të anëtarëve tek presidenti, KQZ miratoi rekomandimin për presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me kandidatët e radhës për deputetë të Kuvendit të Kosovës që do të zëvendësojnë deputetët e deritashëm, sipas listave të subjekteve politike përkatëse.

Ata që u propozuan për t’u zëvendësuar nga Lëvizja Vetëvnedosje, janë pesë kandidatë, po aq sa janë nga radhët e LDK-së, dhe një nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka), emrat e të cilëve i ka bërë publike kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Daka duke cituar ligjin tha se “një anëtar i Kuvendit të Kosovës, mandati i të cilit përfundon, zëvendësohet nga kandidati i ligjshëm në radhë i të së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave të listës”.

“Deputetët e radhës sipas rekomandimit tonë nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë: Enver Haliti, Alban Hyseni, Arta Bajralia, Fitim Haziri, Eman Rrahman. Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë: Hatim Baxhaku, Fidan Rekaliu, Xhavit Uku, Besa Gaxherri dhe Shkumbin Gashi. Nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka) është Zikreta Aliti. Pra, këta janë 11 deputetët e radhës që do ta marrin detyrën e deputetit”, tha Daka.

Ish-deputetët të cilët kanë lëshuar karrigen e tyre në Kuvend nga radhët e Vetëvendosjes janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe Haki Abazi.

Nga LDK-ja, ata të cilët kanë marrë poste ministrore dhe janë zëvendësuar nga të tjerë janë: Hatim Baxhaku, Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Besian Mustafa.

Gjithashtu nga Partia e Re Demokratike me post ministror është ngarkuar Emilija Redzepi, që i ka lëshuar pozitën e deputetit një tjetër deputeteje nga partia e saj.

Daka u kundërshtua nga anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, për pamundësinë e zëvendësimit të një ish-deputete femër me një deputet mashkull, apo anasjelltas. Por, për këtë çështje, ajo tha se kushdo që mendon se kjo pjesë e ligjit është gabim, duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni Qendror i zgjedhjeve vendosi që të mbajë mbledhjen tjetër për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars./AA

Etiketa

OPINIONE