11 vite pas Gërdecit, rrëfimi rrëqethës i ish-punonjësit në fabrikë: Motra vdiq, gruaja u plagos e sot vuajmë pasojën

Kujtesa i është mbushur me fragmente të hidhura, por aparenca e tregon njeri të fortë. Shefki Sefa, i dobët në fizik, gjatë jetës ka arritur të përballojë momente shumë të vështira.

Me një dialekt tipik verior, ai nis të tregojë për historinë e tij. Është 46 vjeç, por asgjë s’i rëndon më shumë sesa tragjedia e Gërdecit. Shpërthimi i ndodhur 11 vite më parë në repartin ushtarak, që shihej si vend shprese për shumë njerëz të varfër, i ka krijuar Shefkiut një gropë të madhe në shpirt.

I sapokthyer nga emigracioni në Greqi, ai u vendos në Gërdec bashkë me prindërit e tij, për të hedhur rrënjët e familjes. Pak nga pak nisi t’i jepte formë familjes së tij, ndërsa i gëzohej vajzës që kishte ardhur në jetë. Hapjen e repartit të Gërdecit, Shefkiu e pa si një mundësi të mirë për t’i dhënë një shtysë gjendjes së tij financiare dhe për të mundësuar të ardhura më të mira për 3 anëtarët e familjes së tij.

Shefki Sefa
Shefki Sefa

“Unë jam nga Kukësi me orgjinë, por pas 18 vitesh emigracion në vendin fqinj, vendosa të kthehem për të qëndruar pranë të afërmve të mi dhe për të krijuar familjen time. Babai ka pasur 10 fëmijë dhe ne ishim shumë të varfër. Në momentin që dëgjova se do të hapej fabrika e Gërdecit, nuk e mendova dy herë dhe fillova punë. Unë nuk e dija se çfarë ishte predha dhe kur binte në tokë, fshihesha se kisha frikë mos plaste, por duhej të punoja për të mbajtur vajzën dhe gruan”, thotë kuksiani.

Në moshën 23-vjeçare, mes frikës dhe dëshirës për të punuar, Shefkiu merrej me shkarkimin e predhave në fabrikën famëkeqe të Gërdecit. Pas vetes kishte marrë për të punuar aty edhe tri motrat, nusen dhe kunatën. Fati e deshi që në momentin e shpërthimit 46-vjeçari të mos ndodhej aty, por flakëve nuk do t’u shpëtonin motra dhe nusja e tij.

“Në orën 7 të mëngjesit shkova te fabrika për të shkarkuar predhat dhe më pas ika në shtëpi. Motrat dhe nusja vijuan punën normalisht si çdo ditë tjetër. Kur ndodhi shpërthimi, unë isha në Vorë dhe menjëherë më lajmëroi njëra nga motrat”, rrëfen Shefkiu. Me urgjencë u nis drejt vendit të ngjarjes, ndërsa rrugës lutej për jetën e vajzës, gruas, motrave dhe kunatës së tij. Shtëpinë që e kishte fare pranë repartit ushtarak, deri para momentit të shpërthimit e shihte si një lehtësi të madhe në punë, mirëpo në momentin që dëgjoi për tragjedinë, nisi të pyeste veten se pse streha e tij ndodhej aq afër. Kur kishte dalë nga shtëpia, vajzën e kishte lënë brenda, ndërsa tani ishte i pasigurt nëse do ta shihte edhe një herë fytyrën e saj engjëllore. Rrugës e mundonte edhe mendimi nëse gruaja e tij bashkë me krijesën që kishte në bark ia kishin dalë të shpëtonin nga flakët.

“Kur mbërrita në Gërdec, predhat plasnin në ajër. E gjithë familja ime ndodhej atje. Fëmijët kanë qenë përjashta duke luajtur, sepse unë e kisha shtëpinë përballë repartit. Asokohe më dukej si lehtësi e madhe, por në ato çaste mallkoja veten pse e kisha ndërtuar pikërisht aty. Shtëpia u bë shkrumb e hi nga tronditjet dhe flakët, ndërsa ankthi më brente për vajzën dhe gruan time. Fëmijët fatmirësisht ishin futur në një bunker që gjendej aty pranë dhe kishin shpëtuar pa dëmtime, por për nusen dhe motrat nuk dija gjë ende”, tregon Shefkiu.

Menjëherë u drejtua drejt Spitalit Ushtarak për të kërkuar të afërmit e tij. Njerëz që qanin dhe ulërinin nga dhimbja i prisnin rrugën korridoreve të spitalit, ndërsa më në fund arriti te dhoma ku ishte shtruar motra e tij. Ajo kishte pësuar djegie në 70% të trupit të saj dhe ishte në gjendje të rëndë. Të nesërmen, Shefkiu bashkë me motrën e dëmtuar u nisën drejt Italisë për të gjetur shpëtim. Por as mjekët italianë nuk bënë dot gjë për jetën e motrës së tij dhe pas shtatë ditësh u përball me lajmin e vdekjes së saj. Si të mos mjaftonte kjo, në shpirt mbante edhe një humbje tjetër. Djali 7-muajsh që qëndronte në barkun e gruas së tij nuk u kishte mbijetuar dot tronditjeve gjatë shpërthimit.

“Nusja vetë nuk ishte djegur, por kur e takova unë në maternitet qante sepse doktorët i kishin hequr fëmijën. Në ato momente m’u duk sikur m’u prenë krahët. Deri para pak minutash çdo gjë ishte në rregull, por një shpërthim më shkatërroi gjithçka. Djalin mezi prisja ta mbaja në krahë. Kishim menduar për emrin, ndërsa imagjinoja edhe fytyrën e tij të ëmbël. Rrahjet e tij të zemrës që i kam dëgjuar për herë të parë nuk do t’i harroj dot kurrë. Fati nuk e deshi që ai të gëzonte jetën tonë”, rrëfen Shefkiu, teksa kthen kokën mënjanë duke tymosur për të fshehur emocionet.

Cigarja e fikur i lë vend tjetrës, ashtu siç të këqijat nuk kanë të sosur për 46-vjeçarin nga Kukësi. Sot pas 11 vitesh nga tragjedia e Gërdecit, ende vuan mungesën e djalit në shtëpi. Përtej mërzitjes për humbjen e tij, Shefkiu nuk ngushëllohet dot me një fëmijë tjetër. Për shkak të tronditjeve të shumta gjatë shpërthimit, nusja e tij nuk ngel dot më shtatzënë. Burrë e grua sot i janë përkushtuar vajzës së tyre, e cila vazhdon shkollën dhe po përjeton vitet më të bukura të adoleshencës. Mirëpo, bukurinë e këtyre viteve shpesh ua prish pamja e trishtë që kanë përpara shtëpisë.

“Gërdeci bëri 11 vjet, por nusja nuk ngel dot më shtatzënë. I kam bërë të gjitha përpjekjet, kam takuar doktorët më të mirë, por asnjë rezultat. Unë dua shumë të kem edhe një fëmijë tjetër, nuk dua të ngelem me një fëmijë. Por kjo ka qenë jeta. Tragjedia na lidhi më shumë me familjen. Vajzën e kam dritën e syve dhe përpara saj përpiqem të mos hidhërohem. Por edhe ajo e di shumë mirë se çfarë ndiejmë ne. Edhe ajo vetë e përjeton shumë keq sepse ka qenë 6 vjeç në çastin e shpërthimit dhe ka memorizuar çdo gjë”, thotë Shefkiu.

Pas shumë vitesh të vështira, sot ai ka arritur të punësohet në Bashkinë e Vorës, ku mirëmban gjelbërimin. Gjatë punës i ndodh që të harrojë çfarë i ka ndodhur, por kthimi në shtëpi e rikthen në realitet. Si për ironi, shtëpia e Shefkiut është rindërtuar në të njëjtin vend që ndodhej edhe para tragjedisë. Pasi jetoi për disa muaj me qira, u detyrua të gjente një strehë tjetër të përhershme për familjen e tij të vogël.

Pamundësia bëri që Shefkiu t’i drejtohej sërish vendit që i kishte marrë motrën dhe djalin e tij. Në tokën që dikur ishte e mbushur me predha, hodhi edhe një herë themelet e shtëpisë. Dhimbja në shpirt e shtrëngon sa herë del në ballkon sepse përballë sheh tokën e rrënuar nga flakët. Pamja e përditshme nuk ia bën më të lehtë dhimbjen as atij, as nuses dhe as vajzës.

“Çohem në mëngjes, dal në ballkon dhe shikoj vendin ku shpërtheu. Më duket si varri i motrës. Më kujtohen shpërthimet që i morën jetën akoma pa lindur tim biri. Është shumë e hidhur. Sa të kem jetën nuk e harroj. Edhe vajza ime po ashtu. Edhe ajo sa herë del në ballkon dhe hedh vështrimin tutje, mendon që ka vdekur halla dhe vëllai i saj aty”, thekson Shefkiu. Dhimbjen që i peshon në shpirt ia shton akoma më shumë gjendja, në të cilën është vajza. 17-vjeçarja ka ngelur e traumatizuar nga shpërthimi dhe ashtu si çdo prindi tjetër, edhe Shefkiut i djeg zemra për çdo britmë të sajën.

“Goca e përjeton shumë keq atë moment. Ajo trembet direkt nga zhurma më e vogël. E kam dërguar disa herë te psikologu ngaqë dua që t’i hiqet tronditja, por i është ngulur thellë në mendje. Lotët e saj therin shpirtin tim. Nuk e duroj dot kur e shoh që vuan për atë tragjedi”, tregon i prekur ai. Tragjedia e Gërdecit ia ndryshoi jetën 360 gradë 46-vjeçarit nga Kukësi. Shpesh ka momente ku mallkon veten pse u kthye nga emigracioni, por kur sheh vajzën gjen forcë për të vijuar përpara dhe i jep asaj të gjithë dashurinë që nuk mundi t’i japë djalit. Teksa vuan në heshtje mungesën e një fëmije tjetër në familjen e tij, të gjitha përpjekjet sot i ka fokusuar te vajza. Çdo gjë e bën për 17-vjeçaren dhe lutet që fati i saj të jetë i bardhë.

“Vajzën e kam si dritën e syve të mi. Shkaku pse vazhdoj frymoj është ajo. Çdo gjë e bëj për të. Dua që të rritet si gjithë të tjerët dhe të ketë fat në jetë”, rrëfen Shefkiu. Përveç dhimbjes shpirtërore, atij ia vështirëson akoma më shumë jetën edhe toka e rrënuar nga shpërthimi, flakët dhe predhat. Thellësia e tokës përmban lëndë helmuese, çka e bën të pamundur përdorimin e produkteve bujqësore që mbillen mbi të. Edhe uji që del nga pusi nuk është i pijshëm. “Kemi frikë të jetojmë këtu sepse i gjithë mali është i minuar. Predhat janë futur tri metra nën tokë, por nuk kemi ku të shkojmë, këto janë mundësitë ekonomike. Unë kam pasur patate, qepë dhe produkte të tjera bujqësore të mbjella në tokë, por nuk i hamë dot sepse kanë helm. Edhe ujin që del nga pusi nuk e pimë dot, por e mbajmë vetëm për vaditje. Jemi të detyruar ta blejmë”, rrëfen Shefki Sefa.

15 marsi i vitit 2008 i dha goditjen më të fortë 46-vjeçarit. Mezi priste të mbante në krahë djalin e tij, por tragjedia ia preu hovin. Motra e tij sot nuk jeton më për shkak të shpërthimit të fuqishëm në repartin ushtarak të Gërdecit, ndërsa e bija vetëm 6-vjeçare kur ndodhi ngjarja ka mbetur e traumatizuar.

Përtej të gjitha vështirësive, Shefkiu ka një shpirt luftarak dhe ia ka dalë mbanë të rindërtojë jetën e tij. Portreti familjar i duket i paplotësuar, por përpiqet të buzëqeshë për vajzën e tij. Në lot ngashërues nuk shpërthen dot sepse duhet të qëndrojë i fortë para dy femrave të jetës së tij. Por dhimbjen që i brengos shpirtin përpiqet ta shfryjë sadopak duke thithur herë pas here nga një cigare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne