Zgjedhjet për Stambollin: Fiton Ekrem Imamoglu me 54,03 për qind të votave

Banorët e Stambollit votuan të dielën (23 qershor) për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë Metropolitane për pesë vitet e ardhshme.

Pas përfundimit të procesit të votimit në orën 17:00 sipas kohës lokale të Turqisë, komisionet zgjedhore i kanë numëruar pothuajse të gjitha votat.

Sipas rezultateve paraprake, kandidati Binali Yildirim i Aleancës Popullore të formuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) ka marrë 45,09 për qind të votave, ndërsa kandidati Ekrem Imamoglu i Aleancës Kombëtare të formuar nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia IYI ka siguruar 54,03 për qind të votave.

Pas ankesave të paraqitura nga AK Partia në lidhje me zgjedhjet e mbajtura më 31 mars, Këshilli i Lartë Zgjedhor vendosi më 6 maj që “të përsëriten zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe të anulohet mandati i kandidatit të CHP-së, Ekrem Imamoglu”.

Në bazë të këtij vendimi, qytetarët e Stambollit iu drejtuan sërish kutive të votimit më datë 23 qershor.

Krahas dy kandidatëve kryesorë – Yildirim dhe Imamoglu, në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Stambollit garuan gjithashtu kandidati i Partisë Lumturia (SP), Necdet Gokçinar dhe kandidati i Partisë Vatan (VP), Mustafa Ilker Yucel./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne