ZOTËRI GJOVALIN ÇUNIT PËR NAIM FRASHËRIN

…për shthurjen e sistemit kombëtar arsimor që fshihet pas islamofobisë së Kishës Katolike

ARTUR SHKURTI
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
11 tetor 2026

Në 5 tetor 2026 në statusin e priftit Mark Pashkja, që kishte ndarë njoftimin e Konferencës Ipeshkvnore, pata shkruar një koment që, i nxitur nga përvoja me moskomunikim, ishte ngacmues, por synonte të shihnim reagimin e tyre që nuk po i përgjigjeshin kërkesave tona që ishin me e-mail: Komenti ishte: “Pasi hoqët Naim Frashërin si Poet Kombëtar (ligji 93/2022 dhe ligji për festat zyrtare) për t’i dhënë hov ndikimit me injeksion të propagandës për Nënë Terezën mezi presim të shohim sukseset e tjera të Kishës Katolike në lëmin e goditjes së edukimit kombëtar shqiptar dhe laik në favor të edukimit fetar katolik me ndihmën e Kartelit Politik e Fetar dhe të Qeverisë së Edi Ramës!”
5 ditë më vonë, patëm koment nga Gjon Çuni,
(Gjovalin Çuni), ish-drejtor i Bibliotekës “Marin Barleti”, tani në pension. Po e citojmë pa ia ndrequr drejtshkrimin, se mbase, pa dashje, prishim edhe logjikën e komentit (përndryshe do të kishim bërë):
Komenti i Gjovalin Çunit:
“nuk ma ha mendja se asht reagim i Udhes se Shkronjave, asht dikush tjeter qe shkruan ne emer te kesaj shkolle private, nuk ma ha mendja se drejtori i saj humb pike, se asht shkolla Udha e Shkronjave, e Shkronjat pune prifterijsh e hoxhallaresh. Konferenca Ipeshkvnore ska lidhje fare, me shtetin, as nuk merret me percaktimin e festave kombetare, shqyrton problemet e komunitetit, por se Nane Tereza ka nji dite perkujtimore asht mase e drejte. Edhe Naimi ka ditet e festes se tij, bile dy here. Udha e Shkronjave e di se Naimi ka shkruar Qerbalane.”

I nderuar zotëri Gjovalin Çuni,
Në Bibliotekën “Marin Barleti”, gjatë kohës që ju keni drejtuar, si shkollë “Udha e shkronjave”, kemi bërë disa nga Olimpiadat e Shkodrës, që kanë qenë masive, dhe e themi këtu, ndihma juaj, si drejtor i Bibliotekës, ka qenë me shumë vlerë. Veçojmë një kujtim: Herën e fundit që zhvilluam olimpiadën, ju na thatë “Këtë radhë nuk do të paguani gjë sepse unë po dal në pension”. Ne u prekëm shumë dhe nuk e harrojmë dhe e kemi kujtuar si gjest bujarie, dhe ndriçimi për çfarë ndodhte me vlerë në Bibliotekën “Marin Barleti”. Që nga ai vit, i ndërpremë Olimpiadat në Shkodër.
Vijojmë me komentet për çështjen e Naimit.
Me komentin e cituar, Ju tregoni siguri që komenti ynë është “i pavend” dhe ndaj thoni se “Nuk do të jetë “Udha e shkronjave” por dikush tjetër”.
Kjo ndodh ngaqë, ju si shumë qytetarë në këtë vend, nuk e keni fare idenë e llojit të dëmtimit, motiveve dhe të metodikës diabolike të dëmtimit, të Poetit Kombëtar Naim Frashëri. Tashmë kemi bindjen e plotë që është bërë për arsye të revanshit fetar të Kishave dhe shthurjen e Edukimit Kombëtar të shqiptarëve. Jua konfirmojmë që komentet që keni lexuar vijnë nga unë, si themelues, zotërues, e drejtues i shkollës “Udha e shkronjave”.
Kishën Katolike Shqiptare, e kemi informuar zyrtarisht përmes e-maileve. Nuk përgjigjen, megjithëse janë një institucion publik.
Më poshtë lista e komunikimeve tona:
6 tetor 2026, me titullin “Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë të sqarojë kombin shqiptar dhe sistemin arsimor për Naim Frashërin”. Më 22 shtator 2026 e kemi njoftuar për ankesën tonë në Gjykatën Kushtetuese për veprimtarinë antikushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë që çon në devijime dhe përçarje fetare, ku përfitues është Kisha Katolike me rolin që kërkon t’i japë Nënë Terezës. Më 13 shtator 2026 – “Shkollat shqipe dhe shoqëritë patriotike të shmangin propagandën për Nënë Terezën”. Më 12 shtator 2026 – U kem dhënë në PDF librin me 326 faqe nga Artur Shkurti “Klani Oxhaku Heuristik i shek. 21 synon përçarjen fetare dhe shkombëtarizimin duke sulmuar Vëllezërit Frashëri, Mësonjëtoren dhe Rilindjen Kombëtare” (2023). Më 9 shtator 2026 – Kërkesë zyrtare për heqjen e Urdhrit “Nënë Tereza” dhe të ditës së pushimit për Nënë Terezën” si reagim ndaj heqjes së Urdhrit “Naim Frashëri”.
Më 20.08.2026 – “Kisha Katolike i detyrohet kombit shqiptar një sqarim” me pyetjen “A është Kisha Katolike pas dëmtimit të Naim Frashërit”. Më 11 .12. 2025 – I kam çuar At Vitor Demaj, drejtues në Botimet Franceskane një artikull lidhur me Gjergj Fishtën (tiparet dhe virtytet e shqiptarit). Më 5 .01. 2008 kam intervistuar Mons. George Frendo për revistën e shkollës “EDUKIMI” dhe intervistën e kemi botuar në faqen e shkollës me temën “Edukimi dhe besimi”, diçka e rrallë që një shkollë laike të botojë intervista të tilla me klerik të lartë fetar. Mons.George Frendo e kishte parasysh se ku po e jepte intervistën dhe për çfarë do të përdorej. Për çështjen fetare shqiptare libri ynë më i rëndësishëm është “BESA- feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” (Artur Shkurti, 2009) për të vendosur në jetë devizën e Rilindjes Kombëtare “Feja e shqiptarit është shqiptaria” (Pashko Vasa), që Kisha nuk e ka me qejf. Tek “BESA” janë kaq të shumta citimet e autorëve katolikë brenda: Pashko Vasa, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, Zef Serembe, Dom Ndre Mjeda, Ernest Koliqi, Frederik Rreshpja, Filip Shiroka, Hilë Mosi, … dhe më megjitëse Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza) nuk ishte poete, ajo është cituar 37 herë.
Me kaq sa thamë më sipër del shumë qartë se nuk kemi “fobi”, por “respekt”, për “krishterimin”, për “fenë katolike” për priftërinjtë katolikë, për Kishën Katolike Shqiptare, dhe për Vatikanin. Nga ana tjetër, kjo është argument shumë i fuqishëm se ndërkohë që ne synojmë të zbatojmë këshillat e Rilindjes Kombëtare për mënyrën e metodikën se si ruhet “harmonia fetare” shohim që veprimet praktike të Kishave Katolike, Ortodokse, Evangjeliste
synojnë revanshin fetar, varfërimin e edukimit kombëtar shqiptar që vjen nga autorë myslimanë, me synimin “pasurimin me ushqim” të gatuar vetëm në Kishat e Krishtera, praktikisht duke shthurur kombin shqiptar për motive të konvertimit fetar. Këtij koncepti “islamofobie” nuk i keni shpëtuar as ju, kur ashtu si “bleta” që e mban thumbin në fund, keni lëshuar shënimin ngacmues në fund të komentit:
“Udha e shkronjave” e di se Naimi
ka shkruar “Qerbelanë”
Sipas jush “Qerbelaja” është një njollë në punët e Naimit dhe jo kryevepër e edukimit global siç është. Nëse sistemi arsimor shqiptar do ta kishte mësuar si duhet “Qerbelanë” dhe jo shpërfillur, shqiptarët do të ishin më të gatshëm t’i përgjigjeshin kërkesës së ministrit të jashtëm të Spanjës Moratino për ndërmjetësim me vendet myslimane (shkurt 2006). Por ndërmjetësimi sigurisht rriste pozitat e myslimanizmit dhe të krishterët e sabotuan këtë rol, duke sabotuar njëkohësisht edhe edukimin global. Ju nuk përmendni që Naim Frashëri ka shkruar “Historinë e Skënderbeut” të cilën nuk e shkroi Fishta. Gjergj Fishta e pa se ajo që kishte bërë Naim Frashëri ishte thjesht e pakonkurrueshme qoftë në mesazhin kombëtar, qoftë në edukimin e karakterit dhe të virtyteve, në porositë kombëtare, në anën fetare etj..
Poeti Kombëtar Naim Frashëri, me veprën unike, edukon me sukses vetëdijen globale dhe vetëdija kombëtare dhe e bën më mirë se çdo klerik tjetër këtë punë. Edukimi fetar (pra edhe katolik) është vetëm një pjesë e edukimit global. Edukimi global arrihet përmes “sintezës së besimeve fetare” dhe kjo sintezë është bërë prej Naim Frashërit me gjithjë veprën e vet, por masivisht është tek “Qerbelaja”. Injoranca e publikut, përfshirë edhe ju, konceptohet nga Aleanca e Kishave Katolike, Ortodokse, Evangjeliste, që duan të fshehin faktin se Naim Frashëri e realizoi “sintezën e besimeve fetare” për të cilën kishte nevojë Rilindja Kombëtare për të realizuar “Harmoninë fetare” me BESËN sipas devizës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Nuk ekziston autor katolik, ortodoks, evangjelist apo tjetër mysliman që ta ketë këtë mesazh:

BESA E BUJARËVE SHQIPTARË
Naim Frashëri, Sinteza e Besimeve Fetare (Qerbelaja)

Bes’ e mbar’ e Perëndisë, udh’ e mir’ e urtësisë,
është vetëm mirësija, e-vërteta, njerëzija,
zemr’ e-bardhë, shpirt i mirë, me mëshir’e m’ ëmbëlsirë,
e-drejta, vëllazërija, dashurija, miqësija.
Gjithë besëtë, që janë, vetëm këtë udhë kanë.
Këtë thotë besa jonë, dhe të tjerat këtë thonë.
Se ndë jetë s’ ka dy besë, një ësht’ e një dotë mbesë.
Besë është Perëndija dhe udh’ e saj njerëzija.
Besa jon është një fjalë, dh’ ajo fjalë s’ ësht’ e çalë,
është fjal’ e Perëndisë, q’ i duhetë njerëzisë,
nukë është fjal’ e kotë, “bëj mirë, mos bëj keq”, thotë.
Besa edhe Perëndija është vetëm mirësija.
Dhe ajy Zot i-vërtetë, edhe gjithë ç’ ka në jetë,
te njeriu gjithë janë, mos kërko më tjatër anë.
Po të bëjmë mirësinë kemi ndër ne Perëndinë.
Kur të bëjmë ligësitë, kemi djall e djallëzitë.
Kur të jemi të-vërtetë, është me ne Zoti vetë.
I nderuar zotëri Gjovalin Çuni,
Poeti Kombëtar Naim Frashëri realizoi “Qerbelanë” jo vetëm si detyrim fetar, por si detyrim kombëtar që të jepte në një formë origjinale konceptin për sintezën e besimeve fetare. “Qerbelaja” është reformë kombëtare mbi një pjesë të besimtarëve (bektashinj), me synimin për t’i përgatitur ata për Shtetin Shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë, që sigurisht nuk do të ishte shtet “bektashi” apo “mysliman” por shtet ku feja ishte e ndarë nga shteti. Studiuesja e njohur franceze Natali Klejer e ka argumentuar se Naim Frashëri dhe Sami Frashëri po reformonin doktrinën e tarikatit.
Katolikët shqiptarë atë reformë fetare kombëtare të Naim Frashërit dhe Sami Frashërit nuk e bëjnë dot se nuk i lë Vatikani ta bëjnë. E vetmja “reformë” që kanë bërë ka qenë “reforma antikombëtare” që të instalojnë islamofobinë, dobësimin e karakterit të shqiptarëve që të bëhen të gatshëm për konvertime. Kjo bëhet pikërisht duke dëmtuar Naim Frashërin dhe Rilindjen Kombëtare, Edukimin Kombëtar dhe Sistemin Arsimor. Kjo është “Qerbelaja” e Kishës Katolike. Është fakt që ortodoksi filogrek frankofon Thomas Frashëri pritet me Edi Ramën nga Papa Leoni. Është fakt që Qeveria antikombëtare “e krishterë” e Edi Ramës dhe Thomas Frashërit ka bërë punët të ndyra në përfitim të Kishave Katolike, Ortodokse, Evangjeliste, të Greqisë dhe të Izraelit. Është fakt që ortodoksi Thomas ka shkruar libër kundër Vëllezërve Frashëri, mban postin Kancelar i Urdhërave dhe Medaljeve dhe është konceptues i ligjit 93/2022 nga ku u hoq Urdhri “Naim Frashëri” për të lënë pashqetësuar “mbretërimin shpirtëror të Nënë Terezës”, për të cilën kemi tashmë një Urdhër dhe kemi edhe një festë zyrtare. Në komentin tuaj ju gënjeni se Naim Frashëri paska dy ditë feste, kur nuk ka. Është Nënë Tereza që e ka këtë festë zyrtare dhe nuk duhet ta ketë më pas heqjes së Naim Frashërit. Më shumë se Nënë Tereza, ditën e pushimit e meritonte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Naim Frashëri, apo Gjergj Fishta, Adem Jashari etj. Nënë Tereza për Sistemin Arsimor Kombëtar nuk mbulon as edukimin global as edukimin kombëtar të shqiptarëve.
Ajo mbulon vetëm edukimin katolik.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne