Bota

Akar: Greqia bën shkelje të hapur të drejtës dhe traktateve ndërkombëtare në Egje

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar bëri të ditur se armatimi i ishujve me status joushtarakë nga ana e Greqisë në Detin Egje paraqet shkelje të hapur të drejtës dhe traktateve ndërkombëtare.

Pas mbledhjes së komandantëve të Forcave të Armatosura të Turqisë të mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, ministri Akar iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të agjencisë së lajmeve Anadolli (AA).

Ministri theksoi se Turqia çdoherë ka respektuar traktatet ndërkombëtare, ndërsa tha se “Ne jemi pro marrëdhënieve të mira fqinjësore, prandaj presim edhe prej fqinjëve tanë të sillen në të njëjtën mënyrë”.

Duke bërë të ditur se janë duke punuar që problemet në Detin Egje, Detin Mesdhe dhe Qipro t’i zgjidhin me dialog dhe rrugë paqësore, ministri Akar tha: “Këto probleme posaçërisht janë armatimi i ishujve me status joushtarakë gjë që paraqet shkelje të hapur të drejtës dhe traktateve ndërkombëtare. Duhet të jepet fund sa më parë shkeljeve, të cilat janë në kundërshtim me botëkuptimin e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Duhet të ruhet dhe vazhdohet statusi joushtarakë i këtyre ishujve”.

“Pres nga homologu im grek që të marrë masa të sinqerta, konstruktive në kuadër të marrëdhënieve tona të mira dhe të çështjeve tjera”, bëri të ditur ministri Akar, ndërsa tha se “Të gjithë e dinë se Turqia është e vendosur në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave, të saj të cilat burojnë nga e drejta ndërkombëtare”.

Ministri Akar gjithashtu preku edhe në punimet për blerjen e sistemeve S-400 nga Rusia, ku tha se “Blerja e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 është një masë e marrë kundër kërcënimeve ajrore dhe raketore ndaj vendit tonë. Siç dihet Greqia dhe disa vende tjera aleate të NATO-s kanë sisteme S-300. Ne respektojmë vendimet e këtyre vendeve. Turqia është një aleate e NATO-s, e cila plotëson të gjitha dispozitat në marrëdhëniet dypalëshe dhe vazhdon të kontribuojë në paqen rajonale dhe botërore”./ trt

OPINIONE