Ambasada e Palestinës në Shqipëri përkujton Ditën e Nakbës me dokumentarin “Tantura”

Ambasada e Shtetit të Palestinës në Shqipëri organizoi një aktivitet përkujtimor me rastin e Ditës së Nakbës, përmes shfaqjes së filmit dokumentar “Tantura”, i cili hedh dritë mbi masakrat dhe aktet e gjenocidit të kryera nga forcat pushtuese izraelite ndaj popullit palestinez, veçanërisht gjatë vitit 1948.

Ky aktivitet mblodhi një numër të konsiderueshëm diplomatësh arabë dhe të huaj të akredituar në Shqipëri, anëtarë të komunitetit palestinez, si dhe qytetarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që shprehën mbështetje për kauzën palestineze dhe solidaritet me vuajtjet dhe aspiratat legjitime të këtij populli.

Në fjalën e tij, ambasadori i Shtetit të Palestinës në Shqipëri, z. Sami Mehna, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e sinqertë. Ai vuri në dukje se Nakba nuk është vetëm një ngjarje historike e vitit 1948, por një proces i dhimbshëm që vazhdon edhe sot. “Populli palestinez ka përjetuar dy Nakba: atë të vitit 1948, kur u dëbua me forcë nga toka dhe atdheu i tij, dhe Nakbën e dytë, që vijon ende sot me gjenocidin në Rripin e Gazës dhe shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar”, u shpreh ambasador Mehna.

Përmes këtij aktiviteti, Ambasada e Palestinës në Shqipëri përcolli një mesazh të fortë ndërgjegjësimi mbi dhimbjen historike dhe të tashmen dramatike që po kalon populli palestinez, duke kërkuar njohje dhe mbështetje për të drejtat e tij të mohuara./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne