8 DHJETORI QË NUK SOLLI LIRI, POR FUNDIN E SHQIPËRISË QË NJOHËM

Agim Kasemi

Shqipëria e 8 Dhjetorit 1990 nuk ishte Shqipëria ime. Nuk ishte vendi ku jetohej me pak, por me dinjitet; ku drejtësia nuk blihej me para; ku njeriu ecte i pashqetësuar në rrugë pa frikë nga krimi; ku shkolla e spitali ishin falas dhe i përkisnin popullit. Ajo Shqipëri, me dritat dhe hijet e saj, kishte një shtyllë: shtetin. Kishte një bosht moral, kishte një udhëheqje që, me të gjitha gabimet që sot përmenden, nuk e shiti kurrë atdheun për interesa personale.

Ajo Shqipëri u rrëzua jo nga populli, por nga një elitë që ishte stërvitur për vite të tëra për t’u vetëricikluar.

8 Dhjetori nuk ishte kryengritje e rinisë. Ishte rikthimi në jetë i asaj pjese të kupolës që kërkoi të shpëtonte nga llogaritja historike.
Pasardhësit e politeskës, njerëzit më të privilegjuar të asaj kohe, u ulën në tryezë dhe vendosën:
“Ndryshojmë sistemin, por jo vetveten. Ndryshojmë flamurin, por jo pushtetin.”

Ata që na treguan se po sillnin liri, sollën kaos.
Ata që na premtuan demokraci, hapën dyert e korrupsionit, të drogës, të krimit.
Ata që u betuan se do ta shpëtonin Shqipërinë, e shndërruan në pronë të klaneve.

Rend publik nuk ka. Drejtësi nuk ka. Meritokraci nuk ka.
Ka vetëm nipër të kastës së dikurshme, që sot po sundojnë me më shumë arrogancë sesa baballarët e tyre.

Në krye të këtij riciklimi historik, Shqipëria ka sot njerëz që shumë shqiptarë i shohin si të shkëputur nga identiteti kombëtar, si figura që nuk e ndjejnë vendin në asnjë qelizë. Për shumëkënd, drejtimi i shtetit është në duart e një klase politike të palidhur me rrënjët shqiptare, me historinë dhe me peshën e fjalës “komb”. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërruan brezat që sakrifikuan, punuan dhe besuan.

Shqipëria që njohëm ne, me varfërinë e saj të sinqertë, me besimin tek shteti dhe tek drejtësia, me ndershmërinë popullore, u zëvendësua nga Shqipëria e mashtrimit, e pasurimit të shpejtë, e politikanëve pa moral dhe pa formë, që i kanë kthyer institucionet në dekor kartoni.

Ky është realiteti i hidhur i “fitores” së 8 Dhjetorit:
jo liria, por shkatërrimi;
jo demokracia, por maskarada;
jo e ardhmja, por kapja e shtetit nga llumi i djeshëm, ricikluar si elitë e sotme.

Dhe pikërisht sepse kam jetuar të dy sistemet, mund ta them me zë të plotë:
Shqipëria humbi shumë më tepër se sa fitoi.

Sot jemi një vend pa drejtim, pa shtet, pa bosht moral.
Një vend i udhëhequr nga pasardhësit e dikurshëm të privilegjuarve, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e popullit.

8 Dhjetori nuk ishte triumf.
Ishte fillimi i zhdukjes së Shqipërisë që donim.
Dhe për sa kohë kjo treshe politike – pushtet, opozitë, oligarki – vazhdon të riciklojë veten, Shqipëria do të mbetet peng i së shkuarës më të keqe, jo i së ardhmes së shpresuar./fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne