Zgjedhjet e New York/ Kush është myslimani socialist që po sfidon Trumpin

Nëse fiton zgjedhjet bashkiake të 4 nëntorit, kandidati demokrat mund të bëhet emigranti i parë, myslimani i parë dhe kryebashkiaku më i ri i “Mollës së Madhe” (Big Apple). Fitorja e tij do të ishte një shuplakë për Trumpin.

Nga Sarah Halifa-Legrand, korrespondente e “Nuvel Obs” në Uashington

“Një komunist 100% i çmendur”, sipas Donald Trumpit. “Marksist dhe xhihadist”, nëse i beson ish-këshilltarit të presidentit amerikan, Steve Bannon. “Anarko-socialist”, sipas zv/shefit të kabinetit të tij, Stephen Miller. Kjo tregon sa pak dashuri ka administrata trumpiste për Zohran Mamdanin, fenomenin e ri politik të Nju Jorkut.

Vetëm disa muaj më parë, askush nuk e njihte se cili qe ai. Tani mjekra e tij e zezë, buzëqeshja e stampuar mbi fytyrë dhe tre llojet e kravatave — me vija, me pika dhe e kuqe — që i ndërron rregullisht, janë bërë familjare për të gjithë. Fitorja surprizë më 24 qershor, në primaret demokrate për bashkinë e Nju Jorkut, ndryshoi gjithçka.
Sot është e pamundur t’i shpëtosh fytyrës së tij të ngjitur nëpër qytet. Demokrati i ri 34-vjeçar, socialist dhe mysliman, amerikan dhe ugandez, këshilltar për parandalimin e sekuestrimeve të pronave në Queens dhe deputet i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, duket gati për të fituar në zgjedhjet 4 nëntorit për bashkinë. Ai prin ndjeshëm ndaj ish-guvernatorit Andreë Cuomo, që mbeti në garë pavarësisht humbjes në primaret e demokratëve, dhe republikanit Curtis Sliwa, themelues i patrullave qytetare “Guardian Angels” kundër krimit.

Për Nju Jorkun, t’i japë këtë të martë fitoren Mamdanit do të thotë të shpallë luftë ndaj Trumpit, i fiksuar pas gjithçkaje që ka lidhje me qytetin e tij të lindjes. Rinia e kandidatit, feja, origjina, idetë e tij radikale — gjithçka që ai përfaqëson — përbën të kundërtën e trumpizmit.

Karizmë oratorike

Në një kafene jemenite, selia e tij në Astoria të Queens-it, aty ku jeton, ai ka hartuar planin e fushatës. “Mamdani krijoi një koalicion, bazuar në jetën e tij dhe bindjet e veta, nga myslimanë, aziatikë jugorë, qiramarrës, të rinj dhe progresistë,” shkruan The New York Times.

Jeta e tij është ajo e një fëmije me origjinë indiane, lindur në Ugandë, që mbërriti në Nju Jork në moshën 7-vjeçare. Babai i tij, Mahmood Mamdani, është profesor i njohur antropologjie dhe shkencash politike në Universitetin Columbia. Nëna e tij, Mira Nair, është një regjisore e njohur, autorja e filmit Salaam Bombay!, dalë në kinema në vitin 1988. Në shtëpi, me prindër një të angazhuar në politikë, dhe një tjetër në art, Zohran Mamdani ka mësuar ta vërë karizmën e tij në shërbim të ideve, tërësisht të majta.

Angazhimi i tij afatgjatë për Palestinën mund të largojë një pjesë të elektoratit hebre të Nju Jorkut? S’ka rëndësi. Ai përdor slogane si “Globalize the Intifada” (“Ndërkombëtarizo Intifadën”) si një apel “të dëshpëruar”për të drejtat e palestinezëve dhe premton se do të zbatojë urdhrin e arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Benjamin Netanyahut, nëse ku i fundit shkel në Nju Jorkut.

Por në çështje të tjera, ai di të lëshojë pe. Nëse pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, në vitin 2020, ai mbështeti heqjen e fondeve për policinë (“defund the police”); sot, përkundrazi, ai i kërkon falje departamentit të policisë së Nju Jorkut (NYPD). Mamdani di të jetë “i zgjuar”, siç e pranon edhe vetë Trump. Që nga fitorja e tij në primare, socialisti radikal është bërë më pragmatik. Parimi i tij: të zgjatë dorën, të dëgjojë dhe të kuptojë.

“Ai ka ditur të dëgjojë kritikët e tij, sidomos disa të pasur të Nju Jorkut dhe disa aktivistë pro-izraelitë,” shkruan The New York Times. Në fund, ai që mendon se “miliarderët nuk duhet të ekzistojnë”, është i gatshëm të pranojë kompromis për projektin e tij të taksës mbi milionerët. Dhe është gati të ruaj të paprekur në postin që mban, kryepolicin e qytetit që dikur donte ta shkarkonte.

Disa biznesmenë, ndoshta të tembur kanë filluar të kthejnë mendje. “Çfarë po ndodh me ta,” pyet me ironi Jamie Dimon, drejtori i JPMorgan Chase. Miliarderi Michael Bloomberg, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut që kishte investuar 8 milionë dollarë kundër Mamdanit, tani e quan “të paepur”. Por ka dhe të tjerë që vazhdojnë ti vënë pengesa: menaxheri i fondeve spekulative Bill Ackman ka shpenzuar miliona për të penguar marshimin drejt bashkisë.

Në themel të fushatës së tij, kandidati socialist nuk lëviz nga premtimet kryesore: kujdes falas për fëmijët, transport publik falas, ngrirje e qirave (me rritje vjetore 4%), rritje page minimale në 30 dollarë, dyqane ushqimore publike dhe rritje taksash për kompanitë dhe të pasurit. Lufta e tij është të “bëjë jetesën të përballueshme për të gjithë”, në një qytet ku çmimet janë bërë të paarritshme për banorët. Që në vitin 2021, ai kishte ndërrmarrë një grevë urie në mbështetje të drejtuesve të taksive të zhytur në borxhe.

Një ikonë e re

“Është figura më e ndritshme e Partisë Demokrate,” thotë me admirim Robert Reich, ish-ministër i Punës nën Bill Clinton dhe vetë një ikonë e së majtës. Një valë e re e së majtës pas Bernie Sanders dhe kongresmenes së Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez. Një fytyrë e re që frymëzon shpresë, me metoda dhe ide të menduara që nga fushata e vitit 2024.

Mamdani propozon një rrugë ideologjike të re e të qëndrueshme: ai mishëron revoltën e brezit të ri kundër elitave dhe Trumpit dhe e riformulon të majtën përmes kodeve moderne, shpesh përmes videove virale. “Vajza ime 17-vjeçare më pyet çdo javë: ‘A ka bërë ndonjë video të re Zohran Mamdani?’”, tregon Robert Reich.

Shtatë për qind e votuesve në primaret e Nju Jorkut ishin regjistruar për herë të parë — pesë pikë më shumë se katër vite më parë.

Megjithatë, të moderuarit janë ende skeptikë. Hakeem Jeffries, përfaqësues demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, nuk është dorëzuar. Barack Obama dhe Kamala Harris nuk janë shprehur ende publikisht. Hillary Clinton mbështet ende kundërshtarin Andreë Cuomo. “E mendoj se populizmi ekonomik që ai predikon — në thelb, qasja ndaj përballueshmërisë së jetesës — është ajo që i bën demokratët të duken të afërt me njerëzit,” thotë ish-këshilltari i Clintonit, Doug Sosnik.

Por Mamdani nuk do të kufizohet në Nju Jork: “Ka një valë të re socialiste demokratike që ka lindur në Shtetet e Bashkuara — nga Minneapolis në Queens — dhe ai është pjesë e saj,” vëren Norman Solomon, ish-aleat i Bernie Sanders.

A do të mundet Zohran Mamdani ta udhëheqë këtë valë të majtë, ndonëse, ngaqë nuk ka lindur në SHBA, ai s’mund të kandidojë kurrë për president?

Trump, nga ana e tij, nuk humbet rastin ta sulmojë duke kërcënuar se do “të ndalojë fondet federale për Nju Jorkun”. “Ai do të ketë probleme me ëashingtonin më shumë se ç’do kryebashkiak tjetër, nuk di për çfarë do të votojnë njerëzit për të,” thotë ai me ironi para mbështetësve të tij. Dhe përfundon: “Për të penguar sulmin ndaj qytetit tonë, vlerave dhe stilit tonë të jetesës, mënyra më e mirë për t’u përgjigjur është të luftojmë.”

Sarah Halifa-Legrand, korrespondente e “Nuvel Obs” në Uashington, pergatiti T.Çela, Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne