Shqiperia

Zjarrfikëset, si u kthyen drejtoritë në zyra për punësim të militantëve partiakë

Mijëra hektarë pyje, shkurre dhe kullota janë shkrumbuar në mbarë vendin në muajin gusht dhe vetëm gjatë 72 orëve të fundit numëroheshin 19 vatra zjarri, ku më i rrezikshmi konsiderohej zjarri i rënë në afërsi të tunelit të Kërrabës, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan.

zjarr helikopter

Flakët kanë përpirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh edhe në zonat e mbrojtura, ndërkohë që punonjësit e emergjencave civile ankohen se punojnë me mjete të papërshtatshme dhe me një personel të patrajnuar e të vogël në numër. Efektivë të Zjarrfikësve, në të shumtën e rasteve janë të detyruar të shkojnë në operacione në zonat që nuk janë nën administrimin e tyre.

Për shkak të terrenit malor dhe prodhimit të vjetër të makinave zjarrfikëse, mjetet në shumë raste i lënë në rrugë, pa arritur destinacionin. Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit thonë se vetëm 17% e territorit pyjor administrohet prej tyre, ndërsa pjesa tjetër prej pushtetit vendor, ndërkohë që gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve kanë konstatuar që shumica e bashkive nuk kanë ngritur drejtoritë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

Me reformën e re administrative, shërbimi i zjarrfikëses është në kompetencë të pushtetit vendore, ndërkohë që situata e rëndë ka bërë që të përfshihen forcat e Ushtrisë dhe efektivë të Policisë së Shtetit.

zjarr

Përgjatë 1 muaji në operacionet e shuarjes së zjarrit janë përfshire mbi 2800 ushtarakë, helikopterë dhe avionë të posaçëm të ardhur nga Greqia. Në mbarë vendin janë regjistruar 87 vatra zjarri, ndërkohë që drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, deklaron se në të shumtën e rasteve zjarrvënia është e qëllimshme.

TIRANA E SHKODRA, MË TË DJEGURAT

Sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh, shkurresh, kullotash janë përpirë nga flakët ndërkohë që institucionet shqiptare nuk deklarojnë shifra përmbledhëse mbi sipërfaqen totale të shkrumbuar. Rasti i parë i zjarrit gjatë këtij sezoni u konstatua 40 ditë më parë në Parkun Kombëtar të Lurës.

Raportimet e Ministrisë së Brendshme janë periodike sa u përket vatrave të zjarrit dhe pasojave të shkaktuara, ndërkohë që Ministria e Mbrojtës ka angazhuar në këtë betejë rreth 40% të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, i tha BIRN se gjendja e zjarreve në vend mund të konsiderohej kritike, por ai shtoi se situata është nën kontroll dhe efektivave të zjarrfikësve u kanë ardhur në ndihme dhe forcat e Ushtrisë, si dhe helikopterë nga vendet fqinje.

Zjarret kanë prekur edhe zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, ku për periudhën janar-korrik 2017, ka pasur 15 raste të rënies së zjarrit dhe mbi 500 hektarë pyje të djegur. Zv.ministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu, i tha BIRN-it se gjendja është kritike dhe se në të shumtën e rasteve zjarrvëniet janë të qëllimshme.

“Nuk duhen përjashtuar edhe rastet aksidentale, por na rezulton se të shumta janë rastet ku kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme”, tha Xhaxhiu.

“Janë barinjtë apo dhe njerëz që, për arsye të ndryshme, u vënë flakën hapësirave të gjelbërua për të përfituar sipërfaqe toke të lirë”, shtoi ai.

Megjithëse Ministria e Mjedisit menaxhon vetëm 17% të territorit pyjor në vend, ku për shkak të zbatimit të reformës administrative territoriale pyjet dhe kullotat i kaluan pushtetit vendor, Xhahiu thotë se gjatë inspektimeve ka konstatuar se një pjesë e mirë e bashkive nuk kanë marrë masa për ngritje të strukturave të mbrojtjes nga zjarri.

“Konstatojmë se në të shumtën e rasteve bashkitë ende nuk kanë ngritur strukturat e tyre të menaxhimit të territorit, apo siç janë edhe drejtoritë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Kjo ka qenë dhe një arsyet pse pasojat e shkaktuara nga vatrat e zjarrit janë më të mëdha”, nënvizoi Xhaxhiu.

Qarqet ku zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore, sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, janë Tirana, ku është djegur një sipërfaqe prej 202.9 hektarësh, Shkodra me 226.1 ha të djegura, Vlora me një sipërfaqe prej 454.6 hektarësh të djegur dhe Gjirokastra me 111.55 hektarë.

Bashkia Tiranë dhe Shkodër nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it mbi masat e marra nga ana e tyre për ndërtimin e stukuarve të mbrojtës së zjarrit. Ndërsa problematika e menaxhimit të strukturave vendore pranohet nga drejtuesit e Zjarrfikësve në Gjirokastër dhe Vlorë.

ZJARRFIKËSET NË ZYRA PUNËSIMI

Më 1 korrik, Policia e Shtetit lajmëroi se 2 hektarë pyje u dogjën në Lurë, në qarkun e Dibrës. Komunikata tregonte se me mjete rrethanore u bë e mundur shuarja e vatrës së zjarrit dhe se Emergjencat Civile në bashkëpunim me strukturat vendore të Mbrojtës nga Zjarri dhe Shpëtimit e kishin situatën nën kontroll.

Në Lurë zjarri u shua me mjete rrethanore, ndërsa në skajin tjetër të Shqipërisë, në Gjirokastër, makina e zjarrfikëses e nisur për ta shuar zjarrin mbeti e prishur rrugës. Në të shumtën e rasteve flota shqiptare e zjarrfikëseve përbëhet nga makina të prodhuara para vitit ‘90 dhe personeli nuk është i trajnuar mirë për ndërhyrjen në rastet e shuarjen e zjarrit apo dhe emergjencave civile.

“Ne si bashki kemi në dispozicion 4 zjarrfikëse e ndodh shumë herë, për shkak të terrenit dhe vitit të prodhimit të tyre, që makina të na lërë në rrugë”, tha drejtori i Policisë së Zjarrfikësve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Gjirokastrës, Kujtim Bizha. Mungesën e personelit, teknologjisë dhe përfshirjen në operacione të bashkive fqinje e pranon dhe Fatmir Numani, i PMNZSH-së në Vlorë.

Me zbatimin e reformës së re territoriale, bashkitë duhet të marrin masa për sigurimin e mbulimit të territorit me shërbim të MZSHsë, duke organizuar dhe ngritur stacione dhe shërbim zjarrfikës, të kompletuar me personel, automjete dhe teknikë zjarrfikëse të gatishmërisë së përhershme.

Por, sipas drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH),që BIRN foli në të shumtën e rasteve, këto drejtori kthehen në zyra punësimi për militantë dhe pak interes tregohet në investimet në teknologji, si zjarrfikëse apo dhe kostume mbrojtëse dhe trajnime të efektivave të zjarrfikëseve. Sipas ligjit, stacionet MZSH-së duhet të jenë në gatishmëri të përhershme dhe çdonjëra prej tyre duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikëse.

Ndërsa një vendim i Këshillit të Ministrave i prillit 2017, me objekt “Për miratimin e listës së bashkive, të cilat do të ngrenë stacione të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi”, kërkon që strukturat e këtij shërbimi të ngrihen pranë çdo bashkie në rang vendi brenda vitit 2018./ BIRN

OPINIONE