Një vulë mbi 400-vjeçare, me rëndësi historike, është “zhdukur” në rrethana të mistershme nga zyrat e Arkivës së Shtetit, në Tiranë.
Objekti është cilësuar me rëndësi të veçantë historike dhe i përket një fermani të Manastirit të Kamenës, që ndodhet mes Delvinës dhe fshatit Kakodhiq. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se ngjarja është referuar si vjedhje nga Policia e Tiranës disa ditë më parë.
Ndërsa denoncimi është bërë nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, në datë 10 maj 2019, ditë kur edhe ai kishte marrë dijeni për mungesën e vulës në vendin e caktuar. Drejtori ka njoftuar Policinë për humbjen e saj, pa saktësuar rrethanat nëse ishte vjedhur nga dikush.
Për këtë ngjarje u është marrë deklarim 15 punonjësve, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ndërsa aktualisht, Prokuroria është në pritje të një akti ekspertimi, pas ekzaminimit që i është bërë fermanit të Manastirit të Kamenës në Drejtorinë e Policisë Shkencore./Panorama