Aktorja turke Perihan Savaş bashkëbisedim me artdashësit shqiptarë

Ka vijuar në Kinema Millennium në Tiranë Java e Filmave Turk me shfaqjen e filmit “Vdekja e të Dashuruarve” (Sevdaların Ölümü), ku e pranishme ishte dhe një nga aktoret e filmit, Perihan Savaş, e cila zhvilloi një bashkëbisedim me artdashësit, raporton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në aktivitet ishte edhe zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha se kinematografia turke vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme si në planin kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar.

Sipas tij, filmat turq ndiqen me interes, jo vetëm në Turqi, por edhe në shumë vende te tjera të botës nga miliona shikues.

“Producentët, regjisorët, skenaristët dhe ekipet teknike nga Turqia kanë fituar çmime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ne jemi të ndërgjegjshëm për popullaritetin që kanë serialet turke në Shqipëri. Falë veprimtarive të tilla si kjo e sotmja, kinematografia turke do të ngjallë më shumë interes në Shqipëri”, deklaroi Cengiz.

Ndërsa aktorja Perihan Savaş në fjalën e saj falënderoi Instituti “Yunus Emre” në Tiranë që bëri të mundur realizimin e bashkëbisedimit.

“Kinemaja dhe teatri është një vend shumë i rëndësishëm për ne, pasi tregon kulturën tonë. Kinemaja dhe teatri duket që kanë ndikuar shumë në kulturat e tjera nga filmat që ne japim jashtë vendit”, tha Savaş.

Duke folur për vështirësitë e realizimit të filmave apo serialeve të ndryshme, Savaş tha se teknologjia në ditët e sotme është zhvilluar shumë dhe puna e aktorëve është lehtësuar, por “nuk ka atë dashurinë dhe vetëbesimin që ka qenë më përpara”.

Në përfundim të fjalës së saj, artistja nga Turqia, tha se ndihet shumë e lumtur që ndodhet në Shqipëri dhe se “shqiptarët janë një popull shumë i dashur dhe ngjajnë shumë me popullin turk”.

Artistja Perihan Savaş ka lindur në vitin 1957 dhe deri në vitin 1980 ka luajtur dhjetëra filma. Ajo ka marrë çmime edhe në fushën e kinematografisë. Gjithashtu pas viteve 1990 ka luajtur me sukses mbi 110 filma kinematografik si dhe në mbi 20 seriale. Në ditët e sotme vazhdon të aktrojë në serialin Çukur.

Në Javën e Filmit Turk në Tiranë, më datë 30 mars do të jetë i pranishëm aktori turk, Gürkan Uygun.

Java e Filmit Turk në Shqipëri organizohet nga Instituti “Yunus Emre” në Tiranë me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe institucioneve dhe organizatave të tjera shqiptare dhe turke./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne