5 të vrarë me armë në atentate vetëm në një javë

Një javë e përgjakshme. 5 të vrarë me armë zjarri nga e premtja në të premten. Ngjarjet e rënda janë shënuar në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe Elbasan. Ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sheh nga zyra si të përdorë përballojë sa më fuqishëm protestat e opozitës në rrugët e vendit janë shënuar atentate të frikshme.

E premte 15 mars 2019
Vritet Esat Kotorri

Esat Kotorri, pronari i një furre buke në Kavajë u qëllua me çifte orët e para të mëngjesit sapo kishte shkuar të hapte biznesin. Autori i dyshuar i ngjarjes është një 26-vjeçar, i cili u vu në pranga nga Policia e Kavajës, vetëm pak kohë pasi kishte plagosur 59-vjeçarin. Pak ditë më pas, i plagosuri do të ndërronte jetë në spital, citon lapsi.al. Dyshohet se motivi i krimit është një konflikt i hershëm pronësie mes pronarit të furrës së bukës dhe familjes së autorit. I riu u identifikua për shkak të dëshmisë së bashkëshortes së viktimës që ishte edhe dëshmitare në ngjarje.

E shtunë 16 mars 2019
Vritet Haxhi Baçinozi

Një ditë më pas do të tronditje Tirana. Një vrasje ndodhi rreth orës 18:15 në një nga zonat më të frekuentuara siç është Liqeni Artificial i Tiranës. Vritet 62-vjeçari Haxhi Baçinozi nga fshati Radostinë i Fierit. Ai ka qenë duke vrapuar me djalin e tij në momentin që është ndeshur me Islam Mylkajn. Të dy kanë shkëmbyer fyerje dhe sharje për shkak të një borxhi prej 46 mijë eurosh që autori nuk i kishte kthyer prej 20 vjetësh viktimës, citon lapsi.al. Në një moment Mylkaj nxjerr një pistoletë që mbante me vete dhe e vrej Baçinozin, një ish-i denuar politik në diktaturë. Të mërkurën u vetëdorëzua në polici Mylkaj ku u ka thënë hetuesve se nuk ishte nisur për ta vrarë Baçinozin dhe se ngjarja kishte qenë e rastësishme. Mylkaj tha se e mbante armën me vete për shkak të frikës nga Baçinozi.

E hënë 18 mars 2019
Vritet Jurgen Kurti

Dy ditë më pas një krim tjetër i rëndë do të shokonte kryeqytetin. Në “zemër” të tij u ekzekutua Jurgen Kurti, i njohur si menaxheri i VIP-ave. Ai u qëllua për vdekje në afërsi të banesës së tij në rrugën “Zef Jubani”. Kurti sapo kishte dalë nga një palestër kur u qëllua nga persona ende të paidentifikuar. Policia nuk ka ende një piste të qartë për arsyet e krimit. Jurgen Kurti ishte ndaluar nga policia dy herë për përfshirjen në dy vrasje. Në 2016 ai u arrestua së bashku me dajën Leonad Ristani për vrasjen e babait të Jurgenit, Artur Kurti. Por daja mori përsipër autorësinë e vrasjes dhe Jurgeni u lirua, citon lapsi.al. Një vit më vonë ai do të përfshihej në një tjetër ngjarje, kësaj here për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen për motive pronësie. Por pas verifikimit të pamjeve filmike e provave në vendin e ngjarjes rezultoi se vrasja është realizuar nga dy vëllezërit Ekonomi për motive të dobëta, ndërkohë që dhëndri i njërit prej vëllezërve, Jurgen Kurti nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e rëndë, kështu që u lirua. Për ngjarjen është shpallur në kërkim policor djali i viktimës, por ai nga Italia ka deklaruar se nuk ka gisht në këtë krim.

E mërkurë 20 mars 2019
Vritet Ferdinand Polia

Vritet në fshatin Grudë të Shkodrës biznesmeni Ferdinand Polia, i cili kishte në pronësi bujtinën Polia në zonën turistike të Thethit. I njohur për të gjithë si “Nardi i bujtinave”, 35-vjeçari u qëllua me breshëri duke udhëtuar me automjetin e tij tip fuoristradë. Polia është dërguar në spital ku dhe ka ndërruar jetë pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Në momentin e ngjarjes viktima ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, Xhovan Mirashi, i cili tha në polici se atentati ka qenë i befasishëm dhe se në drejtim të makinës kishte vërshuar një mori plumbash, citon lapsi.al. Autori u largua me motor që u gjet i djegur te vendi i quajtur Ura e Mesit. Policia gjeti 20 gëzhoja plumbash në vendngjarje. Mister autorët. Mister motivet e krimit.

E premte 22 mars 2019
Vritet Ravik Gurra

Ekzekutohet në mes të Elbasanit avokati Ravik Gurra. 50-vjeçari ishte duke pirë kafe rreth orës 19.35 në një nga lokalet në qendër të qytetit kur një person i është afruar dhe ka qëlluar me një pistoletë me silenciator mbi të, duke e lënë të vdekur në vend. Avokati ka përfaqësuar në disa gjyqe, Emiliano Shullazin dhe pjesëtarë të familjes Çapja të Elbasanit. Policia thotë se shërbime të shumta kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje si dhe po krehin zonën ku dyshohet se janë larguar autorët. Një grup ekspertësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policisë e Shtetit është nisur menjëherë nga Tirana në ndihmë të grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shpejtë të ngjarjes. Sipas raportimeve të fundit automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet të jenë larguar autorët e vrasjes, është gjetur i djegur në periferi të Elbasanit. Makina rezulton e vjedhur në Fushë Krujë dhe u gjet i djegur pranë rreth rrotullimit të Bradasheshit. Mister autorët. Mister motivet e krimit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne