Zgjedhjet e Panuccit, jashtë liste “i paedukuari” Taulant Xhaka

Christian Panucci do të nisë zyrtarisht aventurën e tij në stolin e skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë me datë 28 Gusht, pikërisht dita kur trajneri i emëruar rishtazi në drejtimin e kombëtares kuqezi do të zbulojë përpara mediave listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidat ndaj Lichtensteinit më 2 Shtator dhe ndaj Maqedonisë më datë 5.

Tekniku nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha në listën e lojtarëve në krahasim me paraardhësin e tij Gianni de Biasin, megjithatë një afrim i ri do të konkretizohet. Fjala është për Hysen Memollën. 25 vjeçari i lindur në Kavajë por i emigruar që i vogël në Itali po zhvillon paraqitje mjaft të mira me Hajdukun e Splitit, ç’ka e tregoi edhe në Ligën e Europës kundër Evertonit. Performanca e mbrojtësit të majtë është vlerësuar edhe nga Panucci i cili ka përgatitur ftesën për të.

Ndërkohë do të vijojë të qëndrojë jashtë Taulant Xhaka. Mesfushori i Baselit nuk po paguan vetëm largimin demostrativ pas ndeshjes me Italinë, por edhe mungesën e respektit kundrejt Panuccit në momentin kur ky i fundit kërkoi ta takonte pas një ndeshjeje të Baselit. Në atë rast Xhaka nuk u paraqit në takim duke injoruar trajnerin e kombëtares dhe bashkëpunëtorët e tij. Përsa i përket kuadratit të portës, natyrisht emrat dihen Strakosha, Berisha e Hoxha, dyshimi mbetet në lidhje me formacionin titullar. Tekniku ende nuk ka vendosur nëse do ti besojë portierit 22 vjeçar apo gardianit të Atalanatës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne