Zyrtari i Komisionit Europian: Vetingu duhet të mbyllet brenda dy vitesh

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Dje në Hagë u zhvillua një takim me temë “Sfidat e sundimit të ligjit dhe perspektiva në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Instituti Asser në bashkëpunim me Fondacionin Holandez-Shqiptar.

Gjatë këtij takimi, Marc Jorna, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin (DG NEAR) deklaroi:

“Në mënyrë që sistemi i drejtësisë të funksionojë pa probleme, ne duhet ta mbyllim procesin e vetingut në dy vitet e ardhshme.”

Ai shtoi se “siç e kuptoj unë, në një të ardhme shumë të afërt do të ketë një kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe e njëjta gjë vlen edhe për Gjykatën [e Lartë],” por nuk specifikoi një afat kohor të mundshëm për ngritjen e dy gjykatave.

Vlerësimi i Jornas se vetingu duhet të përfundojë brenda 2 vitesh bazohet në kalendarin e vetingut të EURALIUS-it, i cili parashikon se vetingu përfundon në vitin 2021.

Në të vërtetë, në bazë të ritmit të deritanishëm të institucioneve të vetingut, do të duhen edhe 8 vjet që ai të përfundojë.

Pas pyetjeve të Exit.al, zoti Jorna pranoi se afatet kushtetuese të reformës në drejtësi janë shkelur, por se:

“nëse [reforma] merr pak më tepër kohë, le të marrë. Rezultati përfundimtar është më i rëndësishëm se sa sesa respektimi i afateve. Vlerësimi ynë është dhe mbetet, për momentin, një vlerësim shumë pozitiv.”

Ai refuzoi t’i përgjigjej një pyetjeje të Exit.al lidhur me shumë raste ku zbatimi i reformës në drejtësi ka qenë problematik dhe se çfarë mund të mësojmë nga kjo për të ardhmen.

Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi ishte më i kujdesshëm me deklaratat e tij.

Ai iu përgjigj ish-ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch, i cili e quajti takimin si një tentativë për të lobuar që parlamenti holandez të votojë pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Bosch e pyeti Ibrahimin se kur do të themelohet Gjykata Kushtetuese dhe ky i fundit deklaroi se “ne duhet ta bëjmë atë siç duhet. Ekziston një radhë sipas së cilës emërohen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e Gjykatës së Lartë e bën shumë të vështirë këtë proces.”

Ibrahimi shprehu shqetësimin se nunri i lartë i magjistratëve të shkarkuar nga vetingu do t’i shkaktojë sistemit të drejtësisë një “sfidë afatmesme” në përpjekjen e Shqipërisë për të rinisur funksionimin e sistemit me kapacitet të plotë.

Ai propozoi dy zgjidhje për mungesën e magjistratëve të kualifikuar, përkatësisht rritjen e numrit të vendeve në Shkollën e Magjistraturës dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës, në mënyrë që çështjet gjyqësore të zgjasin më pak./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne