Altin Dumani pranoi “listën e zezë” për gazetarët. SPAK shkel “vijat e kuqe” të Evropës

Drejtuesi i SPAK pranoi krijimin e dosjeve sekrete ndaj gazetarëve kritikë, në një praktikë që i ngjan dosjeve të Sigurimit, ndërsa institucionet e krimit heshtin për abuzimet dhe klientelizmin e tij

Para largimit nga detyra, Altin Dumani pranoi se ka evidentuar dhe skeduar gazetarë që e kritikojnë dhe i kërkojnë llogari SPAK-ut. Kjo praktikë, e ndaluar me Kushtetutë, e vendos SPAK-un në të njëjtin front me politikën, policinë, SHISH dhe grupet kriminale që kanë futur mediat e pavarura në “rreth të kuq”. Ndërkohë SPAK injoron denoncimet për korrupsion, favoritizimet ndaj ministrave të qeverisë dhe hesht për dosjet e trafikut, pastrimit të parave dhe bashkëpunimit politik–krim.

Para largimit nga detyra, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, bëri publike një shkelje të rëndë kushtetuese, të kryer me vetëdije gjatë tre viteve. Ai ka krijuar dosje speciale dhe sekrete për gazetarët “armiq”, tipike si dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Në takimin informal me gazetarët para dorëzimit të detyrës, Altin Dumani, duke folur për presionet dhe kërcënimet ndaj tij dhe prokurorëve të SPAK, deklaroi: “stafi im ka evidentuar gazetarë të caktuar që bullizojnë dhe u bëjnë presion e kërcënime prokurorëve”.

Me këtë deklarim, Altin Dumani pranoi se ka bërë “listën e zezë” të gazetarëve që i nxjerrin të palarat dhe i kërkojnë llogari për të kryer detyrën pa zvarritje, pa dallime dhe pa klientelizëm.

Altin Dumani në një front me Kryeministrin, SHISH, Policinë dhe mafiozët kundër mediave
Tashmë është fakt i qartë se nuk janë vetëm Edi Rama, ministrat, policia, SHISH, oligarkët dhe grupet kriminale ata që kanë futur mediat dhe gazetarët e pavarur në “rreth të kuq”, por edhe vetë SPAK, institucioni që duhet të godasë krimin. Altin Dumani nuk i duron raportimet mediatike kur denoncojnë abuzimet e tij dhe të vartësve me detyrën, sepse kërkon vetëm elozhe si “hero” i drejtësisë së re.

Mediat e kanë mbështetur SPAK edhe kur është sulmuar nga politika, pushteti dhe rrjetet kriminale. Ndërsa Altin Dumani ka bërë “lista të zeza” për gazetarët që kërkojnë drejtësi të barabartë dhe jo dy standarde ndaj subjekteve të krimit dhe korrupsionit.

Sipas Dumanit, gazetarët që ai ka futur në “listën e zezë” kanë publikuar sekrete hetimore të dosjeve. Ai nuk kërkon përgjegjësi te vetja dhe vartësit, prokurorë, hetues, sekretarë dhe arkivistë të SPAK, të cilët kanë detyrimin ligjor të ruajnë sekretet hetimore. Ligjërisht, sekrete hetimore janë materialet e dosjeve para përfundimit të hetimit, por nga sirtarët e Altin Dumanit dhe të prokurorëve dalin materiale para përfundimit të hetimeve, madje para nisjes së procedimeve penale.

Media si pushtet i pavarur ka të drejtë të skedojë dhe të denoncojë Altin Dumanin dhe prokurorët kur ata manipulojnë provat, nuk nisin dhe pushojnë çështjet penale dhe heqin emra nga dosjet. Ndërsa SPAK-ut i ndalohet të skedojë media dhe gazetarë që publikojnë abuzime dhe afera me dosjet hetimore, përveç rasteve kur gazetarët janë përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.

Nuk është kërcënim ndaj SPAK denoncimi i klientelizmit
Favorizimi dhe heshtja e SPAK për aferat e Xhaçkës, Kumbaros, Krifcës, Manastirliut, Çuçit, Blendi Klosit, Blendi Gonxhes, Bodes, Haxhinastos, Pollos, Rulit, Vangjel Tavos e shumë të tjerëve, nuk është presion.

Nuk është presion as denoncimi i faktit se SPAK po lë në heshtje dosjet për trafikantët Gjergj Luca, Lul Morina, Dajlan Abdia, Andrea Çaushi, Eral Myftaraj, Arben Muçobega, Sinan Idrizi dhe Roland Ziu, të cilët në bashkëpunim me zyrtarë kanë marrë pasuri shtetërore falas dhe pastrojnë paratë me ndërtime kullash, hotelesh, resortesh dhe biznesesh të tjera.

Prova e favorizimit të SPAK është mossekuestrimi i trafikantëve Agron Xhafaj dhe Sulejman Fusha, duke mos zbatuar ligjin antimafia, siç është zbatuar për trafikantë të tjerë të dënuar.

Nuk është presion as denoncimi i faktit që SPAK nuk merr në pyetje kryeministrin Edi Rama për aferat ku janë arrestuar dhe janë në hetim vartësit e tij, si edhe pushimi i çështjes “Xibraka” për Olsi Ramën dhe lënia jashtë dosjeve hetimore e çështjeve Call Center, dosja “McGonigal”, “Alabbar” dhe shumë dosje të tjera me politikanë dhe biznesmenë të zhytur në afera./Pamfleti

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne