Shqiperia

“3.4 mln euro në Toyota”, 4 të arrestuarit merren në pyetje

Prokuroria ka marrë në pyetje të dyshuarit  e arrestuar në  lidhje me rastin e bllokimit të 3.4 mln eurove  të fshehura në “Toyota Yaris” në muajin qershor në Durrës.

Të ndaluarit, Edi Lika, Klevio Cani, Agim Çekaj, si dhe Alban Mollaymeri, kanë këmbëngulur se për eurot e bllokuara në makinë nuk kanë patur asnjë dijeni.

Dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, të cilët dyshohen si të përfshirë në rastin në fjalë  janë të shpallur në kërkim dhe autoritete po punojnë për lokalizminin dhe më pas arrestimin  e tyre.

Aksioni për bllokimin e sasive të eurove u finalizua me 24 qershor, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në një makinë tip “Toyota Yaris” pa targa. Mjeti ishte nisur nga Belgjika dhe nuk kishte destinacion përfundimtar.

Mjeti tip “Toyota Yaris”, ku u gjetën paratë ishte në auto-tren bashkë me mjete të tjera të cilat ishin porositur për shitje në Shqipëri. Autoritetet shqiptare janë duke hetuar për dërguesin si dhe porositësin e mallit, ndërsa sot në pyetje janë marrë personat e mësipërm, të cilët kanë mohuar të kenë patur dijeni pë sasinë e parave.

Kujtojmë se për këtë rast ka patur edhe akuza të forta politike mes Partisë Demokratike, i cila ka treguar gishtin drejt Taulant Ballës, si të përfshirë në këtë  rast. Ky i fundit ka mohuar akuzat, duke paditur Bashën në gjykatë, ndërsa përballja e tyre është caktuar data 10 tetor.

Burimi: BalkanWeb