Zgjedhje pa studentë në kohë pandemie/ Universiteti i Tiranës hap garën për Rektor e anëtarë senati (VENDIMI)

Në një kohë kur mësimi nëpër auditorët e fakulteteve në Tiranë dhe jo vetëm, është pezulluar dhe po zhvillohet online për shkak të pandemisë së COVID-19, në Universitetin e Tiranës është hapur gara për rektor.

Përmes një shkrese të siguruar nga ‘BalkanWeb’, shihet se në datë 4 prill kanë nisur edhe aplikimet për rektorin dhe anëtarët e senatit, pavarësisht se Universiteti është i mbyllur dhe aktualisht nuk ka asnjë studentë.

Ndërkohë që në vendimin e firmosur nga 7 anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në UT, përcaktohet qartë se faza e dorëzimit të aplikimeve mbyllet në datën 8 maj. Kujtojmë se rektor i Universitetit të Tiranës është Mynyr Koni, ku mandati i të cilit skadon në maj.

foto galeri

Duke marrë shkas nga situata e krijuar, zgjedhjet me fushatë prapavepruese do të zhvillohen pa studentë, të cilët kishin të drejtën e votës, për të votuar si për rektorin, por edhe për senatin.

ÇFARË THA MINISTRJA BESA SHAHINI PËR ZGJEDHJET NË UNIVERSITETE
Në një dalje publike më 14 janar të këtij viti, ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se fushata për zgjedhjet në universitete do të niste sipas rregullores një muaj përpara.

“Në maj, skadon mandati i drejtuesve të Universiteteve publike. Para pak kam firmosur urdhrin për datën e zgjedhjeve për të gjitha strukturat e reja drejtuese dhe është data 8 maj 2020. Fushata fillon 30 ditë para, pra në datën 9 prill. Universitetet janë të detyruara të publikojnë dy muaj, pra 60 ditë para rregulloren”- u shpreh Shahini, ndërsa garantoi se procesi do të ishte i mirë.

Ajo u shpreh në atë kohë se zgjedhjet në universitetet publike duhet të prodhonin drejtues të ri, në mënyrë që situata të mos jetë e bllokuar.

“Unë kam ende shpresë, sepse besoj se zgjedhjet 2020 do të prodhojnë udhëheqës që punojnë për të mirën Universitetit të Tiranës, dhe kjo është tani në duar të pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës. Ajo që na mësoi protesta e studentëve të dhjetorit 2018, është se kur ka vullnet të fortë dhe organizim të mirë politikat edhe ndryshojnë. Ne si qeveri, për shkak të energjisë që morëm nga kjo protestë, arritëm të zbatojmë pak a shumë të gjitha pikat e “Paktit të Universitetit”. deklaroi Shahini në janar./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne