Me zgjedhje të Myftiut duhet nënkuptuar afrim me besimtarët dhe jo anasjelltas!

Shkruna: Ridvan Kurtishi, Gjermani

Ndonëse fizikisht jam larg vendlindjes dhe Shkupit tim, asnjëherë nuk më mungon kujdesi, gëzimi por edhe shqetësimi për gjithçka që ndodh dhe lidhet me qytetin e Shkupit, kryeqendrën tonë.

Shqetësimi im i fundit për besimtarët musliman në vendlindjen time është përfolja se pas pensionimit të muftiut të deritanishëm Rexhep ef. Jusufi, në krye të kësaj Myftinije do të vjen një personalitet i cili për shumë çka nuk përkon me interesat e besimtarëve musliman atje.

Duke mos dashur të merrem me thashethemet që lidhen me te, pasiqë konsideroj që etika ime e hoxhës nuk më lejon të merrem me gjëra të tilla, unë do të përqëndrohem në disa elemente apo parime tjera që duhet të përkojnë me realitetin atje:

1. Udhëheqësit e BFI-së duhet të jenë të vetëjishmë që myftitë nuk duhet të zgjidhen me diktate nga askush jashtë këtij organi më të lartë fetar Islam.

2. Titulli Myfti i Shkupit, nënkupton një organi më i lartë fetar i këtij qyteti i cili duhet të jetë i pajisur me dituri të mjaftueshme fetare, por para se ghithash duhet të mos ketë asnjë njollë morale apo skandal në karierën e tij deri në ditën e kandidimit të tij për këtë post të lartë fetar.

3. Myftiu i Shkupit duhet që në jetën e tij të deritanishme të ketë qenë në vazhdimësi me aktivitete fetare islame, i kujdesshëm dhe i lidhur me të gjithë besimtarët musliman njësoj pa dallim prej përkatësisë së tyre kombëtare. Kjo duhet pasiqë myftiu do të jetë në kontakt të pandashëm me besimtarët musliman dhe hallet e tyre.

4. Myftiu i Shkupit duhet të ketë pjekurinë e nevojshme për të qenë i denjë drejt një përballimi shpirtëror me të gjitha nevojat fetare të këtij qyteti.

5. Myftiu i Shkupit duhet të ketë qenë në vazhdimësi pranë besimtarëve musliman të Shkupit dhe të ketë qenë në rrjedha me të gjitha hallet dhe nevojat e tyre fetare dhe njerëzore.

6. Myftiu i Shkupit nuk duhet të ketë prapa vetes asnjë thashetheme apo dyshim nga e kaluara e tij, pasiqë vendimi i tij fetar nuk do të kishte fare peshë te ata që edhe duhet të shkojnë këto vendime, te besimtarët musliman.

7. Myftiu i Shkupit nuk duhet që në të kaluarën të kishte shfaqur paragjykime diskriminuese dhe të kishte dhënë deklarata të pamatura që do të nxisnin përçarje në kuadër të dallimeve fetare që dominojnë në kuadër të besimtarëve musliman në këtë qytet. Kjo pasiqë me vet zgjedhjen e tij, me automatizëm ai do të kishte krijuar kundërshtarë grupe të caktuara të dallimeve fetare në kuadër të besimtarëve musliman të qytetit dhe do të kishte qenë I papranueshëm për to..

8. Myftiu i Shkupit nuk duhet që në të kaluarën e tij të kishte dhënë deklarata që bien ndesh me parimet thelbësore Islame, apo të kishte përkrahur qëndrime islamofobe nga asnjë personalitet publik, qëndrime të cilat e dëmtojnë kredibilitetin fetar të besimtarëve musliman në përgjithësi.

Këto janë parimet apo kriteret me të cilat duhet zgjedhur Myftiu i Shkupit tim (në esencë të gjithë myftitë duhet zgjedhur sipas këtyre kritereve) dhe shpresoj që udhëheqësit e BFI-së nuk do të gabojnë që në krye të Myftinisë së Shkupit të sjellin dikend i cili do ti kishtë thyer të gjitha parimet e lartëpërmendura.

Në të kundërtën nëse rastësisht ndodh që të zgjedhet personi i cili edhe do t’i kishte thyer të gjitha këto parime, atëherë pasojat e një zgjedhje të tillë do të kishin qenë të pariparueshme jo vetëm për besimtarët musliman të Shkupit, por edhe për udhëheqësit fetar të BFI-së.

Kjo zgjedhje (që shpresoj që s’do të ndodh fare) nuk do të kishte mundësuar zgjidhjen e halleve dhe afrimin e besimtarëve musliman me Bashkësinë fetare Islame, por përkundrazi, do të kishte krijuar ftohje dhe largim të besimtarëve musliman nga institucioni më i madh fetar Islam në vend dhe do ta kishte afirmuar apo promovuar islamofobinë edhe në kuadër të BFI-së.

Me respekt
Ridvan Kurtishi, imam në Bashkësinë Islame Shqiptare Ludwigshafen, Gjermani

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne