Bota

Zvicër: Parlamenti i Valaisit kundër ndalimit të shamisë myslimane në shkolla, SVP proteston

Parlamenti i Kantonit e ka shpallur të pavlefshme iniciativën e SVP-së pasi që ajo nuk është në përputhje me kushtetutën

Qytetarët e Kantonit të Valisit nuk do të munden të votojnë në referendum për iniciativën kundër mbulesës. Këtë iniciativë e ka lansuar partia SVP e cila kërkon ndalimin e bartjes së mbulesës myslimane të kokës për nxënëset në shkollat e Valisit, shkruan srf.ch.

Parlamenti i Kantonit e ka shpallur të pavlefshme iniciativën në fjalë pasi që ajo nuk është në përputhje me kushtetutën, transmeton albinfo.ch. Ai, me 93 vota kundër, me 24 pro dhe me 4 abstenime e ka shpallur iniciativën të pavlefshme. Ndërsa deputetët e Grupit Parlamentar të SVP/UDC-së e kanë braktisur në shenjë proteste sallën e parlamentit ende pa ardhur puna te votimi. Kjo parti, para fillimit të debatit kishte bërë të ditur se për vendimin kundër iniciativës së saj do të ushtrojë ankesë në Gjykatën Federale.

Ndërsa Cristophe Darbellay në pozitën e përgjegjësit të arsimit në Qeverinë e Kantonit ka thënë se shpejti do të krijohet një bazë ligjore në mënyrë që vetë shkollat ta rregullojnë çëshjen e bartjes së shamive në shkolla.