Bota

60 për qind e britanikëve besojnë në teori konspirative

Një studim i ri ka treguar se 60 për qind e britanikëve besojnë në të paktën një teori konspirative në lidhje me qeverisjen e vendit dhe me saktësinë e informatave që iu ofrohen. Mbështetësit e BREXIT-it kishin më shumë prirje për t’iu besuar teorive konspirative sesa kundërshtarët e tij. Rreth 71 për qind e përkrahësve të BREXIT-it besonin në të paktën një teori konspirative, ndërsa kjo përqindje në mesin e kundërshtarëve ishte vetëm 49 për qind.

Gati gjysma e votuesve që janë përkrahës të BREXIT-it besojnë se qeveria është duke e fshehur qëllimisht të vërtetën për numrin e saktë të imigrantëve, ndërsa vetëm 14% e kundërshtarëve e besojnë të njëjtën gjë. Rreth 31 për qind e përkrahësve të BREXIT-it besojnë se imigrimi i myslimanëve është pjesë e një plani më të gjerë që ka për qëllim që myslimanët t’i bëjë popull shumicë në Britani të Madhe, ndërsa vetëm 6% kundërshtarëve të BREXIT-it e mbështesin këtë teori.

Këto përqindje janë nxjerrë nga një projekt i gjerë ndërkombëtar, i cili ka zgjatur gjashtë vjet dhe në të cilin kanë qenë të përfshira nëntë shtete. Projekti është realizuar nga Universiteti i Kejmbrixhit. Ky studim ishte projekti më i madh që është bërë ndonjëherë për teoritë konspirative.

Teoria konspirative më e përhapur ishte të besuarit se vetëm një numër i vogël i njerëzve vendosin në shtet, ndonëse zyrtarisht vendi qeveriset me sistem demokratik. Jo më pak se 44 për qind e njerëzve e kanë këtë mendim. Përveç kësaj, 13 për qind e të anketuarve besojnë se bota udhëhiqet nga një grup njerëzish, të cilët vendosin së bashku, pavarësisht se kush i udhëheq qeveritë e mëdha botërore.

Në këtë studim u përfshinë më shumë se 11,500 njerëz nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Hungaria, Italia, Polonia, Portugalia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara. Numri i të anketuarve nga Britania e Madhe ishte 2,171, që u vlerësua si shifër e mjaftueshme për t’i pasqyruar qëndrimet dhe besimet e popullatës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

OPINIONE

INTERVISTA