ZGJEDHJET LOKALE/ KQZ injoron dekretin e METËS, 30 qershori mbetet i pandryshuar

30 qershori do të mbetet i pandryshuar.

Është ky vendimi që u mor sot në mbledhjen e KQZ drejtuar nga Denar Biba, pasi kryetari Klement Zguri braktisi gjithçka që në krye të herës. Akti administrativ i Presidentit është cilësuar si i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm. Anëtarët e KQZ argumentojnë se KQZ nuk ka çfarë të shqyrtojë aq kohë sa nuk ka përpara një tjetër datë zgjedhjesh.

Kësisoj shfuqëzimi i dekretit të Metës, është nul dhe 30 qershori vijon të mbetet data zyrtare e zgjedhjeve lokale. Pas kësaj, 4 anëtarët e propozuar nga PS vazhduan punën me rendin e ditës për zhvillimin e zgjedhjeve sikur asgjë mos kishte ndodhur. Ata u shprehën se ndërkaq, janë bërë shpenzime të mëdha për zgjedhjet dhe injoruan tërësisht vendimin e Metës i cili shfuqëzoi dekretin e tij.

“Vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve Presidenti ka vendosur shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve në 30 qershor. Ky dekret i dytë që shfuqizon dekretin e nëntorit, është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm. Presidenti ka të drejtë të dekretojë vetëm një datë, por jo të shkojë ashtu siç bëri sot, të anullojë zgjedhjet pa një datë tjetër zgjedhjesh. Kompetencat janë të përcaktuara me ligj, ushtrimi i tyre është i detyrueshëm. Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ekziston. Unë vlerësoj që KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor, në mënyrë sikur kushtetuta e kërkon që zgjedhjet të zhvillohen në 4 vjet jo në 5 apo 6 si dëshiron një tjetër”, u shpreh zv.kryetari Denar Biba në mbledhje.

Orët në vazhdim do të jenë vendimtare sikurse dhe çdo lëvizje që do bëjnë aktorët politikë që e kanë futur vendin në një krizë të thellë./newsbomb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne