Bota

Zimbabve, Mugabe përfundon fjalimin televiziv pa dhënë dorëheqje

HARARE  – Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe, bëri paraqitjen e tij të parë televizive që nga ndërhyrja ushtarake natën e së dielës, por megjithë pritjet se ai do të shpallë dorëheqjen e tij, 93-vjeçari në vend të kësaj tha se vendi duhet të “kthehet në normalitet”, raporton Anadolu Agency.

Popullata e Zimbabves e përcolli nga afër adresimin e drejtpërdrejt të Mugabes në televizionin kombëtar, por shumë prej atyre që prisnin që ai të largohej mbetën të zhgënjyer.

Pas ngjarjeve javën e kaluar, miliona njerëz donin të dëgjonin Mugaben duke shpallur dorëheqjen e tij, pas vendimit të partisë së tij ZANU PF për ta larguar atë.

Partia e tij i ka dhënë atij afat deri të hënën për të dhënë dorëheqjen ose të përballet me impiçment.

Në një fjalim të transmetuar në televizion në prani të gjeneralëve të vendit, Mugabe pranoi shqetësimet e ngritura nga ushtria, si dhe nga partia e tij.

Ai kërkoi respektimin e kushtetutës “dhe nevojën për t’i adresuar dallimet në mënyrë miqësore”.

“Unë i njoh shqetësimet e ngritura nga ushtria dhe partia qeverisëse ZANU PF, që erdhën si rezultat i hakmarrjes, por ata nuk duhet ta udhëheqin vendin me hidhërim”, theksoi Mugabe.

Paraqitja e parë televizive u reklamua gjerësisht, por nuk iu përgjigj thirrjes së miliona shtetasve që dolën në rrugë të shtunën për të bërë thirrje për dorëheqjen e Mugabes, i cili e mbaroi fjalimin me fjalët: “Ju falënderoj dhe natën e mirë”.

Të mërkurën e javës së kaluar, ushtria hyri në kryeqytet dhe mori televizionin shtetëror, ndërsa në një komunikatë të lexuar në televizion në orët e mëngjesit, u theksua se ndërhyrja “nuk është grusht shteti”.

 

OPINIONE