Zyrtari i Ushtrisë Turke refuzon medaljen nga Pentagoni, përmend mbështetjen e SHBA-së për kurdët

Mes tensioneve në rritje midis aleatëve të NATO-s, oficeri i ushtrisë turke ka refuzuar një medalje nga Ushtria Amerikane për shkak të mbështetjes së saj ushtarake për milicinë kurde në Siri, njofton agjensia e lajmeve DNA.

Në një demonstrim të dallimeve ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë në mbështetje të milicisë kurde në Siri, një oficer i ushtrisë turke ka refuzuar një medalje që iu dha nga forcat e armatosura amerikane.

Oficerit iu dha medalja në një ceremoni në Bazën Ajrore Incirlik në Adana të Turqisë. Megjithatë, kur koloneli amerikan Kevin Leahy u përpoq t’ia japë atij medaljen, oficeri e refuzoi atë në baza politike, raportoi DNA të enjten.

“Unë nuk dua t’ju ofendoj ose t’ju mërzis, por nuk mund ta pranoj këtë çmim, është e pamundur, sepse ata që e ofrojnë atë janë në aleancë me armikun tim, Njësitë e Mbrojtjes Popullore [YPG]. Nderi dhe krenaria nuk më lejojnë ta pranoj atë,” shpjegoi ushtari, duke kthyer medaljen dhe duke lënë ceremoninë.

Incidenti vjen në mes të tensionit në rritje midis Ankarasë dhe SHBA-së mbi mbështetjen e kësaj të fundit për YPG-në në Siri.

Turqia e sheh YPG-në si një filial të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup militantësh që kërkon autonominë Kurde, i cili ka bërë kryengritje të armatosura kundër qeverisë turke që nga viti 1984. Tensionet mes Ankarasë dhe kurdëve turq u përshkallëzuan në korrik të vitit 2015 kur një armëpushim mes Turqisë dhe PKK-së u ndërpre gjatë një sërë sulmesh terroriste, që dyshohet të jenë kryer nga anëtarët e PKK-së.

Ndërsa edhe SHBA-ja e konsideron PKK-në si një grup terrorist, ajo nuk e pranon pikëpamjen e Ankarasë për YPG-në. Më herët këtë javë, Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp miratoi furnizimin me armë të kurdëve të YPG-së që luftojnë Daeshin në Siri.

Turqia e kundërshton me forcë mbështetjen e kurdëve sirianë, të cilët po përpiqen për të pasur një rajon autonom në veriun e Sirisë, për të cilin Ankaraja ka frikë se do të bëhet katalizator për ndarje në Turqi.

Të mërkurën, Ministri turk i Mbrojtjes, Fikri Isik e sulmoi planin e Shteteve të Bashkuara për të armatosur milicitë kurde që luftonin terrorizmin në Siri, duke thënë se masa do të provokonte një “krizë”.

“Dorëzimi i armëve të rënda YPG-së është një krizë më vete. Ky vendim nuk do të jetë i suksesshëm as në rajon as në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që pasojat do të ndikojnë jo vetëm në rajon dhe në Turqi, por në të gjithë botën dhe kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Turqia nuk ka forcë për ta ndryshuar këtë lojë e vetme, por nuk ka forcë për të mbrojtur interesat e saj,” tha Isik për transmetuesin turk NTV. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne