Afrohen presidencialet në Maqedoni, kandidatët drejt fundit të fushatëve elektorale Në fushatën e

Tre kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut kanë hyrë në javën e dytë të fushatës zgjedhore 20-ditore për të siguruar mbështetjen e qytetarëve për të parin e shtetit. Blerim Reka si kandidat i pavarur, por që mbështetet nga opozita shqiptare, Stevo Pendarovski i partive në pushtet të udhëhequra nga socialdemokratët e Kryeministrit Zoran Zaev dhe BDI-së, si dhe Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, pretendojnë të marrin timonin e shtetit dhe të zëvendësojnë kryetarin aktual Gjorge Ivanov.

Në fushatën e deritanishme midis temave kryesore të kandidatëve janë qëndrimet për Marrëveshjen e Prespës, problemi me emigrimin e të rinjve, perspektivat për anëtarësim të vendit në NATO dhe në BE, por edhe tema politike ditore.

Dy kandidatët maqedonas, Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase dhe Stevo Pendarovski i partive në pushtet, gjatë tërë fushatës po vazhdojnë me akuza për atë nëse me marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit është ruajtur ose jo identiteti maqedonas dhe se nëse kjo marrëveshje garanton të ardhme.

Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska, në shumë tubime me elektoratin e saj, ka thënë se nuk do të njoh emrin e ri të shtetit dhe ka premtuar se do të paraqesë nismë për ndryshimin me qëllim të kthimit të emrit Republika e Maqedonisë.

Rivali i saj, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja, në vazhdimësi ka kundërshtuar pretendimet e saj duke thënë se marrëveshja me Greqinë përveç që ruan identitetin, ajo garanton edhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Ata gjithashtu nëpër tubimet me elektoratin e tyre kanë shkëmbyer akuza edhe për konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, që zë vend të madh në fushatën e Pendarovskit.

“Ata vazhdimisht thonë se në një shoqëri për të gjithë qytetarët, të gjitha bashkësitë etnike duhet të jenë të njëjtë dhe të barabartë, pasi kështu do të jetonim më mirë. Më besoni, kjo nuk është e vërtetë. Kjo shoqëri është shumëkulturore, shumetnike, shumëkonfesionale, shumëgjuhësore, ky është realiteti.

Por koncepti i tyre një shoqëri për të gjithë, është në fakt një fenomen shumë i rrezikshëm, pasi ata po promovojnë një koncept për shtet dykombësh, pasi gjithandej përmenden vetëm shqiptarët dhe maqedonasit, pra, ku mbeten bashkësitë e tjera etnike”, ka deklaruar kandidatja e opozitës maqedonase, Gordana Siljanovska.

Mirëpo Stevo Pendaroski thotë se koncepti “një shoqëri për të gjithë” është garantues i paqes dhe zhvillimit të Maqedonisë së Veriut.

“Ky shtet mund të ketë prosperitet vetëm nëse të gjitha bashkësitë etnike i kanë të drejtat e njëjta dhe nëse kanë qëllime para vetes së tyre. Në këtë shtet, në këtë shtëpi tonën të përbashkët, të quajtur Maqedonia e Veriut, ose të gjithë do të kemi të drejta të njëjta, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, ose nuk do ketë gëzim për asnjërin nga ne”, ka deklaruar Stevo Pendarovski në një tubim me elektoratin.

Ndërkohë kandidati i partive opozitare shqiptare, Blerim Reka, thotë se në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë koncept për shtet e jo vetëm për shoqëri për të gjithë.

“Në kundërtaborin tonë thonë se koncepti i tyre është shoqëri për të gjithë. Por unë them jo, koncepti duhet të jetë shtet për të gjithë. Shoqëri për të gjithë ne kishim edhe në komunizëm, 40 vjet më parë, por edhe tani 30 vjet pas komunizmit. Por edhe tani në vitin 2019, Maqedonia nuk është shtet për të gjithë, është shtet vetëm për një kategori qytetarësh”, ka deklaruar Blerim Reka në një tubim elektoral në rajonin e Tetovës.

Gordana Siljanovska Davkova u paraqit në tubimin qendror në Shkup më 13 prill, ndërsa një ditë më vonë, më 14 prill, tubim qendror do të ketë edhe Pendarovski. Reka do të ketë konventën përmbyllëse në datën 18 të këtij muaji.

Fushata zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill, pas çka vijon heshtje zgjedhore 24-orëshe para ditës së votimit më 21 prill./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne