Albina Ruko: Kërkojeni ndryshimin vetë, mos e prisni nga të tjerët

STUDENTJA NGA SHQIPËRIA FLET RRETH PROTESTËS SË MIJËRA STUDENTËVE KUNDËR PADREJTËSIVE FINANCIARE DHE SOCIALE NDAJ TYRE.
Pika kulmore e një viti plot me ngjarje, duket të jetë muaji dhjetor në Shqipëri, kur studentët e universiteteve publike janë ngritur në revoltë duke kërkuar shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë, uljen e tarifave universitare dhe rritjen e buxhetit të shtetit, si kushte të panegociueshme drejt një arsimi publik cilësor dhe të mundshëm për të gjithë.
Nga 5 dhjetori i këtij viti, qindra studentë morrën rrugët e kryeqytetit, duke u rritur së shpejti jo vetëm në numër por edhe nëpër në qytete tjera të Shqipërisë.Megjithatë, historia e revoltës studentore që ka marrë jehonë së fundmi, nis këtu e katër vite të shkuara kur një grup të rinjsh e të rejash nga Universiteti i Tiranës, nisën organizimet sistematike për t’i marrë frenat e universitetit në duart e tyre.
Në pararojë të organizimeve civile dhe përpjekjes për drejtësi sociale është Albina Ruko, studente në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, dhe aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin. Ajo thotë se jo vetëm që ka zgjedhur të mos bëjë kurrfarë kompromisi për lirinë dhe të drejtat fundamentale njerëzore, por gjithashtu, të luftojë në emër të atyre që nuk munden.Në një intervistë për K2.0, Ruko flet për revoltën e studentëve për arsim publik falas dhe solidarizimit ndërmjet tyre për ta sjellë qeverinë përpara përgjegjësisë.K2.0: Prej katër vitesh studentët kanë protestuar për arsim publik cilësor dhe falas në Shqipëri. Megjithatë, vetëm dy javëve të fundit protesta ka marrë një vrull të menjëhershëm duke tejkaluar ndoshta, parashikimet e shumëkujt për të, teksa qindra dhe mijëra studentë nga të gjitha qytetet kryesore në vend bojkotuan mësimin dhe vërshuan rrugëve. Çfarë e shkaktoi këtë reagim pikërisht tani?

Albina Ruko: Reagimi erdhi si pasojë e Vendimit të Këshillit të Ministrave [VKM] numër 288, datë 21.5.2018: “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”.

Më saktë, për pikën katër të kësaj VKM-je, që parashikon nënshtrimin e tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse si dhe të tarifës vjetore të studimit. Afrimi i datës së pagesës në mes të dhjetorit – teksa tarifat paguhen zakonisht në janar – në Fakultetin e Inxhinierisë, shkaktoi pakënaqësi dhe revoltë mes studentëve. Niveli ekonomik në Shqipëri është në gjendjen më të mjerë. Teksa flasim për varfëri, do duhet të kemi parasysh skamjen, faktin që familjet shqiptare dhe shumë të rinj nuk ia dalin dot të sigurojnë bukën e gojës e jo më tarifat dhe haraçet shkollore.

Gjithashtu, shumë studentë janë të detyruar t’i nënshtrohen punëve – të paguara keq – për të mbajtur veten dhe familjen, çka nënkupton shtyrjen e një pjese të provimeve semestrale për në vjeshtë apo për vitin pasardhës nga pamundësia për ta ndjekur rregullisht shkollën apo për t’u përgatitur mirë; sikurse ka nga ata të cilët luftojnë për rezultate të larta dhe provimin e një lënde kërkojnë ta japin sërish kur s’janë të kënaqur me notën apo kur s’kanë mundur t’ia dalin herën e parë. Të gjitha këto janë arsye të qenësishme. Prandaj studentët u ndjenë të zhvatur sërish nga tarifimi ekstra për provimet sikurse të tallur prej vendimit arrogant për të afruar datën e pagesës.

“ISHTE KAQ SHPRESËDHËNËSE TË SHIHJE MOBILIZIMIN E QINDRA DHE MIJËRA STUDENTËVE QË NGRIHESHIN VETË PËR TË DREJTAT E TYRE”.
Realiteti është më i komplikuar nga sa mund të mendohet dhe sidomos, ai nuk është aq i thjeshtëzuar dhe banal sa rreket ta bëjë të duket kryeministri [Edi] Rama kur i ofendon studentët në vend se t’i dëgjojë ata, duke i quajtur “ngelësa” apo një sërë epitetesh të tjera degraduese që zgjedh të përdorë. Megjithatë, sikurse ju e përmendni, ka katër vite që protestohet për heqjen e gjobave ndaj studentëve dhe uljen e tarifave universitare deri në arsim publik falas – si 17 vende të Bashkimit Evropian.

Shqipëria ka tarifat më të larta në rajon ku studimet Master rrokin shifra deri në 2,000 euro teksa rroga mesatare në vend varion ndërmjet 250 – 300 euro. Mesa duket, kupa ishte mbushur dhe ky presion tarifor që u ushtrua mbi studentët mjaftoi që këta të ngriheshin në protestë dhe të solidarizoheshin me njëri-tjetrin duke e vënë më në fund qeverinë përpara përgjegjësisë. Ishte kaq shpresëdhënëse të shihje mobilizimin e qindra dhe mijëra studentëve që ngriheshin vetë për të drejtat e tyre, duke mposhtur frikën dhe duke artikuluar bindshëm të drejtat e tyre, ku çështja më kyçe e materializimit të të cilave mbetet tërheqja e Ligjit Për Arsimin e Lartë.

Ju jeni një ndër zërat më aktiv të protestës. Madje, në një pjesë të konsiderueshme të kohës, e pozicionuar në krye të saj duke udhëhequr masën studentore me thirrje e fjalime. Ç’do të thotë për ty e gjitha kjo?

Për vajzat realiteti është më i ashpër se sa për djemtë. Shumë prej tyre e kanë të pamundur të shkojnë në fakultet, si rrjedhojë e gjendjes ekonomike. Të kushtëzuara nga të ardhurat absurde që nuk mjaftojnë për përmbushjen e nevojave më bazike, shumë prej tyre detyrohen t’i nënshtrohen punëve të rënda, shpesh të pasigurta dhe të paguara keq, ose martesës, si një tjetër formë “shpëtimi” teksa realisht kjo përbën thjesht një tjetër lloj robërimi dhe rëndom, kalim nga presioni apo dhuna patriarkale nën zgjedhën e babait tek ajo nën zgjedhën e bashkëshortit.

“NE JEMI TË VENDOSUR T’I SHKOJMË DERI NË FUND KËSAJ PUNE, NJËKOHËSISHT DUKE I DHËNË NJË LEKSION TË MIRË DEMOKRACIE DHE QYTETARIE KASTËS UDHËHEQËSE”.
Presioni që shoqëria jonë ushtron mbi vajzat nuk mund të më linte mënjanë edhe mua. Pasiguria për jetën dhe probleme të ndryshme të një natyre ekonomike dhe sociale më prekin edhe mua si shumë prej bashkëmoshatareve të mia. Kjo ka bërë që herët të kuptoj se lirinë dhe pavarësinë mund ta fitoj vetëm duke ngritur zërin për të drejtat që më takojnë, shpesh edhe në emër të atyre që s’kanë mundësinë të flasin sikurse unë; duke u organizuar me të tjerë dhe duke e vënë me shpatulla pas muri një pushtet zhvatës dhe pervers.

Unë flas në emër të të gjitha vajzave, të të gjithë studentëve dhe studenteve në pamundësi për të qenë aty, në pamundësi për të vazhduar studimet, për t’u treguar që vetëm së bashku mund t’ia dalim. Zëri im është zëri i mohuar i shumë vajzave që iu refuzohen mundësitë dhe liritë më bazike.

Më 22 tetor të këtij viti, në një takim që kryeministri Edi Rama zhvilloi në mjediset e Hotel Tirana International për të folur me studentë mbi çështjen e bursës së ekselencës dhe tarifave në universitetin publik, ju reaguat duke zgjedhur të përballeshit me kryeministrin. Megjithatë, ai refuzoi të dialogonte, ju ofendoi dhe më pas ju u nxorrët me dhunë nga salla prej rojeve të tij. E prisnit këtë?

Po, e prisja. Dhuna është e vetmja gjuhë që kryeministri ynë njeh. Kur studentët disa vite më parë kërkuan të dëgjoheshin e të dialogonin për reformën në arsimin e lartë, u injoruan, u ofenduan dhe më pas, u dhunuan dhe dënuan. Kjo gjë u dëshmua mjaft qartë sidomos kur tetë nga vajzat që protestonin për kauzën e arsimit u dënuan me nga dy muaj burg secila vetëm sepse guxuan të ushtronin të drejtën kushtetuese për të protestuar.

Sot kryeministri viktimizohet duke u shprehur se studentët “po humbin shancin” të flasin me të teksa këtë komunikim e ka pamundësuar ai vetë që në krye të herës. Megjithatë, asnjë nga sjelljet apo qëndrimet prej gangsteri tijat nuk më frikësojnë as mua dhe as shoqet dhe shokët e mi. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj pune, njëkohësisht duke i dhënë një leksion të mirë demokracie dhe qytetarie kastës udhëheqëse që ka dështuar në të gjitha nivelet e ushtrimit të pushtetit politik dhe mbarë shoqërisë.

Protesta studentore e këtyre ditëve nuk ka kaluar pa incidente. Eksponentë të partive politike që kanë dashur ta mësyjnë atë, kanë ushtruar dhunë ndaj disa prej studentëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin. Megjithatë, situata është vendosur menjëherë nën kontroll nga vetë studentët të cilët janë treguar të vendosur ta mbrojnë protestën dhe kauzën e tyre. A është i shpeshtë rreziku gjatë aksioneve simbolike dhe protestave? Fundja, një grumbullim masiv njerëzish është kaherë i paparashikueshëm.

Masiviteti mbart në vete paparashikueshmërinë por do të shprehesha se protesta apo politika në vetvete, janë sfiduese më tepër se sa të rrezikshme. Padyshim që partitë politike apo eksponentët e tyre, këta ujqër të vjetër që na kanë zhvatur e dhunuar njëlloj në mos më keq, janë gjithnjë të gatshëm t’i turren turmës për ta përçarë atë për interesat e tyre që s’përkojnë me ato të qytetarëve.

Nga ana tjetër, sot jetojmë në epokën e internetit dhe rrjeteve sociale. Nuk ka qenë e vështirë që militantët partiakë të cilët vinin në protestë si forume të partive ku përkisnin, të identifikoheshin dhe të kërkoheshin të largoheshin nga protesta. Ka qenë vetë turma e pavarur e studentëve që ka reaguar sidomos kur Jani Marka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe njëkohësisht aktivist i Lëvizjes Për Universitetin, u ndalua të fliste me megafon nga një grusht militantësh që kërkonin të uzurponin ushtrimin e fjalës së lirë gjatë protestës. Ka patur disa incidente të këtilla por ato janë menaxhuar qetë, me maturi.

Studentët e kanë kuptuar që nuk kanë asnjërën prej partive aleate ndaj kanë zgjedhur të reagojnë (edhe) kundër tyre. Një nga jehonat më të forta të protestës ka qenë thirrja “Jashtë partitë!” sepse studentët vendosin vetë. Universitetin dhe shoqërinë do ta bëjmë vetë!

Si e shihni pjesëmarrjen e pedagogëve në protestë? A janë ata përkrahës të studentëve?

Disa pedagogë jo vetëm që janë përkrahës por kanë qenë ndër më aktivët në çuarjen përpara të kërkesave të studentëve. Ata kanë ecur prej fillimit krah për krah me studentët. Të tjerë janë bashkuar rrugës. Të vetmit që s’kanë reaguar ose i janë kundërvënë studentëve janë kryesisht ata pedagogë që janë zënë në rrjetën e korrupsionit apo të tjera sjelljeve të paligjshme në universitet ose edhe ndonjë afër pushtetit.

Megjithatë protestat së fundmi kanë qenë kaq të fuqishme sa që i kanë detyruar disa syresh të japin dorëheqjen apo të provojnë “të zhduken” për ca kohë nga jeta publike. Më kujtohet rasti i një pedagogu në Fakultetin e Arkitekturës që pasi iu kundërvunë publikisht disa studente duke i numëruar të gjitha herët kur ka marrë para apo ka kërkuar favore seksuale – kjo ndodhi në një mbledhje që u zhvillua midis pedagogëve dhe studentëve në këtë fakultet – ai u detyrua të japë dorëheqjen. Kjo ndodhi disa ditë më parë dhe u shoqërua me mjaft reagime.

Si e parashikoni ecurinë e protestës?

Studentët më në fund e kanë mposhtur frikën. Ata s’kanë më frikë t’i kundërvihen pedagogëve në fakultet apo vetë kryeministrit. Studentët nuk janë druajtur t’i bojkotojnë tryezat e imponuara të kinse bisedimeve nga Rama dhe jo vetëm kaq, por i kanë zënë pritë jashtë dyerve të fakulteteve duke i kërkuar llogari për paratë që u janë zhvatur; për pasuritë e pajustifikueshme të tijat dhe qeveritarëve të tjerë; duke shtuar presionin për anulimin e Ligjit Për Arsimin e Lartë dhe plotësimin e të gjitha kërkesave tona.

“ORGANIZOHUNI SË BASHKU, NGRINI ZËRIN DHE KËRKOJENI NDRYSHIMIN VETË, MOS E PRISNI ATË NGA TË TJERËT”.
Këtë frymë e gjen në të gjitha qytetet ku studentët janë ngritur në protestë, jo vetëm në Tiranë. Në këto kushte, me këtë vullnet dhe të gjithë energjinë që ka konservuar protesta, kryeministri Rama bën mirë që të tërhiqet sa më parë e të plotësojë kërkesat; përndryshe, do të paralizohet i gjithë vendi, jo vetëm jeta në universitet derisa ne të marrim atë që na takon.

Ju studioni Sociologji në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Pse kjo fushë studimore?

Sociologjia është një degë që studion në tërësi shoqërinë. Kur rritesh në kushte të vështira ti kërkon të kuptosh se pse ndodh një gjë e tillë; bën krahasime, ngre vazhdimisht pyetje duke i hapur rrugën të menduarit kritik. Ti ke nevojë të kuptosh veten dhe shoqërinë ku bën pjesë. Unë mendoj që sociologjia si një fushë njohjeje, të jep mundësinë që t’i përgjigjesh këtyre pyetjeve. Prandaj besova se më nevojitej të hulumtoja në këtë degë të dijes, për t’i thyer më mirë disa barriera të ndërtuara ndër vite. Ndihem mirë me zgjedhjen që kam bërë!

Si nisi aktivizmi politik e social juaji?

Ne jetojmë në një shoqëri ku shtypja është sistematike. Ti dhunohesh çdo ditë në të gjitha hapësirat ku frymon. Problemet e vazhdueshme në shtëpi, shkollë, punë e të tjera, të bëjnë të ngresh disa pyetje dhe më pas të reflektosh mbi to. Ky reflektim, disa herë – uroj që çdo herë e më shumë tek ata që kalojnë nëpër të njëjtën fazë – përkthehet në një refuzim aktiv ndaj një realiteti të këtillë, një lloj qëndrese e shoqëruar me reagim të fortë.

Shumë shpejt ti vëren se nuk je vetëm; se si puna yte ka shumë të tjerë; ka të rinj – por jo vetëm – që u mohohet e drejta për arsim, për punë, për strehim; ka punëtorë që shfrytëzohen në kushte të frikshme pune ku kaq shpesh humbin jetën dhe përfundojnë thjesht si një shifër më shumë në media; pastaj ka pushtetarë me makina e kostume të shtrenjta që tallen me ne, na poshtërojnë e shtypin sikur të ishim hiçgjë. Si mund të mos të të hapë sytë e të zgjojë revoltën brenda teje e gjitha kjo? Shoqëria ku unë bëj pjesë është larg të qenit një shoqëri e drejtë dhe demokratike. Unë refuzoj të jetoj në një shoqëri të tillë, prandaj dhe kam vendosur ta ndryshoj atë.

Përtej rezistencës studentore, protestave dhe angazhimit social e politik, çfarë e përmbush tjetër ditën tënde?

Dita ime nis herët në dyert e fakulteteve ose të fasonerive ku shfrytëzohen gratë. Së bashku me aktivistët e tjerë, ne zhvillojmë takime me studentë dhe punëtorë, flasim me ta, përpiqemi të ndajmë dhe kuptojmë rrënjët e problemeve që na prekin njëlloj paçka se në rrugë të ndryshme dhe rrekemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët.

Një pjesë e mirë e kohës kalon edhe tek Logu i Shkëndijës, qendra sociale ku zhvillojmë biseda letrare; debate politike dhe filozofike; organizohemi për protesta; lexojmë poezi; qeshim e qajmë me njëri-tjetrin dhe ku rritemi si njerëz çdo ditë duke mësuar nga sho-shoqi.

Cila do të ishte thirrja që do t’u bëje të rinjve që na lexojnë sot këtu?

Thirrja ime për të gjithë miqtë, kolegët, studentët e këdo tjetër që na lexon është që të mos lejojnë kurrë askënd t’i nëpërkëmbë, as në shkollë, as në punë dhe kurrsesi në nivelet e tjera më të larta të pushtetit. Reagoni ndaj thirrjeve seksiste, përçmuese, shtypëse. Mos lejoni t’ju vidhet e drejta e fjalës. Organizohuni së bashku, ngrini zërin dhe kërkojeni ndryshimin vetë, mos e prisni atë nga të tjerët! Vetëm kështu bota do të jetë më e plotë!

Intervistoi Gresa Hasa

/Kosovo 2.0/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne