Zimbabve, deri në 20 vite burg për lajme të rreme mbi COVID-19

Presidenti i Zimbabve, Emmerson Mnangagwa, ka paralajmëruar popullin kundër përhapjes së thashethemeve në lidhje me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), duke paralajmëruar se nëse e bëjnë do të përballen me ndëshkim deri në 20 vite burg.

Presidenti Mnangagwa reagoi ndaj një deklarate të supozuar lidhur me një zgjatje të bllokimit mbarëkombëtar.

Mediat lokale raportuan se presidenti duke e cilësuar lajmin si “të pakuptimtë”, tha se kurrë nuk ka dhënë një deklaratë të tillë.

Ai i bëri komentetet gjatë një turneu inspektimi në qytetin qendror Gweru.

“Tani kemi një ligj që ndëshkon ata që prodhojnë lajme të rreme. Pra, nëse e kapim këtë person (që përhap lajme të rreme), ai patjetër duhet të jetë shembull dhe duhet të hyjë brenda të paktën në nivelin 14, që do të thotë 20 vite burgim”, paralajmëroi Mnangagwa.

Ai po i referohej nenit 14 të Instrumentit Ligjor 83 të Shëndetit Publik. Publikimi ose komunikimi i “lajmeve të rreme” gjatë periudhës së bllokimit kombëtar mund të shkaktojë ndëshkim jashtë mase, gjobë të rëndë ose edhe të dyja së bashku.

Më 30 mars, Mnangagwa njoftoi një bllokim 21-ditor, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Të gjithë qytetarët u urdhëruan të qëndrojnë në shtëpi, përveç lëvizjet thelbësore që kanë të bëjnë me shërbimet shëndetësore apo blerjen e ushqimeve.

Deri më tani, autoritetet në Zimbabve kanë konfirmuar tre vdekje dhe 17 raste të virusit COVID-19.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i personave të infektuar nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën 1.9 milionë, me rreth 121 mijë të vdekur dhe rreth 465 mijë të shëruar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne