Al-Hawiya nën kërcënimin e aneksimit nga Izraeli

Ramallah

Al-Hawiya, një nga dhjetëra burimet e ujit në rrethin historik Husan të qytetit të Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar, po përballet me kërcënimin e uzurpimit nga Izraeli, raporton Anadolu.

Al-Hawiya, që gjendet në një luginë të rrethuar me ullinj, mes kopshtesh me perime, buron nga malet e Husanit dhe mblidhet në një pellg të vogël artificial.

Burimi dhe pellgu Al-Hawiya, me bukuritë e tyre natyrore, janë një vend që u mundëson banorëve të qytetit dhe palestinezëve nga qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor të shijojnë ajrin e pastër dhe të pushojnë.

Pronarët e kopshteve përreth pellgut përdorin po ashtu ujin e burimit nga malet për perimet që kultivojnë.

Megjithatë, ekziston frika se Izraeli, i cili më parë ka konfiskuar rreth 1.600 hektarë tokë që i përkisnin rrethit Husan dhe themeloi këtu vendbanimin hebre “Betar”, tani do ta uzurpojë këtë vend, i cili ka karakteristika turistike dhe historike.

Plani izraelit i aneksimit

Në mbledhjen e tij javore më 17 korrik, kabineti izraelit miratoi ndarjen e një buxheti prej 120 milionë shekelësh (33 milionë dollarë) për tre vjet, si pjesë e projektrezolutës së paraqitur nga ministri i Çështjeve të Kudsit dhe Trashëgimisë Amihai Eliyahu, ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe ministri i Turizmit, Haim Katz, që synon “preservimin e Bregut Perëndimor”.

Në përputhje me “Marrëveshjen e Dytë të Oslos” të nënshkruar midis Palestinës dhe Izraelit në vitin 1995, zonat e përmendura në Bregun Perëndimor ndodhen në “Zonën C” nën kontrollin izraelit, si në aspektin administrativ, ashtu edhe në atë të sigurisë.

Në fjalimin e tij në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave në Ramallah më 17 korrik, kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh vuri në dukje se Izraeli po përpiqet ta kthejë rajonin historik Al-Hawiya, i famshëm për burimet e tij ujore dhe pellgjet, në një vend fetar dhe turistik për kolonët hebrenj.

Shtayyeh i kërkoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) të mbrojë vendet historike të Palestinës kundër planeve të “judaizimit dhe izraelitizimit”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne