A. Saudite refuzon “ndërhyrjen” e Senatit amerikan për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

Arabia Saudite ka hedhur poshtë një rezolutë të Senatit amerikan, e cila akuzon princin trashëgimtar, Mohammad bin Salman, për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Të enjten, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi një rezolutë që i dha fund ndihmës ushtarake të Uashingtonit për fushatën ajrore të udhëhequr nga Arabia Saudite kundër huthitëve në Jemen. Senati miratoi gjithashtu një rezolutë që dënon vrasjen e Khashoggit, ndërkohë që fajtor për vrasjen e tij shpall Bin Salmanin.

Përmes një komunikate me shkrim, Ministria saudite e Punëve të Jashtme e përshkroi rezolutën e Senatit amerikan si “ndërhyrje” që bazohej në “pretendime dhe pohime të pabaza”.

MPJ saudite theksoi se rezoluta e Senatit amerikan “përmban ndërhyrje të pamasa në punët e brendshme të Mbretërisë dhe minon rolin rajonal e ndërkombëtar të saj”.

Vend i pasur me naftë, Arabia Saudite bëri me dije se “kundërshton kategorikisht çdo ndërhyrje në punët e saj të brendshme dhe të gjitha akuzat, të çfarëdo mënyre, që nuk respektojnë udhëheqjen e saj”.

“Mbretëria shpreson të mos përfshihet në debatet e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shmangur çdo pasqyrim në lidhjet ndërmjet dy vendeve, i cili mund të kenë ndikime të rëndësishme negative në këtë marrëdhënie të rëndësishme strategjike. Mbretëria më parë ka pohuar se vrasja e shtetasit saudit, Jamal Khashoggi, është një krim për të ardhur keq, që nuk pasqyron as politikën e Mbretërisë dhe as institucionet e saj, si dhe riafirmon kundërshtinë e saj ndaj çdo përpjekjeje për ta zhvendosur vrasjen Khashoggi në një dimension tjetër jashtë kursit ligjor në Mbretëri”, potencohet mes të tjerash në komunikatën e MPJ saudite.

Në rezolutën e miratuar javën e kaluar nga Senati amerikan theksohet besimi se urdhri për vrasjen e Khashoggit është dhënë nga trashëgimtari i fronin saudit, si dhe i bëhet thirrje Riadit zyrtar për të kërkuar llogari ndaj kujtdo të përfshirë në këtë krim mizor.

Jamal Khashoggi, analist saudit i së përditshmes amerikan “The Washington Post”, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën e Përgjithshme të vendit të tij në Stamboll.

Pas shumë deklaratave të ndryshme dhe kontradiktore, Riadi pranoi më datë 20 tetor se Khashoggi është vrarë në mjediset e brendshme të objektit diplomatik duke e quajtur krimin një operacion të paautorizuar./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne